Oriela Nebijaj: Nuk tërhiqem nga gara edhe pse mund të mos fitoj

Nov 26, 2015 | 11:54
SHPËRNDAJE

Kandidatja për kryetare të Forumit Rinor të PD-së, Oriela Nebijaj thotë se nuk do të tërhiqet nga gara edhe pse siç duket nuk do ta fitojë atë.

Oriela Nebiaj
Oriela Nebiaj

Zëdhënësja e selisë blu thotë se dy rivalët e saj Ervin Salianji dhe Belind Këlliçi janë më të favorizuar sepse e kanë nisur punën më herët.

Që prej një muaji jeni përfshirë në garën për kryesimin e FRPD. Çfarë është kjo garë për ty?

Kjo garë është një shkollë politike për të gjithë. Ështe gare si për ne garuesit, si për mbështetësit, për PD, por edhe për mbarë shoqërinë shqiptare që ende vuan mungesën e institucioneve demokratike. Gara është institucioni më demokratik që duhet thënë ka fituar një përmasë krejt tjetër, shumë më të plotë nën lidershipin e Bashës. Kjo garë po rrit një brez të ri politik që suksesin e sheh tek forca e argumentit, tek aftësia për ta përcjellë këtë argument dhe për të gjeneruar mbështetje politike nëpërmjet votës, dhe jo vetëm. Kjo është ajo që e quajta shkollë. Ndihem me fat, e privilegjuar që jam pjesë e këtij proçesi politik. Sepse në këtë garë mund të ishin qindra vajza e djem të tjerë, nga e gjithë Shqipëria. E përsëris, është privilegj të mund t’i përfaqësoj ata. Njëherësh, e ndjej edhe si përgjegjësi shumë të madhe.

Cila është ideja juaj për Forumin?

Motoja e garës time dhe mesazhi im për të gjithë të rinjtë është: Merr pjese tani! Udhëheqim nesër! Ky është besimi im. Sepse rinia duhet të marrë pjesë në politike, nuk duhet të jetë indiferente, apatike por të jetë pjesë e veprimit politik dhe qeverisës. Unë gjithashtu besoj se rinia është forca dhe përbërësi më europian dhe vizionar i shoqërisë shqiptare. Ajo është mbartësja e një morali tjetër. Të pakompromentuar. Këto janë vlerat që unë dua të mishëroj në FRPD.

Ndërsa e shoh forumin si bashkëpunues dhe komplementar të PD, nuk e përjetoj atë si një strukturë burokratike, si një parti tjetër në miniaturë. Unë dua një forum të ndërtuar mbi gjithëpërfshirjen, transparencën dhe demokracinë e brendshme. Jo një strukturë vertikale që kënaq nevojat për lavdi të atyre që janë lart. Për mua FRPD është frymë, dhe të gjithë anëtarët e saj janë njësoj dhe marrin frymë njësoj, njëherësh. Prandaj kam refuzuar lojën e premtimeve hierarkike. Dhe kam kërkuar një forum të hapur, pa kthina, që nuk është thjesht një grup i organizuar mbështetësish dhe protestuesish, por që guxon, që mendon, që bën propozime dhe jep zgjidhje. Zgjidhje që e bëjnë Shqipërinë si gjithë Europa!

Kthehemi tek gara. Si e vlerëson garën në vetvete?

Gara është sa momenti më i bukur aq edhe më i vështirë në politikë. Në garë nuk je ti që vendos të bësh gjërat, nuk e zgjedh rivalin, nuk kontrollon dot më ritmin, kohën rendin e gjërave. Ato janë jashtë teje dhe të duhet të bësh gjithçka që të maksimizosh, në stilin tënd shprehjen më ekselente dhe më të besueshme të vizionit, të ideve, të propozimeve. E rëndësishme është që as unë, dhe shpresoj dhe rivalët nuk janë dominuar nga ethet dhe tensionet e garës, nga ambiciet që errësojnë sytë, por nga besimi se kjo na forcon dhe na pjek politikisht.

Si po të shkon gara? Rezultatet e tua nuk janë shumë inkurajuese për të qënë fituese e garës?

Hyra në garë vetëm një muaj më parë. Rivalët e mi kanë disa përparësi organizative. Ata individualisht apo në grup e kanë projektuar më herët garën, kanë siguruar mbështetje brënda dhe jashtë strukturës së partisë, dhe kjo duket në rezultatin e votave. Për mua është e qartë që mund të mos jem më në garë në kuptimin e fitores, por jam në garë dhe do jem deri në fund për të respektuar garën.

Jam në garë dhe do të jem deri në fund për të respektuar këdo që kam takuar, kam shkëmbyer ide. Të gjithë ata që më dhuruan sinqeritet dhe ndershmëri, gjërat më të shtrenjta për një njeri në kohën që jetojmë. Që më kanë votuar, apo do të më votojnë, sepse unë nuk heq dorë nga promovimi i ideve dhe propozimeve të mija për një forum rinor europian, të fortë, efektiv dhe ndryshues. Një hapësirë ku jeton dhe garantohet Liria.

Jam dhe do të jem gjithmonë në garën e ideve, jo të votave për post, dhe besoj se ky është një kontribut shumë i vlefshëm. Qëndrimi në garë nga ana ime, edhe pse dukshëm mund të mos jem fituese, është prova e asaj që thashë më parë që PD po i propozon shqiptarëve një politikë emancipuese, një demokraci të re. Kjo është ajo që unë ofroj. Kjo është ajo që unë përfaqësoj.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura