Orari që peshon apo rëndon

Jan 15, 2018 | 12:31
SHPËRNDAJE

bociLUÇIANO BOÇI

Vendimi i MASR për të ndryshuar orarin e shkollave në arsimin parauniversitar, sipas formulës 3 lëndë në 6 orë, ngjan shumë i nxituar dhe mendjelehtë. Me jehonë marketingu për të shitur sa më shumë propagandë bajate, sipas formulës e frymës “paguaj një e merr dy”. Po më shumë i ngjason asaj pyetjes me kleçkë  që i bëhet nxënësit: “Cili peshon më shumë, 1 kg hekur apo 1 kg pambuk?”.

Këtu Ministria ca nga padija, ca nga entuziazmi duket sikur po loz me nxënësit e mësuesit, me pyetjen e çuditshme që nuk qëndron nga pikëpamja fizike: “Cili peshon më shumë, 1 kg libra apo 1 kg orar?!” Vetë Rama, ngaqë do të bëjë gjithmonë të parin, u nxitua të përgjigjet se janë librat ato që peshojnë më shumë. Të nesërmen e gjetjes së përgjigjes, Rama urdhëron Linditën që në emër të bashkëqeverisjes me qytetarët, si dikur “në emër të popullit” të ekzekutojë… orarin!

Si çdo vendim, edhe ky pa asnjë studim, asnjë konsultim, por thjesht “me bë sa më shumë bujë”. Tendenca për të prodhuar zhurmë, me qëllim mbulimin e situatës së rëndë në arsim është forma e zgjedhur e bërjes së punës në këtë ministri. Mish-mash i plotë, sikurse lëmsh me udhëzime e urdhra, që kundërshtojnë njëri-tjetrin. E kjo është për të ardhur keq.

Ndërsa debati i kërkuar këtu nuk është politik më shumë sesa profesional. Një vendim i tillë nuk mund të justifikohet më një qëllim parak, siç është pesha e librave. Ky është vërtet shqetësim real dhe i ngritur disa herë nga ne në komisionin përkatës dhe kërkon zgjidhje të domosdoshme. Por, së paku “t’i ngjajë peni gëzofit”, thotë populli. Të përputhet vendimi i marrë me përfitimin e kërkuar në tërësi. Krahasimisht me vendet e tjera të rajonit e më gjerë, ky nuk duket të jetë vendimi i duhur. Orari me orë suksesive nuk është zgjidhje as psiko-pedagogjike, as mësimore, as afatgjatë e as europiane.

Përveç kësaj, ndërhyrja arbitrare në rregullimin e tij në mes të vitit shkollor sjell pasoja domino negative për procesin mësimor. Mësuesit janë të kapur gafil, po aq sa nxënësit dhe gjenden të patrajnuar e të pakualifikuar për një modalitet ore suksesive. Ata nuk parashikojnë dot sesi do ta përpjesë- tojnë minutazhin në dispozicion për të arritur objektivat didaktikë të paracaktuara.

Orari rrëzon poshtë planin mësimor, programet mësimore për çdo lëndë dhe pjesën dërmuese të arkitekturës së teksteve, pasi temat brenda tyre janë përllogaritur vetëm për 45 min. mes dy qëllimeve; dhënie njohurie e kontroll dije. Ngarkesa mësimore për nxënësin ndjek një standard pedagogjik dhe psikologjik, që mundëson thithjen maksimale të dijes brenda tekstit sipas stadevetema dhe kombinimeve teori-praktikë, transmetim dije-kontrollim i saj, me një gradualitet dhe kombinim lëndësh sipas organizimeve 45 minutëshe.

Ky standard tashmë ndryshon. Vetë orari është një element shumë i rëndësishëm themelor pedagogjik dhe jo një renditje mekanike rastësore lëndësh. Ai duhet të ketë domosdoshmërisht në qendër nxënësin në kompleksitetin e tij dhe jo një element, apo akoma më keq, të jetë një mekanizëm që drejtori e kurdis sipas shijeve personale për mësuesit. Ai alternon ngarkesën e rëndesën mendore me lëndë “të vështira” dhe argëtimin e nxënësit më lëndë “të lehta”, brenda një harmonizimi që nxit kreativitetin dhe rrit dëshirën për “të zbuluar botën” dhe njëkohësisht ndihmon e stimulon të nxënit.

Nxënësi nuk gjen dot “prehje” me dy orëshin 45 minuta ose me 90 minutat me një 5 min. pushim ndërmjet dhe ngarkesa e tij mentale dhe stresi rrezikojnë të kapin pikat maksimale, varësisht nga mosha, klasa dhe lëndët. Kjo nuk i jep atij as mundësi të bëjë detyrat e parashikuara për temën pararendëse të 45 minutëshit të parë, pasi aparati pedagogjik nuk e ka parashikuar një gjë të tillë. Ndërhyrja duhet të ishte e shoqëruar me një studim nga IZHA, si institucioni kompetent për nisma të tilla.

Njëkohësisht, duhej të shoqërohej dhe me marrjen e një opinioni nga Këshilli i Arsimit Parauniversitar që ka vite që nuk funksionon. Pa neglizhuar fakultetet e edukimit dhe specialistët e fushës për të parashikuar të gjitha efektet, që ai prodhon dhe jo të realizohej kështu, në formën e tekave të momentit e eureka-ve politike, me qejfin se çoç kanë gjetur. Ndërkohë, ai komplikon së tepërmi mësimdhënien në klasat kolektive, që zënë gati 15% të totalit të klasave ekzistuese dhe vështirëson mësimin individual, të ngujuarve, të nxënësve me aftësi të veçanta dhe atë part-time apo korrespondencë.

Përpos kësaj, ai duhej t’i nënshtrohej më parë një aplikimi pilot në shkolla ose rajone të caktuara, për të parë aty gjithçka si pasojë qoftë pozitive kjo, apo negative e jo të realizohej si një eksperiment pa fund të ditur dhe të çuditur. Vetëm pas këtij rezultati, çdo gjë do ishte më pas e studiuar dhe e mirëpranuar. Ndërkohë që do mjaftonte një hulumtim i shpejtë dhe një iniciativë serioze për të zgjidhur çështjen e peshës së librave.

Ky nuk është orari, por janë ndërhyrjet efikase dhe afatgjata, të kërkuara prej kohësh në sistemin arsimor. Një ndër këto zgjidhje është ngritja e kabineteve lëndore, pjesë e programit të PD, të cilat kanë jo vetëm mjetet e domosdoshme didaktike, por dhe librat për përdorim në klasë të nxënësit. Si në çdo vend europian e rajonal. Në këtë rast, nxënësi nuk ngarkohet me tekstin personal në shpinë. Së paku, këto kabinete të bëhen për lëndët themelore dhe kjo do krijonte një lehtësi absolute për nxënësit dhe çanta do ishte akoma më e lehtë se kjo e orarit të famshëm.

Sigurisht, për këtë kërkohen investime totale, pasi gjendja në institucionet tona arsimore është mizerabël, gjë që kjo qeverisje nuk e ka objektiv. Me buxhetin që i dedikohet arsimit vetëm orari ngelet alternativë, sepse ai nuk kërkon para. Zgjidhja më e plotë do ishte ajo e propozuar tashmë nga ne për një shkollë që ofron mësim, edukim e studim, ku nxënësit të mund të realizojnë të gjithë detyrimet brenda një kohëzgjatje deri në orën 16.00, pa pasur nevojë të transportojnë pesha, përpos disa teksteve si lexime apo detyra ekstra.

Kjo do të lehtësonte jo vetëm peshën e nxënësve, por dhe atë të prindërve që harxhojnë kohë të bollshme me detyrat e shtëpisë. Këto janë zgjidhjet reale që i japin hop cilësor mësimdhënies e mësimnxënies. Orari nuk e lehtëson peshën e nxënësit. Ajo thjesht nga peshë fizike shndërrohet në peshë psikologjike. Kësisoj pesha nuk zhduket, ajo merr pamje tjetër dhe specifikisht bëhet më e rëndë. Prandaj nuk është çudi që nxënësit ta gjejnë shpejt përgjigjen e saktë të pyetjes ministrore, që ky orar rëndon më shumë se librat, pavarësisht peshës së njëjtë e përgjigjes së gabuar dhe iniciativës absurde të Kryeministrit dinpak.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura