Opinion/ Shpikje “shkencore” e FSHF-së, fajin e ka Partizani për vdekjen e stadiumeve

Nov 11, 2017 | 18:28
SHPËRNDAJE

Kjo ishte seç ishte. Nuk mund të ndalet aroma e pusetës. Disa ditë më parë, një nga zyrtarët e FSHF-së, pikërisht dikush që cilësohet me të ardhme nga vetë “mbreti” Duka, ka mrekulluar me xhonglimet me shifra gjatë një interviste. Djaloshi, që shpesh e kishim parë në ekran duke u folur në vesh trajnerëve të Kombëtares, Denis Bastari, këtë herë me spaletat e drejtorit administrativ të FSHFsë, i ka dhënë frymë dhe jetë shprehjes së korridoreve se “shefi ka investuar kaq shumë për të, sa duket sikur e ka nxjerrë nga hundët”.

sinemati-470x288

Dëgjoni shpjegimin “shkencor” për vdekjen e tifozërisë nëpër stadiume: “Po të besosh te statistikat, vetëm Partizani ka rënie të tifozërisë në stadiume, sepse ekipet e tjera kanë nga pak rritje”. Djaloshi debutues në përrallën hileqare të Institucionit, guxoi të “mbushë” stadiumet me shifra, duke shpërfillur haptazi arratisjen popullore të tifozëve.

Mirëpo, kulmin e arriti kur futi në rreth Partizanin si ekipin e vetëm që ka humbur njerëzit në stadiume. Na u duk sikur ishte gati të thoshte edhe atë që s’thuhet se, ishte i tepërt Moxhi italian kur loja jonë mbillet me Moxhë shqiptar. Nuk e paska fajin manipulimi që vret besimin, as loja e trukuar deri te fëmijët, as aleancat që fabrikohen me kallëpë nga vetë zyrat, as “farat e barit” që mbjellim për të kërcyer pupthi nga një stadium në një tjetër.

Faji paska ngjyrë të kuqe dhe kush më mirë se Partizani do ta meritonte këtë akuzë spektakolare nga idiotësia. Mos kujtoni se e kanë harruar shuplakën e madhe që dhemb akoma, ai i shpifuri… fondi i Solidaritetit, sidomos kur afrojnë këto dreq Asambleshë, ku Nastradini tregon bukur dhe me talent përrallën se është më mirë kur paratë i mban ai vetë, se sa t’i bëjnë rrush e kumbulla anëtarët e familjes…

Nga Gëzim Sinemati*

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura