Opozita e opozitës dhe marrëveshja e marrëveshjes

Jul 24, 2020 | 10:40
SHPËRNDAJE

ARTAN FUGA  artanfugaa1 (1)

Unë vazhdoj ta përsëris.

Kush habitet se përse ndodhin gjëra të papritura, të çuditshme, kontradiktore, jo marrëveshja e 5 qershorit me opozitën jashtë institucioneve, jo marrëveshja e mëvonshme me deputetët jashtë opozitës reale, opozita e opozitës bëri marrëveshjen e marrëveshjes, le të vazhdojë të habitet, të bërtasë, të zhgënjehet dhe të mbetet pa mend nga fakti se pushteti bën dy marrëveshje të kundërta që i quan pjesë të së njëjtës marrëveshje.

Marrëveshja e mosmarrëveshjes. Dy marrëveshje që japin një mosmarrëveshje.
Dielli po lind!
Dielli po perëndon!
Janë dy pohime të kundërta. Jo?
Ose njeri, ose tjetri.

Joooooo! Nëse njëri thuhet në mëngjes, në agim, dhe tjetri në të ngrysur, në aksham, të dyja pohimet kontradiktore mbeten të vërteta.

Sa ta kuptojnë këtë logjikë, kaluan edhe katër vite të tjera. Shtyn Shqipëria prej dhjetëra vitesh historinë e saj, duke menduar se edhe pak e do t’ia mbërrijë. Do arrinte në komunizëm ku të gjithë me lugë në brez do të hanin e pinin, aheng gjithë dita. Poooooor, duhej një fazë kalimtare… Diktatura. E prit e s’ka dhe prit e s’ka.

Edhe tani Zvicër do të bëhet. Do të bëhet vetë. Ne mjafton të presim që atë luftën ta bëjnë të tjerët. Por ja na duhet një fazë tranzicioni. Sa? Të shohim, dyqind a treqind vjet.

Fitoren e kemi në xhep, por hëpërhë hamë këtë llokumin: Dy marrëveshje kontradiktore nuk qenkan përjashtuese sepse janë adaptuar me dy aktorë politikë të ndryshëm.

Si i tha ai njeriu Zarathustrës, që po fliste në mal: O Zot i madhërishëm, fjalët tuaja janë margaritarë, por një pyetje kam. Pak përpara një turme njerëzish u the disa fjalë të arta. Ikën ata. Erdhën një palë të tjerë. Edhe ata i habite. Por vura re që fjalët e para ishin kontradiktore me të dytat.

-E ku është problemi, o njeri! – i tha Zarathustra i madh.

Unë u kam folur dy turmave të ndryshme. U kam folur sipas gjuhës që secili nga grupet kuptonin.

Më ra goja duke thënë: Aty te Pallati i Kongreseve, aty është zjarri. Mos shihni tymin, por zjarrin. Aty luhej teatri, komedia, drama, tragjikja.

Pse Këshilli Politik është kthim në institucione?

Ku është shkruar Këshilli Politik në Kushtetutë?

Apo herë e duam, herë nuk e duam kushtetutshmërinë?

Por, ka ende kohë për të kuptuar. Ndryshe do të presim të bëhemi si Zvicra. Mjafton të qëndrojmë në ajër dhe Toka duke u rrotulluar na çon në Bazel.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura