Universiteti Luarasi
Panorama Sport
Home » Opinion » Letër e hapur për turizmin

Letër e hapur për turizmin

ZAK TOPUZI

Vendosa dhe unë të bëj një letër te hapur, qameti të bëhet. E çfarë kanë të tjerët me tepër? Kam dhe unë nja dy ofiqe qe do t’i shtjelloj më poshtë e mund te quhem i rëndësishëm në turizëm. Ndoshta Zoti i madh më dëgjon e fjalët e mia, ua çon ne vesh atyre që duhet t’i…dëgjojnë. Jo se nuk kam folur me parë, por ndoshta në ketë moment pauze politike ata që duhet t’i dëgjojnë, janë më të lirë e ju hyn nga njëri vesh e nuk ju del nga ana tjetër. Zot, na ke falur pasuri natyrore pa fund e bregdet ekzotik  ne Jug. Por na le të varfër e më të varfër nga mendja. Na trajton si arabët, që ju ke dhënë naftën e ju le mjerimin e sherrin midis tyre. Shtjerja në vesh Presidentit të nderuar të mos dekretojë zgjedhje lokale në verë, se këta lokalët i turren karriges e lënë punët e stinës. Nuk pyesin për detyrën që  kanë e detyrimet ligjore ndaj banorëve te tyre, madje dhe të atyre që u kërkojnë votat. I lanë këtë vit plazhet me plehra e mbinë ndërtimet pa leje  ngado. Zot, na ndihmo të shpëtojmë nga kjo marrëzi kolektive! Zot, shtjerja në vesh Kryeministrit që Ministrinë e Turizmit ta bëjë edhe zv.kryeministër (le t’i bëjë të dyja), se vetëm kështu mund të kthehet në realitet slogani: “Turizmi, industri prioritare”. Dërgo një këshilltar te huaj për turizmin e me mjekër te bardhë, (do të ishin më mirë dy) që të mos ketë mundësi të vendosë veton kur votohen vendime për turizmin. Duhen detyrimisht të huaj. Dëgjoj që po ulen taksat e po hiqet TVSh-ja në biznese të tjera. Po ne, lopa na ka bërë që jemi të penalizuar në rajon, me taksa deri 300 % më të larta në turizëm? Zot, si të arrijmë t’ua shpjegojmë?! Ministri në janar na premtoi ne Konferencën Kombëtare se do ta ulë TVSh-në në 8% (t’i afrohemi të paktën Malit të Zi që e ka 7%), se Francën me 5.5 % nuk e arrijmë dot. E dëgjuan dhe ndërkombëtaret që ishin në konferencë, mbajtën shënime, e botuan dhe gazetat. Zot, futu në vesh një fjalë atyre që duhet! Nga 27 vendet e BE-së, 24 vende, si dhe gjithë rajoni, TVSh-në e kanë më pak se 10% në turizëm. Po ne, pse duhet ta kemi 20 % e 5 % taksën e fjetjes?! A e dinë ata që duhet ta dine që turizmi është eksport dhe nuk duhet taksuar? Po që turizmi siguron deri 50% të të ardhurave të eksportit dhe ka mbi 160.000 të punësuar? A e dini se Maqedonia e jep tokën me 1 euro, vetëm ndërto për turizmin e nuk shkon njeri të ndërtojë, se dhe ata e kanë TVSh-në 18%? Industria hoteliere e ka koston fikse 36% e, po t’i mbledhësh të gjitha, shkojnë mbi 70% vetëm  shpenzimet. Pa le, që do njerëz të dinë të shërbejnë e t’u bësh trajnime, pa i do dhe me gjuhë të huaj, por të punojnë vetëm dy muaj, i do dhe me figuracione(!) Po gjen budallenj të tillë sot, më thoni?! Bota e ka shtrirë sezonin 8 muaj dhe pjesën tjetër i paguan me 70% të pagës e i lë të marrin veten nga lodhja. Prandaj turizmi nuk do ministri me katër përbërës. Edhe unë shpesh harroj ta them emrin të tërë: “Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë e Sporteve”. Nuk mbeti ndonjë sektor tjetër, se do ia kishin  bashkëngjitur.  Zot, na mëso si te shpëtojmë nga plehrat e ujërat e zeza! Boll me, besoj duhet të jetë e lehtë derisa e gjithë Europa nuk i ka këto probleme.
Nuk besoj se duhen trajnime e shkollë, se po të ishte e nevojshme, dhe master do te bënim, shkollën e kemi merak. O Zot, fryji në vesh popullit të ngrihet e t’u japë një dru të mirë pushtetarëve lokale, po nuk i larguan plehrat, se vetëm kjo ka mbetur, të mos ngrihen vetëm kur i thërret partia. Shtjeri në vesh Kryeministrit të bëjë 100 km më pak rrugë fshatrash e t’i kthejë në
kanale të ujërave të zeza në zonat bregdetare. Nuk besoj se do ankohen katundaret, le t’ua shtyjë një vit. Janë mësuar ata me rrugë të pashtruara,
kanë një jetë të tërë. Vitin tjetër dhe vëllezërit nga Kosova nuk do të vijnë më, po të jetë kjo gjendje. Më kanë zgjedhur këto gjashtë muaj të drejtoj Shoqatën Ballkanike të Hoteleve BAHA, më kanë dhëne presidencën e radhës si i thonë, të na rritin personalitetin. Si t’u ndihmojmë më shumë, më thanë. Po shkruajmë në revista, gazeta e site profesionale, sa nuk kemi shkruar as për veten tonë, ju po bëni prapa. Për turizëm nuk mendon njeri, nuk keni hotele  që t’ju sjellim autobusë e çartera me turistë, ju nuk keni bërë ende studime, na thonë. Kush vjen te shpenzojë? Ju ta miratoni studimin pjesor e pastaj përpara, të ndërtoni pallate, nuk e hamë ne, shikoni mos gjeni budallenj të tjerë. Pastaj, ju po ndërtoni sërish pa leje. Do lini ndonjë copë tokë për
të bërë hotele apo resorte që qeverisë t’i dyfishohen të ardhurat? Zot, ke bërë mirë që na i le lëmsh deri tani problemet e pronave në Jug, por mjaft më,  duhen zgjidhur pasi po vritemi si ne mesjetë. Na ndihmo ta zgjidhim e të fillojnë te ndërtohen hotele e resorte turistike si në gjithë boten, jo vetëm rezidenca imobiliare. Janë dhe në masterplanin ekzistues. Madje, duhet të ndërtohen mbi 150 hotele deri në 2012-n dhe 2900 shtretër me 5 yje. Nuk behët turizëm me rezidenca e vila. Këta qe i blenë i lënë bosh, se u mungon ”koha” e kultura. U bë modë, bli shtëpi në plazh, Vlorë e Sarandë e lërua kalamajve në prikë, se as dinë t’i përdorin, as i shesin dot, kaq shumë janë  ndërtuar. Ka filluar dhe Himara e Dhërmiu në Jug, si duket Vasili i Omonias e nuhati që nuk do zgjidhej dhe e mbushi me leje ndërtimi si në qytet,  pavarësisht se ka një studim e ky te kufizon me traditën e zonës. Siç duket, kryetaret nga Jugu kanë imunitet grek e nuk i zënë ligjet shqiptare. Zot të lutem, bëj si të bësh e na jep edhe ketë herë dorën, mbushja mendjen politikaneve e fryju në vesh të ndërmarrin një “Pakt Politik” e të bëjnë një ”Masterplan të Përgjithshëm për Turizmin”, se do prishin dhe malet. Lëri të bëjnë ca hile, ta ulin vijën e ndërtimit më afër detit, se ndryshe mos prit të bien dakord. Se dhe këta ndërkombëtarët nuk i thonë gjërat copë. Vetëm ne na thonë ndërtoni 200 metra mbi vijën e ujit, se duhet mbrojtur ambienti e për vete ndërtojnë deri në det. Kështu me tha Kryetari i Bashkisë së Kanës në Francë, më 2001. E mbajta shënim si postulat. Mos ndërtoni afër detit, lëreni të virgjër, mos përsëritni gabimet tona – tha, mësoni nga to. E thashë me vete, sa bukur foli, e tetë vjet citatin e tij e vendosa ne zyrën time me germa të mëdha, e nuk lashë njeri pa ia thënë, e thashë dhe në ca leksione tek studentët. U çudita shumë, Zot, kur vajta përsëri në Kanë, në 2009. Nuk u besoja syve. Jo vetëm kishin vazhduar të ndërtonin, por disa vila ishin ndërtuar deri në shkëmbinjtë e detit. Vërtet ishin të milionerëve, po ata
duhet të japin për vete shembullin e mirë. Ju kështu na mësoni. Shtjerua në vesh ndërkombëtareve të ndërhyjnë për turizmin, do ishte mirë që tre ambasadorët të merren vetë, se vetëm ata e qajnë ketë punë, si zgjedhjet e 8 majit. Ndryshe, mos prit të katranosim gjë vetë. Edhe një te fundit kam, se nuk më tret dheu po nuk e thashë Zot, mos ka ardhur koha të vendosni një rend te ri, se dhe kapitalizmi u vjetrua. Të paktën vendos një rregull, të dënohen ata politikanë që dëmtojnë pronat e popullit të tyre që me të gjallë.
Me siguri kur te shkojnë tek Shën Pjetri, me  paratë që kane fituar do ta  komprometojnë e do dalin nga gjykimi të pafajshëm, ose shumëshumë, me “arrest parajse”, këtu në tokë më duket i thonë arrest shtëpie. Një ekspert turizmi, kur viziton një vend, bën pyetjen “grackë”: Përse një turist duhet të vijë përsëri? Në Shqipëri të vijë vetëm të shullëret gjithë ditën në rërë, s’ka alternativë tjetër. Thonë pse shëndoshen ne verë shqiptarët(!) Nuk kanë faj,  pas plazhit vetëm të pish të mbetet, se nuk e shtyn dot kohën. Madje, në darkë duhet të jesh pak si tapë, se zhurmat nuk të lëne të flesh. Ketë vit nuk janë diskot, janë betonierat që gëlojnë deri në mëngjes, madje edhe pompat shtytëse e kanë basin më të fortë se altoparlantët e diskove.

*President i Sektorit Hotelier, Shoqata Shqiptare e Turizmit (ATA)

 

Me shume nga kjo kategori:

Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Panorama Online. Moderatori

11 Komente per “Letër e hapur për turizmin”

  1. Problemet qe trajton Presidenti i Sektorit Hotelier te ATA, qendrojne plotesisht dhe jane teper emergjente. Eshte i pafalshem qendrimi qe eshte mbajtur deri tani ndaj sektorit te turizmit ne Shqiperi dhe zhvillimit te tij si nga ana e pushtetit qendror ashtu edhe atij lokal. Duhet vertet qe te hartohen politikat dhe te merren masa konkrete per zhvillimin e kesaj dhurate te madhe qe Zoti na ka dhene.
    Desheroj e shpresoj qe se fundmi kjo situate te ndryshoje perfundimisht!

  2. Politka jone ka fituar imunitete nga gjithe cfare shkruhet per ta.
    Nuk mund te thuash me teper sesa kane shkruar te tjeret.
    Zot, po them edhe une na shpeto nga keta politikane.

  3. ti zotrote bere mire qe prite deri tani por duhet folur me bashen se ai eshte 1 tani

  4. Ju keni harruar shtrirjen e sezonit turistik.Per nja njezt vjet zor se do i mbushet mendja te huajve cilesore te vijne ne Shqiperi.Aq me teper qe shume resorte po u quajten te tille, hotele e resorante shqiptare,publikojne vetem “kuzhine” italiane e greke.Duhet kohe akoma.Por te pakten turizmi te perthithe konsumatoret shiptare.Vec me nje sezon shume te shkurter turistik, rreth 1,5-2 muaj zor se arrihet.Te pakten qeveria te ndermarre nje iniciative.Muaji shtator te jete i gjithe turistik,pasi sot per sot as qe i ka shkuar ne mendje se e fillon shkollen ne mes te shtatorit , sikur jemi ne klimen e Rusise

    • Keni te drejte. Ne shqiperi jane disa probleme . Hotelet 80% jane deri 20 dhoma dhe drejtimi i tyre nuk behet nga profesioniste por familjar . Nuk kane informacion per politikat e shitjes dhe nuk kuptojne qe dhe hotelet si Sheraton ( qe ka tek ne ) punojne me çmime te ndryshushme e sezonale . Pjesa me e madhe nuk kane faqe interneti dhe nuk publikojne çmime . Situata e kesaj vere , ku shqiptaret munden te levizin pa viza do ta shkonde e ndoshta do ta v endose ne pozita konkuruse turizmin shqiptar. Per te qene realist guzhina e hoteleve dhe restoranteve vitet e fundit ka mndryshuar ndjeshem . Po i kthehet asaj tradicionale dhe ata jane me te sukseshmit. Zgjatja e sezonit eshte nje nga porblemet kryesore qe lidhet me mamaxhimin e perhershem te zonave turistike ku vemendja e strukturave lokale nuk duhet te hiqet .zaku

  5. Pershendetje z.Zak…
    Artikulli eshte shume interesant.
    Per formen si eshte shkruajtur ,do thoshja bukur shume nga pikpamja letrate… por …Per permbajtjen do thoshja se eshte nje artikull i shkruajtur nga nje profesionist ! …dhe te detyrohet profesionisti…per problemet

  6. Pershendetje z.Zak…
    Artikulli eshte shume interesant.
    Per formen si eshte shkruajtur ,do thoshja bukur shume nga pikpamja letrate… por …Per permbajtjen do thoshja se eshte nje artikull i shkruajtur nga nje profesionist ! …dhe te detyrohet profesionisti…per problemet si keto qe keni hedhur ju ne leter e qe shkaktojne dhimbje te detyrohesh pra …te ironizosh nga mungesa e Veshit qe te Degjon…kjo ta shton dhimbjen…
    Sidoqofte me mire dicka e thene se sa hic fare…Ju pergezoj..

  7. hahahah… bravo per shkrimin megjithse esht per te qar un qesha se ske cben tjeter….
    kete vend e kam marr lumi me koh…
    mblidh rreckat dhe kerko azil me mir ne xhungel qe te jetosh ca dit i qet…

  8. Pershendetje z.Zak kjo thirrja juaj eshte shume domethenese po bie ne vesh te shurdhert,kur shikon njeriu punen tuaj thot bravo po kur sheh Shqiperine me ate bregdet aq te magjishem nuk e thote kete fjale sepse gjithandej beton gardhe,plehra e te tjera,po qe se do te vazhdohet keshtu asnje turist nuk do te vij ne te ardhmen ketu,ju jeni nje ze po ka shume si ju zera qe nuk degjohen.
    Gjithe te mirat

    • Kam pershtypjen se do te kishte mjaftuar ne fillim te viteve 2000 te vihej nje “embargo” per cdo lloj ndertimi ne bregdet dhe dora e forte e shtetit (ku ma gjen) po te kishte dashur mund ta kishte ruajtur Shqiperine nga vandalizmi i ndertimit pa kriter! Specifika e Shqiperise eshte qe ka nje natyre te mrekullueshme dhe eshte e pershtatshme per cdo lloj turizmi natyror, duke filluar nga plazhet e deri tek alpinizmi.
      Kjo thirrje me shume se kujtdo i drejtohet shqipetareve qe te kuptojne se c’behet! Sigurisht qe atyre qe duhet nuk i vete ne vesh (jo me kot Zaku i drejtohet Zotit)… jo per gje po nuk i ka penguar gje qe pallatet deri ne 17 kate ne bregdet t’i ndertonin diku tjeter….
      Respekte per artikullin!

      • Faleminderit per komentet dhe vleresimin . Keto opinjone jemi munduar sebashku ti çojme ne porten e duhur : Ky ishte nje reagim ndoshta ne nje moment kur dhe ministri i ri eshte ne fillimet e punes e ndoshta mund ti vleresoje . Turizmi ka mjaft probleme dhe une u mundova ti permbledh ne forme alegorike per tu ndjere dhe nga ata qe nuk jane eksperte . Ndoshta ky do te jete viti i fundit qe ne kemi mundesi te ndermarim nje kthese renjesore , ndryshe do te jene teper vone . Valbona e Thethi po ndertojne çati me llamarina te kuqe , ne Razme po hiqen gardhet tradicionale dhe po rethohen objektet me mure me blloqe betoni . Keto elemente ne dukje te vegjel kane nje domethenie te madhe . Ne rast se do tu lihet dore e lire komunareve dhe mali do te dale nga kotrolli. Perpara se K\ministri te mare vendime per to duhet te perfundojne masterplanet totale .

Beni nje Koment


Sondazh

Presidenti i ri duhet të jetë një person që merret me politikë, apo jashtë saj?

Shikoni rezultatet

Loading ... Loading ...




Gazeta Panorama ne PDF nepermjet Shtypi.al

Erjoni Ndertim

ARKIVA

Maj 2012
Hën Mar Mër Enj Pre Sht Die
« Pri    
 123456
78910111213
14151617181920
21222324252627
28293031  

© 2012 Panorama ONLINE. All Rights Reserved.   Powered by: ikoncept