Opsioni i ri i PD: Reforma në Drejtësi pas zgjedhjeve

Mar 15, 2016 | 8:38
SHPËRNDAJE

Partia Demokratike propozon që Reforma në Drejtësi të zhvillohet pas zgjedhjeve parlamentare. Në një kohë që përfaqësuesit kryesorë të partive politike kanë dhënë garancinë se opinionet e Komisionit të Venecias do të jenë udhërrëfyesi për realizimin e reformës, PD-ja ka hedhur këtë tezë në qarkullim.

palokaKa qenë kreu i Grupit të Partisë Demokratike, Edi Paloka, ai që ka deklaruar se për aq kohë sa Edi Rama shpreh një vullnet të munguar për realizimin e reformës, procesin ta realizojë parlamenti i ardhshëm pas zgjedhjeve.

Deklaratën e tij, Edi Paloka e ka bërë në një intervistë të dhënë për “Top-Channel”, ku ka komentuar edhe deklaratat e bëra nga ish-kryeministri Pandeli Majko për realizimin e zgjedhjeve të parakohshme.

“Ka edhe një rrugë tjetër. Ka zgjedhje dhe pastaj reformë, sepse përderisa kemi qartazi vullnet të munguar nga Edi Rama për të bërë edhe Reformën në Drejtësi, pse jo këtë reformë të mund ta bëjë parlamenti i ardhshëm me një vullnet të plotë”, deklaroi Paloka. Kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Paloka, ndan të njëjtin mendim me Majkon sa i takon zhvillimit të zgjedhjeve të parakohshme.

Por ndryshe nga deputeti i PS-së, i cili e lidh zhvillimin e zgjedhjeve të parakohshme me pamundësinë e palëve për të gjetur dakordësinë mbi Reformën në Drejtësi, Paloka thekson se vendi është në një krizë të thellë.

“Sa për zgjedhjet e parakohshme, sigurisht që ato janë të domosdoshme, por jo se i kërkon Majko apo se kërcënon Rama, por sepse vendi ka shkuar në një pikë krize të pakthyeshme. Edi Rama duhet të largohet që shqiptarët të zhvillojnë zgjedhje të lira e të ndershme dhe më pas të kenë një qeveri që realisht të punojë për interesat e tyre”, sqaron Paloka. Sipas nënkryetarit të PD-së, teza e hedhur në opinionin publik nga Majko mund të përkthehet vetëm me një kërcënim që Kryeministri Rama po i bën kryeparlamentarit dhe aleatit të tij, Ilir Meta.

“Është një luftë e brendshme midis tyre. Prej kohësh Rama kërcënon Metën dhe Meta Ramën. Pra, kemi një marrëdhënie të ndërsjellë kërcënimesh”, deklaron nënkryetari i PD-së. Ky është qëndrimi i parë publik, në të cilin demokratët shprehen për shtyrje të Reformës në Drejtësi.

Pasi u njohën me opinionin e Komisionit të Venecias, përfaqësuesit e opozitës shprehën të paktën 11 pika, në të cilën maxhoranca duhet të reflektonte në draftin e ndryshimeve kushtetuese për realizimin e reformës. Palët vijojnë të jenë të ndara sa i takon mënyrës së leximit të këtyre opinioneve.

Përfaqësuesit e Partisë Socialiste në komision kanë deklaruar se debati politik mbi Reformën në Drejtësi ka përfunduar, ndaj edhe duhet diskutim në nivel ekspertësh. Por teza është kundërshtuar nga nënkryetari i Komisionit për Reformën në Drejtësi, Eduard Halimi.

Sipas tij, diskutimi duhet të jetë politik, pasi ekspertët e kanë realizuar punën e tyre. Deputeti demokrat në një korrespondencë të zhvilluar me kryetarin e komisionit, Fatmir Xhafaj, ka propozuar që fillimisht të gjendet dakordësia politike për problematikat e ngritura, pastaj të jenë ekspertët e përcaktuar nga partitë politike që të finalizojnë procesin

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura