Opozitës nuk i duhet Tom Doshi

Feb 28, 2015 | 13:31
SHPËRNDAJE

ERVIN SALIANJI

 

Ervin Salianji

  Në fillim duhet thënë se Tom Doshi është një zotni burrë. Domethënë më zotnia ndër ata që mblodhi Edi Rama në koalicionin e tij të zgjedhjeve të 23 qershorit e që gazetari Mustafa Nano i etiketoi “aleanca e qelbësirave”. Me të vetmin qëllim: për të ardhur në pushtet me çdo mjet. Nëpërmjet çdo premtimi të trashë e rrene të hollë. Thënë këtë, besoj se opozita e sotme dhe Partia Demokratike nuk ka nevojë të ndjekë të njëjtin model. Ky model po rezulton çdo ditë e më i dështuar, përditë e më problematik, çdo orë e më me kosto për qytetarët e Republikës së Shqipërisë, çdo minutë një padurim.

“Qelbësirat” e mbledhura për të rrëzuar Berishën u bënë bashkë dhe tani po ndajnë segmentet e pushtetit si t’i kenë prona private, duke qelbëzuar dhe gangrenizuar segmente të tëra të administratës publike me emërimet e nipërve, mbesave, kushërinjve, e të gjithë soj e sorollopin e vet. Për një qëllim të vetëm: vjedhjen dhe plaçkitjen e pronës publike. Ky model ka sjellë papërgjegjshmërinë e funksionarëve në ushtrimin e detyrës dhe emërimin e të paaftëve në krye të institucioneve. Arsyeja e thjeshtë: këta funksionarë nuk kanë interesin publik parësor, por interesin e bosit politik qe i ka emëruar dhe të xhepit personal. Sepse këta funksionare nuk e shohin politikën si profesion për të cilin duhet të investosh: qëllimi i tyre është krejt tjetër. Të hyjnë në zyrën e shtetit me një thes në xhep e të dalin prej andej me thes në shpinë. Shqiptarët po përballen çdo ditë me arrogancë, papërgjegjshmëri, dhunë, reprezalje, fukarallëk.

Të ushtruar prej atyre me thes në shpinë dhe kujdestarëve të tyre që marrin prej këtij thesi pjesën e luanit. Qytetarët nuk duan të njëjtin model edhe nga ana tjetër e spektrit politik, nga opozita. Qeveria dhe “qelbësirat” e saj kanë dështuar dhe opozita nuk bëhet alternativë me ca të fortë më shumë, me ca të fortë të tjerë, apo ca të fortë që kalojnë gardhin politik e hidhen në kopshtin e opozitës, ku me farën e keqe që hedhin sot duan të korrin bereqet të madh nesër. Opozita bëhet alternativë me vendosmërinë e derisotme: përballë të inkriminuarve, njerëz me integritet; përballë dallkaukëve profesionistë; përballë arrogancës përulësi; përballë shurdhërisë një dorë mbështetëse; përballë papërgjegjshmërisë, seriozitet. Situata është dramatike.

Shqiptarët me zor sigurojnë jetesën, qeveria ngre godina luksi për ministreshat; shqiptarët pritën shëndetësinë e premtuar falas, qeveria u fal tendera 120 miliardësh klientëve të vet; shqiptarët kërkojnë rrugë, qeveria i vijëzon dhe ngjyros tabelat; shqiptarët kërkojnë siguri, qeveria u jep hurin-e-litarin policor; shqiptarët kërkojnë arsim, qeveria u garanton përbuzje; shqiptarët kërkojnë taksa më pak dhe shërbime për çka paguajnë, qeveria taksat ua rrit dhe radhët ua shton; shqiptarët kërkojnë jetë dhe liri, qeveria u lë alternativë vetëm arratinë.

Për gjithë këto arsye e të tjera më shumë, opozita duhet t’u japë shpresë dhe, për këtë arsye e hiç më pak, disa miqve që më shkruanin të ngazëllyer për këtë “ngjarje”, për Tomën që po ia tund themelet Ramës, më duhet t’ju them publikisht se opozita nuk mund të jetë një tjetër “aleancë qelbësirash’.

Shqipëria nuk mund të përqendrojë në një dorë të vetme pushtetin politik, pushtetin ekonomik dhe pushtetin kriminal. Nuk mund të lejojë që kufijtë mes të triave të shkrihen. Opozita e ka paraqitur ndërkohë alternativën e saj dhe e ka fituar betejën për dekriminalizimin me maxhorancën. Sikur asgjë tjetër këtë detyrim ua ka shqiptarëve. Pra, kurrsesi jo, një “aleancë e qelbësirave 2”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura