OPINION NGA GËZIM SINEMATI/ Përse Shqipërisë së Panuçit nuk i shqitet fantazma e De Biazit…

SHPËRNDAJE

OPINION NGA GËZIM SINEMATI

Paska qenë si “Kasandra” dikush nga radhët zyrtare kur në ditët e largimit të trajnerit De Biazi kish thënë këtë frazë që nuk e kapërceu pragun: “Po ikën vetëm trupi i De Biazit, sepse shpirti ka mbetur pas… “. Kjo frazë pikante, kur e rifreskon sot, vlen si një skedinë e qëlluar në shenjë. Apo kur mëson se ish-trajneri do të rishfaqë siluetën në stadium ditën e ndeshjes me Izraelin, duke i dhënë një shkelm ligjit të vjetër, të pashkruar, se trajnerët e shkarkuar nuk kthehen më në vendin e “krimit”.

sinemati-470x308

Por, ky De Biazi është ndryshe nga gjithë trajnerët e huaj me të cilët bashkëjetuam, jo vetëm se ka një pasaportë që dikton mall për atdhe un e dytë, atë që gjeti pas Italisë. Si mund të mungonte në ndeshjen me Izraelin, aty ku eksperimenti doli nga epruveta, sa futbollistët në fushë më shumë kundërshtonin trajnerin e tyre në stol, të pushtuar nga urdhri i “djallit”, pa iu dridhur qerpiku se dështimi po prekte fundin e detit… Thuhet rëndom se çdo ndeshje ka historinë e saj dhe gjërat nuk përsëriten në mënyrë binjake, por Xhani De Biazi, nëse do të jetë në stadium për të parë Shqipërinë e Panuçit, ka një mal me arsye t’i kujtohet filmi i dy ndeshjeve kontroverse me Izraelin. Dy ndeshje, të cilat nuk ndahen dot nga njëratjetra, edhe pse me urdhër të “mbretit” duhet kujtuar vetëm e dyta. Më e bukura ishte se në të parën nuk durohej turpi, ndërsa në të dytën nuk durohej lavdia. Dhe sipas zakonit tonë demokratik, që daton me zbarkimin e presidentit Duka, humbjet e mëdha nuk lënë gjurmë, ngaqë ato janë si karremi për fitoret e bujshme që… vijnë si me porosi. Prandaj, Xhani De Biazit mos ia merrni për ters kur rishfaqet si fantazmë, sepse do të vijë edhe kur të mos jetë Panuçi, ngaqë është njeriu i huaj që përfitoi dhe përfiton më shumë nga veset tona. Veçse nuk është borxhli si disa të tjerë kur ikën… Kush tjetër veç Xhanit do të ishte kaq i shkathët dhe i besueshëm sa biletën false, me të cilën kaluam portën për të hyrë në Europian, do ta tregonte si të ishte e vërtetë. Aq sa “bota” u pendua përkohësisht, sa zgjati euro-gara, se shqiptarët kur kanë topin te këmbët, në kokë zotërohen nga… hilet!

Te lidhura

 

S'KA KOMENTE

Comments are closed.