Opozita dhe mjerimi përballë maxhorancës

Jun 30, 2015 | 12:05
SHPËRNDAJE

FATBARDH KADILLI

    Kur pritja dhe kërshëria për rezultatin zyrtar të votimit të datës 21 qershor ua la vendin komenteve, opinioneve dhe gjykimeve të folësve publikë, të komentatorëve televizivë, të opinionistëve dhe artikullshkruesve, me keqardhje kam konstatuar se gjithçka po vërtitet rreth opozitës, rreth suksesit apo dështimit të saj. Kjo dëshmon edhe një herë se te ne është më lehtë t’i biesh opozitës, sesa të qëndrosh përballë së keqes. Më tepër sesa me çështjet jetike të interesit publik, opinioni dendet me lojë pushteti. Kush fitoi? Sa fitoi? Kush del i pari e kush i dyti? Kush u rrit, e në kurriz të kujt u rrit? Zgjedhjet janë vërtet garë për pushtet dhe këto pikëpyetje janë çështjet që duhet të analizojnë partitë. Natyrisht opozita ka pjesën e saj të llogarive dhe detyrave të saj të shtëpisë. Por, përtej rezultatit, pasi tek e fundit dikush do të fitojë dhe dikush do të humbasë, shoqërisë i intereson çështja më themelore – zgjedhjet. Për qytetarët ka rëndësi më shumë të dinë a ishin këto zgjedhje realisht instrumenti, mundësia që ka ky sistem për të funksionuar.
Debati sa u ngrit opozita, a hodhi vërtet një hap të rëndësishëm ringritës, apo hapi nuk qe aq i madh, ngado që të ushqehet, i shërben vetëm largimit të vëmendjes nga fenomeni i degradimit të zgjedhjeve si mundësi e qytetarëve për të shprehur vullnetin e tyre, për të deleguar vullnetin e tyre qeverisës në duar të besuara.

Nuk kam asnjë qëllim që të evitoj kritikën ndaj opozitës me këtë qëndrim. Opozita do ta analizojë vetë ku funksionoi e ku nuk funksionoi si organizatë dhe si frymë. Do t’i analizojë pa pasion, pa emocione pse-të e rezultateve të mira dhe atyre të dobëta. Por, kjo nuk mund të na kompleksojë që të kthehemi si murgj që thuprojnë veten se s’janë aq të pastër sa duhet për parajsën dhe të lëmë në mes të udhës misionin që ka vërtet një opozitë – qëndrimin për vlerat e demokracisë dhe lirisë, mbrojtjen e sistemit nga deformimet e pushtetit. As paragjykimi aq shumë i përhapur se humbësi gjithnjë qahet e ankohet, nuk duhet të jetë pengesë për ne si opozitë që të denoncojmë fort kërcënimin me vdekje që u vjen zgjedhjeve nga maxhoranca e sotme.
Sot shoqëria duhet të jetë e shqetësuar, madje në alarm, jo se një opozitë nuk fitoi, por se pushteti u mbajt me çdo mjet, me çdo çmim nga një maxhorancë që nuk mundësoi garë të drejtë e të ndershme dhe që duket se nuk ka ndërmend të ndryshojë kurs. Sot shoqëria duhet të jetë në alarm se disa bashki qartazi nuk i fitoi thjeshtë e majta, por banditë në aleancë me të majtën. Analistëve dhe komentuesve do t’u kujtoja se para se të shfaqen të impresionuar nga harta mavi e Shqipërisë sot, është mirë që disa bashki, të cilat i dinë shumë mirë se cilat janë, t’i ngjyrosin me të zezën e mafies. Fakti që edhe përkundër denoncimeve të opozitës, përkundër gjithë paralajmërimeve të ndërkombëtarëve, maxhoranca detyron qytetarët të votojnë njerëz nga bota e krimit, është gjëja që duhet të alarmojë këdo qytetar që ka qoftë edhe një angazhim minimal për çështjet jashtë derës së shtëpisë. Fakti që kjo maxhorancë nuk pyet as për letrën dhe ftesën e hapur të ambasadorit amerikan, tregon sesa larg ka shkuar ajo. Sot ne jetojmë të qeverisur nga një maxhorancë në armiqësi me SHBA-të dhe me vlerat e saj. Kjo nuk është ajo që kanë kërkuar dhe brohoritur shqiptarët.

Fakti që një supermaxhorancë krijon një superkoalicion duke blerë së pari parti “administratë”, duke u dhënë atyre drejtori dhe zyra “me lekë”, çfarë s’është as më pak e as më shumë se legjitimimi i korrupsionit, duhet të ishte sirenë alarmi për këdo që dëshiron të jetojë në një vend demokratik, ku ka role të ndara maxhorancë dhe opozitë dhe këto role i cakton sovrani me votën e vet e jo merkatoja politike. Me këtë grykësi pushteti u blenë segmente të dala nga vota e opozitës. Me këtë grykësi Idrizi i PDIU-së ia doli ta shndërrojë kauzën e çamëve në një listë “drejtorish me lekë”.
Fakti që një supermaxhorancë krijon një superkoalicion me të majtë e të djathtë dhe përsëri blen vota, është një makth për jetën politike të vendit. Që në kutitë e para kam denoncuar mekanizmin e kontrollit të votës së blerë nëpërmjet shenjave të paracaktuara në fletën e votimit. Kjo është pikëpyetja për opinionin sot. A kemi zgjedhje, apo tender votash? A mos vallë pandjeshmëria ndaj varfërimit të shqiptarëve është një llogari cinike se sa më të varfër të jenë, aq më lirë do ta shesin votën?

Fakti që vota politike trafikohet pa asnjë rregull dhe asnjë shpjegim të arsyeshëm, është një tjetër deformim që duhet të alarmojë shoqërinë. Opinioni, në vend që të dendet me rritjen e partive të vogla që na u bënë të mëdha, duhet të ndriçohet për mekanizmin që përdorin këto parti. Që Ilir Meta kërkon të prodhojë imazhin e burrit të fortë e me karakter, që PO-në e paska PO dhe JO-në, Jo, është në të drejtën e tij. Por, është mjerim i madh kur folësve publikë u ikën zëri dhe nuk guxojnë të thonë se këto vota blihen duke trafikuar së pari votat brenda koalicionit, duke blerë votat nga mbështetja politike e aleatit të madh dhe kjo është veçse pabesi dhe paburrëri. Paturpësisht quhet një forcë politike në rritje se ka natyrë pragmatiste, që merret me problemet e njerëzve. Qëllimisht injorohet fakti se këto “probleme” janë vende pune në administratë. Se këto vende pune paguhen me taksat e shqiptarëve. Ky nuk është pragmatizëm, por klientelizëm i pastër.

Fakti që LSI del forcë e parë, apo e dytë, ka pak rëndësi për qytetarin e këtij vendi. Por, ka rëndësi të thuhet e rithuhet se kjo parti ka rekordet më të këqija të presionit mbi administratën dhe të keqpërdorimit të pushtetit. Nxin në këtë garë rasti i Vorës. Por ka edhe më keq. Personazhe kryesore të kësaj partie deklarojnë hapur se u kanë mbajtur rrogat e 1-3 muajve nëpunësve të shtetit, gjoja anëtarësisë së tyre, për të financuar fushatën. Ne kemi vuajtur nga fenomeni i futjes së militantëve në administratë, por kësaj here është vendosur një rekord edhe më i keq. Sot maxhoranca e ka kthyer administratën dhe nëpunësit e shtetit në militantë të detyruar dhe financues të detyruar të fushatave të saj. Një fenomen i papranueshëm, që nuk shkel vetëm etikën dhe standardet politike, por shkel ligjet e vendit dhe Prokuroria duhet të ndërhyjë.
Në këtë garë pamë maxhorancën që të kërcënonte garuesit njësoj si në një semidiktaturë, njësoj si në botën e mafies. Pyetja e rëndësishme për publikun nuk është kush fitoi e kush humbi, por cili nga kandidatët u intimidua me kallëzime në Prokurori. Në Vlorë, Shpëtim Gjika u bë shembulli më tipik se si e pëson kur i zë rrugën maxhorancës. Shembulli shërbeu për të nënshtruar disa kryebashkiakë të majtë. Por, në listën e atyre që duhet të kërcënoheshin me burg ishin edhe disa kandidatë të opozitës. U sulmuan me këtë mekanizëm tipik mafioz kandidatët, pretendentë për kandidatë të opozitës dhe qoftë edhe mbështetës të tyre në Sarandë, Gjirokastër, Korçë, Durrës, Kamzë, Vorë etj. Kjo nuk ka ndodhur as në vitin 1991, ndaj shoqëria duhet të alarmohet.

Në këtë garë pamë Kryeministrin të kërcënonte me gjenocid shqiptarët që do të votonin kundër. Hapur dhe disa herë u kërcënuan qytetarët se po të fitonin kandidatët e opozitës, qeveria nuk do të mbështeste me fonde. Përndjekja kolektive për shkaqe politike është gjenocid. Kryeministri i quajti budallenj gjithë ata që mendojnë ndryshe nga ai dhe votojnë kandidatët e opozitës. As kjo nuk ka ndodhur kurrë në demokracinë tonë. Nga tradita e keqe e denigrimit të kundërshtarit, u kalua në denigrimin e popullit opozitar.
Një supermaxhorancë me një superkoalicion intimidoi deri në fund çdo media, madje kërcënoi edhe të vetmin zë e të vetmen dritare të hapur për opozitën. Kjo është një kambanë alarmi që bie para se të bjerë kambana e vdekjes për lirinë e medias. Kjo është çështje themelore për gjithë shoqërinë saç është për median vetë.

Këto janë çështje të interesit publik, shumë herë më tepër se rezultatet e opozitës. Fakti që folësit e shumtë publikë, ata që kanë marrë përsipër të flasin në emër dhe në interes të të tjerëve, zgjedhin t’i injorojnë, ose t’i trajtojnë sipërfaqësisht këto çështje, tregon traditën e keqe të raporteve të komprometuara me pushtetin që dominojnë kulturën tonë. Ky është mjerimi përballë maxhorancës. Ky mjerim është i kundërti i opozicionit, qoftë dhe si oponencë. Fatkeqësisht, në Shqipëri janë të shumtë ata që ndodhen në opozitë se i përjashton pushteti dhe jo se kanë zgjedhur apo vendosur me vetëdije të qëndrojnë në opozitë.  
Ndaj, këto janë çështje thelbësore që i takon t’i mbrojë opozita politike e në radhë të parë PD. Por bashkë me ringritjen e saj, PD duhet të marrë rolin që i takon, në radhë të parë në garantimin e zgjedhjeve. Këto çështje thelbësore dhe aksioni politik i PD-së duhet t’i bëjnë ato çështje të gjithkujt, që më shumë se rezultatin e një gare, vlerëson lirinë për të zgjedhur dhe shëndoshjen e mekanizmit të zgjedhjeve. Dhe këtu hyjnë të gjithë shqiptarët. Kjo është opozita.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura