Opinion nga Gëzim Sinemati/ Rrëzohet polici qeshim të gjithë, rrëzohet futbolli… as një pikë loti!

Nov 8, 2018 | 19:48
SHPËRNDAJE

Nga GËZIM SINEMATI

Do qeshim apo do qajmë për ato që ndodhin frikshëm në ndeshjet e Superligës? Skena e një polici që vrapon për të kapur tifozin, por që rrëzohet duke mbetur i shtrirë në fushë, ka shkaktuar shumë të qeshura. Rrëzohet polici qeshim të gjithë, ndërsa kur rrëzohet futbolli, duke thyer kokën bile, as nuk na shkon mendja për të qarë.

Sinemati

Madje, sipas stilit tonë, ku futbolli si çdo gjë është një univers gallate, mund të bëhet edhe një reklamë kontroverse ku të predikohet se tifozët i kanë gjunjët më të fortë se policët! Kjo ka ndodhur në ndeshjen Tirana me Kukësin, ku për disa minuta, disa nga tifozët e Tiranës zbritën në fushë, rrëmbyen “pushtetin” e brishtë të lojës dhe nisën një gjueti të pafre ndaj futbollistëve. Atyre që edhe pse kanë zhgënjyer më shumë se të gjithë brezat bashkë, siç thuhet me zemërim nga tifozët, prapëseprapë, kjo që ndodhi ish te një blasfemi sportive…

Policia

Të gjithë vraponin në “Selman Stërmasi”: njëra palë për t’u shkulur fanellën nga trupi futbollistëve, pala tjetër viktimat me uniforma, futbollistët ose “proletarët” e përkëdhelur, ia mbathnin për të shpëtuar lëkurën më shumë sesa fanellën. Ndërsa, pala e tretë, policët, të cilët i kemi lënë enkas jashtë stadiumit për të eksperimentuar se deri ku shkon rreziku për jetën pa praninë e tyre. Skena e përjetuar në ato pak minuta puçiste, dukej sikur i përkiste një filmi pa kohë, ku trazohej në mënyrë më se shqiptare mesjeta me kohën moderne.

Policia2

Po e menaxhojmë aq me marifet spektaklin e dhunës, sa në mbrëmje shpëlajmë sytë dhe shpirtin me ndeshjet e Champions-it, pa pasur frikë se ajo që ne trukojmë si futboll është më shumë një lloj halluini i vazhdueshëm, ku gjaku është i vërtetë dhe jo i pikturuar…

Ky artikull është ekskluzivisht për Panorama Sport. Riprodhimi i tij nga media të tjera në mënyrë të pjesshme ose të plotë pa lejen e kompanisë do të ndiqet në rrugë ligjore.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura