Universiteti Luarasi
Panorama Sport
Home » Opinion » Kriminaliteti, ku qëndron problemi?

Kriminaliteti, ku qëndron problemi?

SOTIRAQ HRONI

Ngjarja e rëndë e vrasjes në publik të gjyqtarit në Vlorë do të ketë pasoja afatgjata dhe shumë të mëdha për publikun e gjerë në raport me ligjin dhe besueshmërinë publike në drejtësi. Drejtësia në përgjithësi dhe shteti ligjor janë kryefjala në përgjigjen ndaj pyetjes së titullit të këtij shkrimi. Por më poshtë do të ndalem vetëm te Policia, si institucioni kryesor i ngarkuar me ligj për sigurinë publike.
Incidente kriminale të natyrave të rënda për motive të dobëta kanë ndodhur jo rrallë kohët e fundit. Gjithashtu, ndeshesh lehtësisht në publik edhe me ngjarje të tjera të natyrave kriminale nga më të ndryshmet. Vjedhjet në autobusë apo vjedhjet në përgjithësi, në shumicën dërrmuese të tyre as raportohen, bile specialistë të ndryshëm mund të hamendësojnë se niveli i krimit të paraportuar në Shqipëri mund të jetë në nivele alarmante. Sipas studimeve më të fundit të realizuara nga qeveria britanike, në atë vend raportohen vetëm 40% e krimeve. (Në Shqipëri ende nuk ka studim për këtë çështje). Arsyet për mosraportim në vendin tonë mund të jenë nga më të shumtat, që variojnë nga besueshmëria te policia, mosndëshkueshmëria e rasteve të mëparshme, kohëzgjatja për të bërë një kallëzim, sorollatja në një komisariat, indiferentizmi i punonjësit të policisë, mungesa e një feedback-u nga policia pasi ke bërë një denoncim, e deri tek opinioni publik në përgjithësi që mund të ketë krijuar perceptimin në bazë të eksperiencave se është e kotë dhe nuk zgjidh gjë të raportosh në polici. Ndërsa numri i atyre krimeve që raportohen, për të cilat merret kallëzimi nga policia, dalin në statistikat zyrtare të institucionit.
Situata e hamendësuar e krimit të paraportuar nuk mendoj se është jashtë realitetit. Gjithkush mund ta gjejë veten në një nga arsyet e sipërpërmendura për të mos raportuar një krim. Le të vazhdojmë arsyetimin me krimin me të “padëmshëm”, atë të vjedhjes së xhepave në autobus, apo vjedhjes së një pasqyre të makinës, ku edhe mosraportimi mund të jetë më i madh. Çfarë ndodh? Me kohë, armata e këtyre keqbërësve rritet dhe krimi të çon në krim e pasojat sociale në vite do të jenë të pallogaritshme. Mosndëshkueshmëria i shndërron këta keqbërës në një armatë kriminelësh, të cilëve Drejtësia dhe Policia u duken si një palë që mund të shpërfillen lehtë, apo që e kanë marrë parasysh prej kohësh.
Për t’i shërbyer edhe më tej argumentit kryesor, po kaloj nga vjedhja e xhepave te terrorizmi në nivel ndërkombëtar. Kur flisnim për luftën ndaj terrorizmit në konferencën globale për sigurinë vitin e kaluar, si ministrja për Homelend Security e Kanadasë, ashtu dhe Napolitano e SHBA me befasuan kur pjesën më të madhe të ndërhyrjes së tyre ia kushtuan policimit në komunitet, pra, nivelit të penetrimit bashkëpunues të policisë me qytetarët dhe komunitetet vendore për të marrë informacion dhe ndërhyrjeve parandaluese të kriminalitetit.
Për t’u investuar në përmbysjen graduale të kësaj situate ka vetëm një rrugë në të cilën duhet të drejtohet veprimi policor, dhe konkretisht zëvendësimi i llogaridhënies burokratike ( pra, që Policia e Shtetit, në nivel vendor, të vlerësohet dhe drejtohet vetëm me urdhra nga titullarët e institucioneve qendrore) me llogaridhënien demokratike që policia të drejtohet nga qytetari, të bëjë publike statistikat e kriminalitetit dhe t’u japë llogari atyre duke kërkuar bashkëpunimin e komuniteteve vendore të qytetarëve. Roli i qytetarëve dhe publikut në përgjithësi është i patjetërsueshëm për dhënie informacioni e bashkëpunimi në parandalimin e krimit. Kjo nuk është një gjë e re dhe e paditur, do të thotë kush. E vërtetë, por ajo që duhet të dihet dhe të bëhet është se duhet të zbatohet në mënyrë konsistente, me vendosmëri dhe qasje sa më konkrete dhe të verifikueshme orientimi bashkëpunues e transparent i Policisë ndaj komuniteteve të qytetarëve apo grupeve të interesit.
Komunikimi transparent i Policisë ndaj qytetarëve është gur themeli për vendosjen e besimit dhe rritjen e bashkëpunimit duke shndërruar fqinjësitë komunitare në funksion të ruajtjes së sigurisë publike. Dhe kjo është një çështje emergjente si për vendin tonë, ashtu dhe për demokraci të përparuara.
Është interesant fakti se megjithëse britaniku Sir Robert Peel, që para një shekulli ka deklaruar se “policia duhet të jetë publiku, ndërsa publiku polici”,  ndërkohë sot, në atë situatë historike tranzicioni që ndodhet Britania e Madhe me filozofinë qeverise të D. Kamerun, secila prej pesë parime themelore të “shoqërisë së madhe” lidhet drejtpërsëdrejti apo jo me policimin në partneritet me qytetarin apo lehtëson procesin e parandalimit të krimit përmes këtij bashkëpunimi.
Policia britanike është e angazhuar drejtpërsëdrejti në zbatimin e këtyre parimeve të qeverisjes, për t’i dhënë “komuniteteve të qytetarëve më shumë fuqi”, “të inkurajohen njerëzit të marrin një rol aktiv në komunitetet vendore”, “në transferimin e kompetencave nga qendra në bazë” e deti tek ai parim që i referohet drejtpërsëdrejti Policisë, “t’u bëjë publike njerëzve statistikat e krimit”, si pjesë e llogaridhënes nga poshtë, pra demokratike.
Ashtu si institucione të tjera, edhe për policimin puna bëhet shumë herë më e lehtë kur komuniteti është më i organizuar, e një rol shumë të rëndësishëm për këtë organizim, apo për lehtësimin e kontakteve të Policisë me qytetarët luajnë ndërlidhësit komunitarë në qytete (apo kryetarët e fshatrave). Vendosja e një partneriteti të drejtuar nga poshtë të Policisë me qytetarët është investimi më i sigurt e afatgjatë, por edhe i sprovuar për parandalimin e krimit dhe uljen e kriminalitetit.
Si kundër-thelbësor mbetet partneriteti i Policisë me qeverisjen vendore. Shembulli më i fundit pozitiv është investimi i Bashkisë së Tiranës për të rregulluar infrastrukturën e sigurisë në disa shkolla të Tiranës. Sipërmarrje të tilla të njësive të qeverisjes vendore mund të shtrihen në të gjithë vendin, por duhet të kenë parasysh që për këto investime të merret parasysh edhe mendimi i Policisë së Shtetit, shkollave, nxënësve, apo komuniteteve të prindërve, për dy arsye: së pari, se parakushtet e sigurisë nuk mund të jenë të njëjta për të gjitha shkollat dhe, së dyti, me zgjidhje që vijnë nga grupet e interesuara investimi bëhet më i sigurt dhe përgjegjësia ndahet me të gjithë aktorët.
Një sukses potencial i policimit në komunitet në vendin tonë do të varej nga funksionimi potencial i partneritetit të Policisë me qeverisjen vendore, me qytetarët e organizuar në nivel komunitar dhe komunikimi transparent me ta dhe publikun e gjerë. Akoma më imperative bëhet për vendin tonë kjo qasje e policimit në një kohë që financat publike po bëhen gjithmonë e më të kufizuara dhe buxheti për institucionet e sigurisë vjen duke u tkurrur, duke lënë vetëm një zgjidhje për efikasitet: llogaridhënien ndaj qytetarit për të rritur besimin dhe bashkëpunimin me të. Burokracia në drejtim të Policisë, apo më keq, keqpërdorimi i saj për nevoja të pushtetit nuk kontribuon në interes sa më të gjerë publik. E njëjta gjë, kuptueshëm vlen për spektrin e plotë të institucioneve që sigurojnë drejtësi dhe shtet ligjor. Aksioni konkret në këtë stil drejtimi dhe qeverisjeje do të mundësojë më shumë siguri për qytetarët dhe vendin, do të edukojë respektin dhe detyrimin qytetar për të kontrubuuar në sigurinë publike.

Me shume nga kjo kategori:

Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Panorama Online. Moderatori

Beni nje Koment


Sondazh

Presidenti i ri duhet të jetë një person që merret me politikë, apo jashtë saj?

Shikoni rezultatet

Loading ... Loading ...




Gazeta Panorama ne PDF nepermjet Shtypi.al

Erjoni Ndertim

ARKIVA

Maj 2012
Hën Mar Mër Enj Pre Sht Die
« Pri    
 123456
78910111213
14151617181920
21222324252627
28293031  

© 2012 Panorama ONLINE. All Rights Reserved.   Powered by: ikoncept