Opozita, loja e forcës dhe besimi

Jun 1, 2018 | 10:07
SHPËRNDAJE

kadilliFATBARDH KADILLI

Një narrativë e neverit shme qarkullon herë në  të majtë e herë në të djathtë të aksit antiopozitar. Thelbi i saj është ta mbajë të përqendruar debatin publik rreth pikëpyetjeve për forcën e opozitës përballë maxhorancës dhe për besimin e qytetarëve tek opozita. Investohet shumë që kjo të jetë mundësisht kryefjalë e çdo diskutimi politik dhe gjithnjë e më shpesh përdoret si shpjegim për çdo gjë që nuk shkon mbarë në këtë vend. Kjo narrativë formulohet herë si sulm denigrues e herë si përqeshje nga vetë Kryeministri. Edhe më shpesh vjen me zhurmën që shkarkojnë bulçitë e fryra të rojave mediatike të maxhorancës.

Për fat të keq, çfarë është edhe më e shëmtuar, vjen edhe si iso nga zërat në mekje të politikanëve, që nderi dhe detyrimi ua donte të ishin në radhët e opozitës, por që kanë zgjedhur të ripropozohen në politikë me identitetin e antiopozitarizmit. Janë të tre këto kanale që shkarkojnë propagandë dhe cytje çorientuese për opinionin e gjerë, me synim zgjatjen e jetës së maxhorancës. Janë të vetëdijshëm për të gjitha mëkatet e kësaj maxhorance, por zgjidhjen e kërkojnë te sulmi mbi opozitën.

E gjitha përmblidhet në një tezë të vetme, si një thikë me dy tehe, opozitë e dobët, opozitë e pabesueshme. Si qenka e dobët opozita? Kjo opozitë fitoi kauzën e dekriminalizimit. U sakrifikua përballë dhunës së kriminelëve në Parlament. U përqesh nga Kryeministri tallagjar. U përpëlit mes moskuptimit dhe indiferencës së ndërkombëtarëve. Vetëm qëndrimi ekstrem, bojkoti i Parlamentit, që shkoi deri në prag të djegies së mandateve, e riktheu fituese në skenën politike.

Kjo opozitë imponoi një ligj të jashtëzakonshëm për të pastruar politikën nga krimi. Pra, ia doli. Dhe kjo është forcë e opozitës. Opozitë e dobët? Kjo opozitë bëri që të humbin mandatet më shumë se dhjetë deputetë dhe disa të tjerë t’i shpëtojnë turpërimit duke e lënë vetë mandatin, ose duke mos u kandiduar përsëri. Kjo opozitë bëri që të shkarkohet Elvis Rroshi dhe Kavaja t’i kthehet votuesit tradicional të djathtë. Dhe kjo është provë e forcës së opozitës. Kjo opozitë denoncoi projektin e Ramës për të kanabizuar Shqipërinë. Denoncoi zbatuesin e këtij projekti, Saimir Tahirin.

Denoncoi përdorimin e infrastrukturës ushtarake në shërbim të trafikut të drogës. Denoncoi përfshirjen e drejtpërdrejtë të drejtuesve të Policisë në shërbim të kultivimit dhe trafikimit të drogës. Për vite me radhë, Kryetallagjari qeshej dhe bënte të habiturin. Heshtje dhe nga ndërkombëtarët për këtë çështje.

E vetme dhe e moskuptuar, por me guxim, opozita shkoi deri në vetësakrifikim dhe imponoi që gjithë shoqëria, media, partnerët ndërkombëtarë të merren seriozisht me këtë fenomen rrënues. Nuk ka shqiptar dhe të huaj që nuk e ka kuptuar dhe pranuar që aleanca me krimin qe një projekt i Ramës. Opozita u shfaq përsëri fituese në skenën politike. Pra, ia doli. Dhe kjo është forcë e opozitës.

Ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, është nën hetim. Ministri i sotëm dorëzoi vëllain dhe ka mbetur si një i vdekur i pakallur në sheshin e politikës. Kjo opozitë denoncoi Balilajt dhe lidhjet e tyre me pushtetin. Kjo opozitë denoncoi ish-drejtorin e Rilindjes Balilin që sot është në kërkim ndërkombëtar si “Eskobari i Ballkanit”. Kjo opozitë denoncoi drejtuesit e Policisë që sot janë në arrati dhe hetohen për trafik droge. Këto fitore janë prej forcës së opozitës.

Si qenka e pabesueshme opozita? Për kë qenka e pabesueshme? Kauzat e dekriminalizimit dhe ajo e drogës janë bazuar mbi denoncimin e opozitës. Lufta me kurajë e sakrifica ka bërë që sot të kemi një listë të gjatë politikanësh, policësh e trafikantësh nën hetim. Kauzat e fituara, denoncimet e provuara të vërteta janë prova besueshmërie. Protestat e kësaj opozite kanë qenë të pakrahasueshme për nga pjesëmarrja me çdo opozitë të më- parshme. Kush ka kujtesë të dobët, apo të tjetërsuar nga emocionet, le t’i hedhë një sy kronikave të protestave në vite.

Protestat e kësaj opozite janë për nga forca dhe për nga qëndrueshmëria të pakrahasueshme. Cila opozitë ka mbajtur një protestë aq të gjatë sa sakrifica e demokratëve për 90 ditë e net në Çadër? Opozita marshoi në bulevard dhe të rinjtë po protestojnë dhe sfidojnë çdo ditë para Ministrisë së Brendshme. Janë disa seanca radhazi që opozita e ka bërë të paqenë maxhorancën në Kuvend. Dhe kjo është forcë. Kjo është provë e besimit. Për çdo njeri që gjykon ndershëm, mjafton vetëm përkitazi t’i kujtojë këto beteja të fituara nga opozita që të provojë të kundërtën e narratives për forcën dhe besueshmërinë e opozitës.

Me sa duket, kjo narrativë ka mbetur arma e vetme e maxhorancës. Me sa duket, kjo ka mbetur arma e fundit edhe për rojat mediatike të maxhorancës dhe isombajtësit e mekur. Përvoja na mëson se kur maxhoranca e kërkon përgjegjësinë dhe fajin tek opozita, provon se i ka shteruar edhe ideja më e vogël politike dhe se e ka humbur përfundimisht moralin për të qeverisur dhe e ka dorëzuar atë tek opozita. Kjo është fitorja e radhës e opozitës.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura