Operatorët kërkojnë uljen e TVSH për turizmin, ndikon te çmimet

Feb 10, 2016 | 14:12
SHPËRNDAJE

Operatorët e turizmit i kanë përsëritur edhe një herë qeverisë kërkesën për uljen e TVSH-së të turizmit. Aktualisht, kjo taksë është 20 për qind, por nga operatorët u kërkua përgjysmimi i saj. Kërkesa u përsërit në takimin e djeshëm që përfaqësues të shoqatës së turizmit zhvilluan me drejtorin e Agjencisë Kombëtare të Turizmit, Ardit Çollaku. Kreu i shoqatës së turizmit, Zak Topuzi, tha se niveli i lartë i kësaj takse e bën Shqipërinë në çmime më pak konkurruese në rajon në sektorin e turizmit.

shqperia-destinacion-turistik

“Ndoshta do një lobim më të madh që qeveria të kuptojë se turizmi nuk është një industri që duhet penalizuar me taksa, por një industri që kërkon detyrimisht stimulime për të arritur rezultate, siç ka arritur rajoni”, u shpreh Topuzi në kërkesën e tij. Edhe kësaj radhe nga qeveria u premtua që kjo taksë do të rishikohet, por që ky vendim nuk mund të merret pa miratimin e FMNsë.

Nga kjo e fundit është kundërshtuar përshkallëzimi i kësaj takse, ndërkohë që qeveria nuk ka ndalur së premtuari uljen e saj. shoqata e turizmit e përsëriti kërkesën e saj edhe para miratimit të paketës fiskale. Edhe nga kreu i Agjencisë Kombëtare të Turizmit u pranua që për arsye të ndryshme ulja e taksës u kundërshtua nga FMN-ja, por do të rishikohet në të ardhmen.

Tashmë, ulja e TVSH-së së turizmit është kthyer prej 3 vjetësh në një rreth vicioz. Refreni mbetet, operatorët përsërisin kërkesën për përgjysmim, kurse Ministria e Ekonomisë përsërit premtimin për ulje. Ulja apo mbetja e kësaj takse në nivelet aktuale, mbetet për t’u rishikuar në paketën fiskale të 2017-s. Industria e turizmit çdo vit përballet me mungesën e standardizimit.

Për këtë vit, Ministria e Ekonomisë do të çelë sezonin turistik në muajin mars dhe nga Agjencia Kombëtare e Turizmit u prezantuan masat që do të marrë çdo institucion. Sipas saj, ato do të fokusohen në përmirësimin e kushteve të higjienës, të shërbimit shëndetësor dhe sinjalistikës.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura