Opozita e “mbetur” për vjeshtë

Jul 26, 2015 | 18:50
SHPËRNDAJE
BISLIM AHMETAJ
BISLIM AHMETAJ
Të dyzetat e “heshtjes” së opozitës pas humbjes së trishtueshme të zgjedhjeve të 21 qershorit u mbushën. Sipas kodit moral të shqiptarëve, pas të dyzetave mund të “hapet” goja, jo vetëm brenda shtëpisë, por edhe më gjerë. Kanë lindur shumë pyetje, të cilat kanë aftësinë që edhe po të mos marrin përgjigje, të mbijetojnë si pyetje.

Përgjigjet, edhe pse mund të mos jenë aq të plota, gjithsesi ndikojnë në shuarjen e kureshtjes dhe mbajtjen nën kontroll të shëndetshëm të nivelit të adrenalinës te simpatizantët dhe ndjekësit e Partisë Demokratike, po aq sa do ta “ndihmonin” edhe maxhorancën të kuptonte se sa e padobishme është për të dhe për vendin fitorja e 21 qershorit, fitore që ka tronditur themelet e pluralizmit politik në këtë përvjetor të rëndësishëm të tij.

Në këto dyzet ditë, edhe pse nën pushtetin e “heshtjes”, nuk është se nuk u fol për zgjedhjet e 21 qershorit, por më të shumtit që kanë folur, kanë qenë projektuesit e kësaj humbjeje të opozitës në përgjithësi dhe të Partisë Demokratike si zemra e saj, zemër që me sa duket po vuan nga një aritmi kritike.

Përveç Jozefina Topallit, zërat e tjerë kundër kanë qenë të zbehtë, pa nerv, pa jetë, pa kurrfarë kuptimi. Në të dy kafet majtas dhe djathtas selisë së PDSH-së, përditë derdhet nga një kazan me akuza dhe kundërakuza, me lëvdata dhe anatemime, me analiza dhe ballafaqime, me sharje dhe fyerje, me emra dhe pseudonime.

I kisha dhënë fjalën vetes sime që, pa u mbushur të dyzetat e kësaj humbjeje shpartalluese s’do ta hapja gojën, edhe pse kam pas nxitje dhe indicie të përditshme nga gazeta dhe media televizive. Sigurisht që kam menduar që do të na krijohej mundësia që të flisnim hapur midis njëri-tjetrit në Këshillin Kombëtar të PDSH-së, por kjo derë u mbyll me një deklaratë të kryetarit të PD-së ku u tha që “analiza do të bëhet në vjeshtë”.

Shumëkush e perifrazoi këtë deklaratë me: “Opozita mbeti për vjeshtë”. Të “mbeturit për vjeshtë” do të ishte gjysma e së keqes në kuptimin e kësaj shprehjeje për studentët, por me çka shihet, opozita mund ta humbë vitin dhe më keq akoma, mund ta humbë edhe “fakultetin”. ANALIZË APO BALLAFAQIM Në aspektin politik, parametrat dhe standardet mbi të cilat mund të shtjellohet një analizë e faktorëve dhe rrethanave që e çuan opozitën në këtë humbje e kanë humbur fillin që në verën e vitit 2000.

E përmend këtë kohë pasi shënon periudhën ku shkalla e demokratizimit të Partisë Demokratike, por jo vetëm, arriti kulmin e vet, sintetizuar kjo në konventat për zgjedhjen e kandidatëve për kryetarë të komunave dhe bashkive të vendit me parimin një anëtar, një votë.

Pa dyshim që kjo kohë preku kulmin e demokratizimit të jetës së brendshme të partive në Shqipëri dhe mbetet një prej kujtimeve më të çmuara pas dhjetorit të 90-s në aspektin e demokratizimit të jetës së partive dhe për pasojë, edhe të shtetit që drejtohet e ndërtohet prej tyre kur ato vijnë në pushtet. Qysh prej asaj kohe, këtu e 15 vite të shkuara, demokracia partiake dhe ajo shtetërore nuk ka hedhur asnjë hap para, përkundrazi, pa u hyrë labirinteve 15-vjeçare. Partitë, ku përfshihet dhe

PD-ja, janë zhytur më thellë në autokraci, demokraturë, sisteme të mbyllura të ngjashme me ato që po eksperimenton Putini. Në nëntitull të kësaj kaptine jo pa qëllim kam vënë togfjalëshin “analizë apo ballafaqim”, pasi më e pakta që pritej nga lidershipi humbës i zgjedhjeve vendore ishte thirrja e një mbledhjeje të Këshillit Kombëtar të kësaj partie me ketë rend dite: a-T’i kërkohej falje këtij forumi të lartë (më i larti mes dy kuvendeve sipas statutit) për arsyen më të thjeshtë që nuk është thirrur në respekt të statutit para fillimit të zgjedhjeve vendore për të miratuar kandidaturat për kryetarë të 61 bashkive të vendit. b- T’i kërkonte falje këtij forumi për emërimin e koordinatorëve (kësaj shpikje á la KOP) dhe grupeve të punës të emëruara kafeve dhe kulisave që udhëhoqën këtë humbje dëshpëruese. c- T’u kërkonte ndjesë publike anëtarëve dhe anëtarësisë së PDSH-së që u futën në një fushatë elektorale (e para në historinë e ndarjes së re administrative) pa një program elektoral, qoftë kjo edhe një broshurë e printuar me dy apo tri faqe.

Në këtë mbledhje të munguar mund të flitej edhe për performancën e ulët të lidershipit të PDSH-së në qendër dhe në rrethe, por kjo mund edhe të injorohej dhe t’i lihej asaj që do të vinte nga ballafaqimi me bazën e partisë.

Partia Demokratike dhe lidershipi i saj duhet të ballafaqohej në këtë gusht të nxehtë me ata që e kanë ndjerë deri në asht humbjen e zgjedhjeve lokale të 21 qershorit dhe jo ta linte këtë aksion për në vjeshtë, pasi jam i sigurt që, në mos qoftë strategji e ligë dhe e koordinuar me çiftin Rama–Meta, çka s’dua ta besoj, kam frikë se në vjeshtë analizat dhe ballafaqimet me bazën e Partisë Demokratike, Lulzim Basha dhe lidershipi i tij do të mund t’i zhvillojë vetëm në Gjermani, Francë, e vendet e tjera të BE-së, ku qytetarët po ikin për azil.

HAP PARA APO HAP MAJTAS

Në daljet për mediat të Lulzim Bashës, por edhe të ndonjë koordinatori apo sekretari, është deklaruar se zgjedhjet shënuan rritje të konsiderueshme të votave të opozitës dhe ulje të votave të maxhorancës. Në këtë pikë s’dua të harxhoj shkronja as për gazetën, as për gishtat e mi; Zgjedhjet lokale i fiton ai që fiton, një votë më shumë për kryetarin dhe një këshilltar më shumë për këshillin e bashkisë, kështu e ka edhe ligji, por edhe ai, “Maliqi”, që politikajtë tanë e kanë më në qejf se ligjin. Çka do të thotë që PDSH dhe opozita kanë humbur ose kanë thelluar humbjen në çdo skaj të Shqipërisë.

Kjo humbje në aspektin historik është shumë më e dëmshme dhe më dëshpëruese se humbja e një palë zgjedhjesh parlamentare, po të konsiderojmë që janë zgjedhjet e para me ndarjen e re administrative. Dhe një kryetar bashkie (p.sh. i Tiranës) është i përafërt me mandatin e 20-30 deputetëve. Llogarisni se çfarë dëmi u është bërë politikisht opozitarëve në Durrës, Elbasan e gjetkë me ruajtjen e posteve të Dakos e Sejdinit, apo me ardhjen në krye të një milion banorëve të Erion Velisë. Dy bejlerët e qyteteve të Elbasanit dhe Durrësit kanë rritur zotërimet, ndërsa Erioni i Veliajve është bërë Pasha i Vilajetit të Tiranës!!!

Po flas me termat e Perandorisë Osmane pasi kthimi prapa është spektakolar. Sa të vështirë do ta ketë Partia Demokratike t’i “çlirojë” këto zotërime nga bejlerët e rinj të ndarjes së re administrative? Në këtë aspekt opozitës, veçanërisht Partisë Demokratike dhe lidershipit të saj, i ka munguar vizioni dhe strategjia që në krye të herës kur ka abandonuar reformën territoriale dhe më pas e ka pranuar atë, ashtu mavi, siç e kishin projektuar Rama dhe Meta. Vetëm ky arsyetim për mua si një anëtar themelues i PDSH-së, do të ishte i mjaftueshëm për t’u kërkuar ndjesë anëtarëve të Partisë Demokratike, të gjithë opozitarëve, të paktën ndjesë, s’po ju thotë kush të jepni dorëheqjen, këtë akt të harruar.

LIDERSHIP I DËSHTUAR APO LIDERSHIP I MUNGUAR

Para dy viteve, kur në krye të PDSH-së erdhi Lulzim Basha me parimin “një anëtar, një votë” dhe me mbështetjen e parezervë të Sali Berishës, kam pas shkruar një shkrim në gazetën “Panorama” ku theksoja se “Partia Demokratike ka nevojë për ‘lidership’ dhe jo për ‘lider’. Thënë ndryshe, kishte atëherë e ka edhe tani nevojë për ekip dhe jo për udhëheqës”. Në atë shkrim kisha parasysh zotin Berisha që, me të mirat dhe të metat e tij, më së paku udhëheqës ishte dhe po të dojë, i tillë do të mbetet për një kohë të gjatë ndër shqiptarë -duhet ta bëj të qartë këtë fjali deri në fund- Berisha do të mbetet udhëheqës i madh, në qoftë se nuk do të merret më me politikën e ditës. Sipas meje, zëvendësuesi i tij i zgjedhur më shumë me mbështetjen e të parit, se me parimin “një anëtarë, një vote” do të kishte nevojë të grumbullonte rreth vetës njerëz me përvojë, me histori, me eksperiencë, me reputacion, që të ndërtonte një ekip që do t’i nxirrte në

pah aftësitë e tij si lider dhe të Partisë Demokratike si forcë politike konkurruese, me histori suksesesh dhe dështimesh përgjatë këtyre 25 viteve të pluralizmit politik në vend. Prej dy vitesh opozita dhe lidershipi i ri i saj, përveçse është sistemuar në një “shtëpi të re”, nuk ka fituar asnjë “betejë” në rrafshin politik që të inkurajojë apo stimulojë përkrahësit e saj, që ata të rriten, të motivohen, të shpresojnë dhe të shndërrohen në alternativë besimi për qytetarët e Shqipërisë, që po i ikin këtij vendi si natës së varrit. “Është më mirë të marrësh një vendim të gabuar, se të mos marrësh asnjë vendim” – kjo është një aksiomë e njohur.

Kështu që, në vjeshtë, do të ishte mirë së pari t’i kërkohej falje anëtarësisë së PD dhe opozitarëve të shumtë, së dyti t’u paraqitej atyre një plan dhe strategji konkrete për të ardhmen e opozitarizmit. Alternativë që duhet konsideruar seriozisht kësaj vere të nxehtë, është edhe hapja rrugë e votimeve të lira që demokratët dhe opozitarët e këtij vendi të mund të votëbesojnë ose të rizgjedhin lidershipin që duan.

A DUHET SHPRESUAR MË TE PD-JA?

Shumëkush përgjatë këtyre kohëve ia ka bërë këtë pyetje vetes. Njëri prej tyre kam qenë edhe unë. Kam takuar dhe më kanë pyetur dhjetëra anëtarë dhe simpatizantë të vjetër dhe të rinj të opozitës. Ndër këta njerëz të shqetësuar, të shumtët kanë qenë ish-studentë e pedagogë të grumbulluar rreth Grupimit “Dhjetor 90”, kjo bashkësi idealistësh që për mbi dy dekada i ka besuar, shpesh-herë edhe verbazi, PD-së si bijëza e lindur prej Lëvizjes së tyre në Dhjetor të 90-s.

Më kanë pyetur shumë njerëz prej shtresës së të përndjekurve politikë (së cilës i përkas edhe unë), të cilët për 25 vite e kanë mbështetur pa asnjë ekuivok PD-në edhe pse kjo e fundit ka bërë shumë më pak seç ka pas mundësi. Duhet apo nuk duhet besuar më te Partia Demokratike e Shqipërisë? Sigurisht që s’e kam pas aspak të lehtë t’u jap një përgjigje të prerë. Një mal me dyshime rrinë pezull pas kësaj humbjeje dhe mungesës së reflektimit serioz ndaj saj nga lidershipi i PDSH-së. Tundimi që t’u përgjigjem: Po duhet besuar! – më tërheq pamëshirshëm.

Por, që t’u jap këtë përgjigje duhet së paku që Lulzim Basha ta thërrasë urgjentisht Këshillin Kombëtar të PDSH-së dhe të ndajë me të me zemër në dorë të gjitha shqetësimet e anëtarëve të saj. Të kërkojë ndjesë për stilin autokratik që po investon në drejtim të Partisë Demokratike dhe të lërë të hapur opsionin për thirrjen e kuvendit të jashtëzakonshëm të kësaj partie në shtator, kur ka lajmëruar nisjen e analizës. Duhet të na jepen të paktën këto mundësi që të mund të vazhdojmë të mbajmë gojën hapur për t’u thënë njerëzve që Partia Demokratike është alternativë konkurruese dhe serioze për shqiptarët. Në qoftë se nuk jepen së paku këto shenja nga lidershipi i PD-së, vjeshta kam frikë se do ta gjejë godinën buzë Lane të PDsë në një ngrehinë ku mund të lexohen tabelat “jepet me qira”, ose “shitet”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura