Opinion nga Ylli Aga/ Arbitrat, skuadra më e dobët e kampionatit

Mar 24, 2018 | 21:34
SHPËRNDAJE

YLLI AGA

ylli aga

Ndalesa e kampionatit, për shkak të impenjimeve të ekipeve kombëtare, mund dhe duhet të shërbejë për të gjithë protagonistët për të reflektuar mbi ecurinë e garës, evidentimin e problemeve dhe, mbi të gjitha, gjetjen e rrugëve për t’i zgjidhur ato. Një gjë e tillë pritet edhe nga sektori i arbitrimit, pasi një pjesë e madhe e problematikave në këtë edicion kanë ardhur pikërisht prej tyre. Nëse dikush e ka harruar, deri në këtë moment është folur shumë pak për dhunën dhe thuajse fare për paracaktim të rezultateve sportive. Dhe përderisa kemi përpara fazën më të nxehtë të këtij sezoni, ku do të vendosen të gjitha verdiktet e tij, roli i arbitrave duhet të jetë në lartësinë e detyrës së tyre.

NJË SEZON I MBUSHUR ME GABIME

Thonë se në ditët tona nuk është se ndodhin më shumë aksidente, por gjithçka justifikohet me informacion që jepet me to. Një justifikim të tillë mund të kenë edhe arbitrat tanë, pasi e sigurt është se tani çdo ndeshje e tyre është e monitoruar në detaje, ashtu siç në të kaluarën arbitrimi nuk është ndonjë sektor që mund të krenohet për rolin e tij, pasi kushtet në të cilat ishin të detyruar të bënin punën e tyre mbulonin shumë nga vendimet e tyre sa qesharake, po aq edhe vendimtare për çdo verdikt sezonal. Por, e kaluara mënjanë dhe bashkë me të edhe justifikimet. Roli i gjyqtarëve në këtë sezon futbollistik ka qenë shumë problematik, me gabime të rëndësishme, jo në çdo javë, por pothuajse në çdo ndeshje, duke ndikuar në një masë të konsiderueshme te rezultatet teknike. Moviolat e rasteve kur ata kanë gabuar janë tanimë në sytë e të gjithëve dhe një panoramë e tillë e bën skuadrën e arbitrave më të dobëtën e këtij kampionati.

arbitrat 2016 2017

NË KËRKIM TË BESIMIT TEK ARBITRIMI

Gabimet e arbitrave do të jenë bashkëshoqëruese të futbollit në çdo hap të tij. Madje, diskutimi për ta vijon edhe në vendet ku investimi për kompeticionin është shumëmiliardësh dhe kur është thirrur në apel teknologjia nëpërmjet “VAR” dhe “GOAL LINE TECHNOLOGY”. Për këtë mjafton të sjellim në vëmendje deklaratat e bëra së fundmi nga klubi i Lacios në Itali, sipas të cilave evidentohen penalizimet që kanë marrë gjatë këtij sezoni. E sigurt është se futbolli në vendin tonë, edhe për shumë kohë, do ta ketë të vështirë që të përballojë investime të tilla në teknologji, por nga ana e organizatorëve të garës mund të ndërmerren iniciativa, sipas të cilave marrin përgjegjësitë për problematikat e krijuara dhe dëshmojnë vullnetin për t’i përmirësuar ato.

– Një ndër to do të duhej të ishte që të gjitha ndeshjet e Kategorisë Superiore të gjykoheshin me 6 arbitra, ku si rrjedhojë do të përfitohej një monitorim më i mirë i zonës dhe gjithashtu evitimi i golave fantazmë. Një gjë e tillë mund të realizohet fare lehtë me të njëjtin buxhet që paguhen aktualisht arbitrat për këtë kategori, duke i ulur përfitimin individual për çdo ndeshje, një deficit që do të kompensohej nga aktivizimi i arbitrave të elitës pothuajse në çdo javë, herë me statusin e kryesorit e herë me atë të arbitrit të linjës.

arbitrat 2017 2018

– Një tjetër element për t’u përmirësuar mund të jetë mënyra e pagesës për gjyqtarët, duke hequr dorë nga shpërblimi për ndeshje në caktimin e pagese të përmuajshme, që do të justifikonte shpenzimet e tyre për një stërvitje profesionale dhe rrjedhimisht një shpërblim më të ulët për çdo ndeshje. Një mënyrë e tillë do të bënte që arbitra të caktuar, të cilëve u besohen pak ndeshje në harkun e një sezoni, të mos tundoheshin kur u jepet mundësia për të gjykuar në elitë. Gjithashtu, nisur nga besimi në shkallën e ulët që ekziston të skuadra e arbitrave, FSHF mund ta shtrijë marrëveshjen e binjakëzimit që ka aktualisht me Maltën dhe Luksemburgun, si dhe me federata të tjera, mundësisht me vendet fqinje. Një zgjedhje e tillë do të ulte në maksimum presionin tek ata, të cilët vendosin drejtësi në futbollin tonë.

– Ndërkohë, një element që duhet të evidentohet me patjetër do të duhet të jetë roli i Komisionit të Vlerësimit të arbitrave. Puna e anëtarëve të këtij Komisioni, më shumë se të bëjnë moviolistët në prani të arbitrave problematikë, do të duhet të jetë “vizatimi” i një “vije të kuqe”, kapërcimi i të cilës nga arbitrat duhet të nënkuptojë edhe largimin e tyre përfundimtar nga ky profesion. Ashtu siç normalisht puna e anëtarëve të këtij Komisioni mund të shërbejë edhe për të bërë “vetting” për arbitrat, duke marrë në analizë të gjithë elementët që krijojnë personalitetin e tyre

ndeshjet e arbitrave

DOMOSDOSHMËRIA E NJË DIZENJATORI TË HUAJ

Nga momenti që FSHF plotësoi kushtin për të hequr shortin për caktimin e arbitrave dhe ia besoi këtë detyrë një “dizenjatori”, një detyrë të tillë e kanë bërë shumë persona, që në sytë e opinionit sportiv kanë një “CV” të mirë, por në mënyrë konstante çdo zgjedhje e tyre është kontestuar sistematikisht. Sigurisht një gjë e tillë, e motivuar me faktin se drejtuesit e klubeve tona janë paragjykues në maksimum, arbitrat e kanë përdorur si “dordolec” për të justifikuar gabimet e tyre dhe trembur kritikët. Megjithatë, jo në pak raste, edhe kjo mund të jetë arsyeja më e fortë, ku mënyra e përzgjedhjes së arbitrave për ndeshjet e kampionatit tonë u ngjan emisioneve radiofonike “muzikë sipas kërkesave të publikut”.

Janë të shumta rastet në gjithë këto vite, kur arbitrat janë caktuar sipas dëshirave të përbashkëta të presidentëve për një ndeshje, madje janë bërë edhe “qoka” për të tjerë titullarë klubesh. Në një klimë të tillë, puna do të ishte tmerrësisht e vështirë për çdo person që do t’i caktohej një detyrë e tillë. Madje, për këto arsye, një përgjegjësi e tillë është refuzuar nga njerëz të gjykimit me integritet për të evituar presionet dhe problematikat edhe për përtej orarit zyrtar të punës. Në këto kushte, caktimi i një “dizenjatori” të huaj do të ishte zgjidhja ideale. Ashtu siç prej disa vitesh ekipi ynë kombëtar drejtohet nga trajnerë të huaj, pavarësisht se një detyrë të tillë mund ta bënim shumë mirë disa prej emrave të spikatur të trajningut shqiptar.

gjyqtaret

Edhe skuadra e arbitrave, për të evituar paragjykimet, presionet, klanet që lulëzojnë brenda sektorit, për të rritur besueshmërinë në sytë e opinionit sportiv dhe te vetë ekipet konkurruese, e ka domosdoshmëri ardhjen e një dizenjatori të huaj. Në këtë pikë nevojitet edhe unifikim i qëndrimeve të drejtuesve të klubeve tona, që më shumë se të qahen dhe shajnë çdo javë arbitrat, duhet të propozojnë zgjidhje racionale. Dhe një dizenjator i huaj mund të jetë realisht një zgjidhje e mirë për një pjesë të problematikave me arbitrimin.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura