Opozita përballë vetes dhe të tjerëve në procesin e hapjes

Jun 28, 2020 | 9:03
SHPËRNDAJE

AGRON GJEKMARKAJ

Agron-Gjekmarkaj

Partia Demokratike dek laroi fillimin e një procesi hapjeje. Po ashtu, ajo publikoi një dokument të shkruar, teksti i të cilit dukej një risi me logjikë të fortë politike e juridike. Duke e përgëzuar këtë formacion në nismën e vet, pa e dekurajuar i kujtojmë se në Shqipëri, tash 30 vjet liri, janë miratuar pa fund platforma, doktrina, strategji, enciklika, të cilat i kanë ndihmuar qytetarët shqiptarë të përkufizojnë gënjeshtrën si thelb, propagandën si formë për të mbërritur te përbuzja ndaj politikës.

Përballë Lulzim Bashës rri si mal një sfidë e vështirë, tejet e vështirë, por jo e pamundur nëse ai do të jetë i vërtetë. Ai duhet të gjejë mesin e artë për të ndërtuar një parti dhe koalicion fitues, por njëkohshëm duhet të lexojë brengat e shoqërisë dhe mendimet e saj sesi ajo e dëshiron këtë parti, e cila, në rast fitoreje, do të mbajë përgjegjësinë politike e morale të qeverisjes.

Për Edi Ramën tanimë mund të thuhet që është një lider i fortë me tipare të skalitura autoritarizmi. Nën yrnekun e kësaj force, Partisë Socialiste, e cila dikur kishte organe dhe institucione një frymë të spikatur liberalizmi, ia ka hequr të gjitha duke i dhënë asaj një fizionomi leniniste të tipit “Lenini është Partia, Partia është Lenini”. Atë që i bëri kësaj partie, ia bëri edhe shtetit, i cili sot merr frymë për kapzerrin e tij me një qendër piramidale sundimi.

Përpjekja e parë e Bashës duhet të jetë në këtë drejtim riformatimi i Partisë për të ndërtuar institucione, që pikësëpari kufizojnë pushtetin e kryetarit dhe ofrojnë mbrojtje për zërat kritikë apo karrierat e tyre. Duket utopi në Shqipëri që shkakton zgërdhi kjo, por mostentimi i kësaj rruge i ka shndërruar partitë politike në taraf, në bahçe servilizmi, gëlojnë kopukët, trutharët, “besnikët”, për të cilët, më shumë se ligji apo Kushtetuta, vlen një rrahje shpatullash nga lideri, e cila nënkupton miradija në karrierë, pos ndonjë personi me integritet që duket si rastësi. Pastaj, kjo lukuni kap zyrat e shtetit, bëhen ministra, ndajnë tenderë, flasin gjuhën mushk në televizor, sikur bëjnë politikë të madhe, kapardisen si zymbyla sokaku dhe e bëjnë këtë vend të pabanueshëm, ku të gjithë duan të ikin si gërshetim i korrupsionit etik e material me paaftësinë profesionale. Nëse nuk ndërhyhet në këtë mekanizëm mbytës, tranzicioni nuk merr fund. Nëse Lulzim Basha nuk premton këtë e mbi të gjitha nuk e bën, nuk mund të sjellë ndryshim. Meqenëse nga poshtë nuk gjendet rruga e imponimit, le ta bëjë Basha nga lart duke zhgënjyer pozitivisht. Shembujt nga historia europiane nuk mungojnë. Le t’i kënaqë Basha tallësit e tij e të bëhet në sjellje politike “holandez”.

Shumica kërkon ndryshim, jo thjesht rrotacion. Kjo fillon si betejë me egoizmin personal, ndryshe nuk zhbëhet kjo histori hienash me majmunët spektatorë. Në këtë kontekst, lideri i opozitës duhet të bëjë konvertimet e veta, qoftë edhe në ndërgjegjen e tij.

Me këtë të fundit (rrotacionin) janë të kënaqur vetëm militantët, brejtësit, që nuk janë e njëjta gjë me militantët, një urdi që bëjnë llogari sa do të fitojnë, se si gratë e fëmijët e tyre do të sillen si këta të “rilindësve” sot e ndoshta si një pjesë e mirë e paraardhësve të tyre gjatë mandatit 2005-2013. Kësisoj, Basha duhet të përgatisë veten psikologjikisht që të mjaftohet me të qenit Kryeministër dhe kryetar partie e jo tiran i të dyjave. Ky është ndryshimi i parë i madh me Edi Ramën. Mentaliteti, me të cilën realizohet hapja, rregullat janë nën vrojtim. E dyta është cilësia e hapjes dhe gërshetimi i faktorëve elektoralë dhe propozimet përkatëse. Fushata aktuale për ekonominë duket frytdhënëse në impakt.

Në vitin 2017, shumë nga figurat historike të PD-së Basha i largoi jo për gabim, por për llogari. Disa prej tyre duhej të bënin një hap pas, për konsumim publik, jo të gjithë sigurisht. Basha e bëri këtë për të marrë nën kontroll partinë përtej kostove elektorale dhe ia doli.

Sakrifikoi shumë në imazh për të fituar pozitën. Tani e ka pozitën dhe duhet të sakrifikojë diçka prej saj për të fituar në imazh, duke i ftuar që të rikthehen dhe t’i bindë natyrisht ata që duan. Disa prej tyre, rikthimin në PD për të kontribuar ia kanë borxh kësaj partie dhe votuesve të saj e të tyreve që u dhanë pushtet, më shumë sesa Bashës si shef që u ka zënë karrigen. Por në këtë terren nuk luhet me të njohurën, por me të panjohurën, me të ndryshmen dhe cilësoren. Nga e njohura merret më e mira, më garantja dhe ndikuesja. E panjohura eksplorohet deri ku mundësia e lejon. Rikthimi i një të larguari është një ngjarje e nevojshme, por jo ngjarje e madhe. Po kaq, Basha ka detyrim ndaj atyre që ka në strukturën e Partisë e me të cilat ka bërë betejat opozitare.

Gjithsesi, ai e di që duhet ta kapërcejë sinorin e oborrit të tij, mbase më shumë se Berisha në vitin 2005, për të joshur e bërë për vete pjesën gri, të pakënaqurit e të zhgënjyerit nga qeverisja e Ramës dhe te kjo pjesë ndikuesit duhen kërkuar në sferat e botës akademike dhe elitave profesionale. Po kaq i duhet të ambalazhojë koalicionin e tij, i cili, në pjesë të madhe, përjashto Fatmir Mediun, dikur kanë qenë aleatë me Ramën, i takon Bashës dhe PD të krijojnë frymën teksa shton numrat.

Basha ka bërë disa beteja historike e unike, paçka se për to ka marrë edhe sulme e ndëshkime, por gjithsesi i ka bërë duke e kreshpëruar shpirtin opozitar, duke e karikuar për betejën fundore, situatë kjo, e cila, nëse bashkohet me një ekip gjurmëlënës, program konkret ekonomik, institucional e politik mund t’ia hedhin në erë urën, ku Edi Rama tenton të kalojë lumin drejt një mandati të tretë. Qytetarët i kanë shqisat e mprehta, e perceptojnë pa vështirësi të vërtetën dhe gënjeshtrën, politika i ka ndihmuar në këtë drejtim. Qeveria i ka gënjyer e shumë më tepër se kaq. Opozita duhet të ekspozojë të propozojë transformimin e së vërtetës dhe ta ndërtojë atë.

Romakët antikë, burra e gra plot sqimë e madhështi, niseshin në takimet me historinë sipas motos “forcë e nder”, së cilës opozita duhet t’i shtojë edhe “rregulla e cilësi” përmes së vërtetës. “Hapja” nuk duhet të përsërisë historinë e deritanishme, duhet ta mbyllë atë ndryshe, mbetemi në labirint, opozitarët në kurth dhe Rama në pallatin ndanë bulevardit.

*Ky artikull është ekskluzivisht për “Panorama.al’. Riprodhimi i tij nga media të tjera në mënyrë të pjesshme ose të plotë pa lejen e kompanisë do të ndiqet në rrugë ligjore.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura