Oriana Fallaci: Zemra më është tharë, por zëri s’më është shuar

Jan 7, 2013 | 13:51
SHPËRNDAJE

Gazetarja e famshme italiane rikthehet përmes fjalimesh të pabotuara më parë, që rrëfejnë një dimension tjetër të gruas, që intervistoi disa nga emrat më të mëdhenj të politikës dhe artit në mbarë botën

Oriana Fallaci, shkrimtare, gazetare, njeri me një jetë private sipas dëshmive të njerëzve që ka pasur pranë, por edhe person publik. Pikërisht ky dimension i fundit vjen përmes lexuesit përmes një përmbledhjeje me fjalime të panjohura më parë, titulluar “Il mio cuore è più stanco della mia voce” (Zemra ime është më e lodhur se zëri im” nga shtëpia botuese italiane “Rizzoli”.
E vështirë ta quash “konferenciere”, sepse duket shumë profesorale, por edhe “oratore” nuk do t’i përshtatej, pasi një lloj ndrojtjeje e pengonte që të dominonte auditorët, aq më pak “politikane”. Oriana e “re” që i ofrohet lexuesit është gati “live”, si të vinte nga një DVD, nga një video e xhiruar fshehtazi nga publiku dhe lëshuar në YouTube.
Oriana Fallaci flet, është e njëjta me atë që njohim, por edhe e ndryshme, kushtëzuar nga rrethanat: një konferencë e vitit 1976 më Massachusetts, pak ditë përpara se të vdiste dashuria e saj e madhe Alekos Panagulis; një tjetër në Harvard në 1982, përpara studentëve; në 1983-shin në Chicago, gjatë një kursi mbi krijimtarinë dhe politikën. Më tej, në të njëjtin vit në Argjentinë, kur libri i saj i famshëm “një burrë” u përkthye dhe u publikua atje. Në fund në New York, ku mban një fjalim në mbështetje të Kilit.
Në dukje është një Oriana e “majtë”, shumë larg nga ajo ikona e fortë që kishte krijuar gjatë viteve më të shkëlqyera të karrierës së saj. Por vetëm në dukje ama. Sepse ajo Fallaci antifashiste, që nga tradita familjare, përpara një vokacioni të zgjedhur, vetëm sa do të drejtojë në të ardhmen zjarrin e saj polemik kundër “armiqve” aktualë dhe të rrezikshëm: peshkopë të totalitarizmit të ri, trashëgimtarë të nazifashizmit dhe komunizmit dhe në krye të të gjithëve terroristët islamikë që kërcënojnë lirinë e së nesërmes.
Nuk është e rastit që Fallaci “live” konsideron “vdekjen, lirinë dhe pushtetin” si temat e saj esenciale. Është sinteza e tyre që në të ardhmen do krijonin bërthamën për të shkruar “tërbimi dhe krenaria”. Megjithatë në të shfaqet arsyeja dhe pasioni që do ta bënte një personazh unik, që ose do ta doje, ose do ta urreje. Nuk kishte rrugë të mesme. Është ideja e gazetarisë “jo si zanat, por si mision”, që do ta ndjekë përgjatë jetës së saj.
Sigurisht modeli që ofron Fallaci në këtë fjalim nuk është për të gjithë. Ka diçka aristokrate, jo të zakonshme në refuzimin e thuajse çdo lloj raporti të mundshëm mes shkrimtarisë dhe pushtetit: dy estetika që sipas Fallacit janë të pamatshme dhe të papajtueshme. Politikani mund të bëjë pa lirinë dhe dyshimin, ndërsa tjetrit kjo nuk i është e lejuar.
Por ekziston ama ana tjetër e medaljes: burri (ose gruaja) i pushtetshëm janë të dënuar me përditshmërinë prozaike dhe kompromisin, ndërsa shkrimtari/shkrimtarja “a la Fallaci” mund të jetojë deri në fund, të besojë e t’u rrijë besnik miteve të tij. Para të gjithëve, në rastin e Orianës, ai i Alekos Panagulis: “Një donkishot në ndjekje të ëndrrës së tij, për një botë pak më të ndershme, pak më shumë dinjitoze, më e kapërdishme, dhe në emër të saj vdes, i vrarë nga të gjithë: nga padronët dhe shërbëtorët, nga të dhunshmit dhe nga indiferentët, të djathtë, të majtë, të qendrës, të ekstremit të djathtë, të ekstremit të majtë, ekstremistët e qendrës”. Një model që do t’i thante zemrën, siç do të thoshte ajo vetë, por nuk i shoi zërin.

(Corriere della Sera)

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura