Operacioni për heqjen e tumorit në tru, Petrela: Jehona në SHBA

Jan 12, 2016 | 8:11
SHPËRNDAJE

Operacioni i rrallë që u krye në muajin gusht, për heqjen e masës tumorale në tru nëpërmjet metodës që e mban pacientin zgjuar, pati jehonë përtej oqeanit. Revista prestigjioze “New Work Times” i kushtoi një ese të gjatë në numrin e saj të ri për vitin 2016.

Neorokirurgu i njohur Mentor Petrela
Neorokirurgu i njohur Mentor Petrela

Për Prof. Dr. Mentor Petrelën pasqyrimi që i bën kjo revistë me shifra të frikshme të numrit të lexuesve që ka, të bën të kuptosh që informacioni mbi Shqipërinë është përhapur në çdo cep të planetit.

Kjo pa dyshim i jep tjetër vlerë suksesit. Përmes një interviste dhënë për gazetën, doktor Petrela rrëfen inpaktin që ka dhënë artikulli, i cili mban autorësinë e shkrimtarit të famshëm norvegjez, Karl Ove Knausgaard, si edhe detaje nga operacioni i rrallë që e vendosi Shqipërinë në sytë e botës këtë fillimviti.

Revista amerikane “New York Times” i ka kushtuar në numrin e ri të saj për vitin 2016, një ese të gjatë operacionit për heqjen e masës tumorale me metodën zgjuar. Gjithçka është pasqyruar në optikën e shkrimtarit norvegjez, Karl Ove Knausgaard, i cili së bashku me ekipin e tij kanë ndjekur nga afër ndërhyrjen. Si e lexoni ju këtë?

Mund të lexohet në planin e parë teknika e arritur dhe në planin e dytë narracioni i Karl Ove Knausgaard, që cilësohet si Prousti norvegjez i shekullit. “New York Times” komisionoi një ekip të kryesuar nga novelisti dhe fotografi Paolo Pellegrin, me asistentin e tij, dhe Greig Taylor, kameraman për një javë në Tiranë. Pasqyrimi që i bën kjo revistë me shifra të frikshme të numrit të lexuesve që ka, të bën të kuptosh që informacioni mbi Shqipërinë është përhapur në çdo cep të planetit. Përgatitja e ekipit të neurokirurgjisë për këtë ndërhyrje që quhet kirurgjia zgjuar, ka qenë një objektiv i hershëm. Miqësia me Henry Marsh, pionier i aplikimit të saj, bëri të mundur realizimin. Shkrimtari norvegjez konstatoi teksa vizitonte Muzeun Kombëtar se realizmi socialist përfaqësonte njeriun perfekt, por jeta ka treguar që gabimi është njerëzor dhe se providenca e momentit është e paparashikuar në jetë. Është pikërisht momenti, koincidenca që solli Henry Marsh në Shqipëri me gjithë spektrin e gjerë të njohjes së tij në botë.

Si u projektua kjo ndërhyrje?

Ndërhyrja u mundësua nisur nga një objektiv prej më se një viti, kur pajisjet e nevojshme dhe aplikimi i teknikës ekzistonin. U përzgjodhën pacientët që mund të përfitonin, duke mos rrezikuar pasojat që mund të shkaktojë kryerja e ndërhyrjes kirurgjikale në konditat e anestezisë së përgjithshme.

Shkrimtari Karl Ove Knausgaard e ka titulluar esenë e tij “E bukura e frikshme e kirurgjisë së trurit” dhe aty përshkruhet hap pas hapi rrugëtimi i tij, i cili kulmon në sallën e operacionit.

“The Terrible Beauty”, stili i Knausgaard në titull është një oksimoron me dy të kundërta. Përshkrimi që ai i bën trurit është unik në esenë e tij. Ai shprehet se u frikësua dhe u përlot kur vërejti për herë të parë trurin si një midhje kur hapet guaska. “M’u duk sikur pashë mendimin e u futa në mendjen e tjetrit dhe kjo më krijoi ndjenjën e fajit ndaj tij”. Gjatë verës, përpara ardhjes së Knausgaard në vendin tonë, unë u ndjeva i detyruar për të lexuar veprën e tij autobiografike, “My Strugle” (Lufta ime), rreth 3500 faqe. Aty kuptova që xhaxhai i tij Kjarstan, me prirje të majta radikale, simpatizonte Shqipërinë komuniste si utopi e mirëqenies. Kjo ishte një arsye bindëse pse Knausgaard preferoi Shqipërinë për të ndjekur Henry Marsh-in si bestseller i “NYT” për librin e tij “Do No Harm” (Mos dëmto). Redaktoret e “NYT Magazine”, Debra Samuelson dhe Nana Asfour, që organizuan misionin, më kanë mahnitur me profesionalizmin, korrektësinë dhe verifikimin e fakteve nga ana shkencore dhe historike. Komunikimi pothuaj çdo dy–tri ditë pasqyronte katërcipërisht kontrollimin paraprak në çdo detaj të asaj që ndodhi dhe që u pasqyrua. Paolo Pellegrin, që ishte mbresëlënës, më la të kuptoj ç’do të thotë art në fotografi dhe jo vetëm një akt shkrepjeje mekanike. Frymëzimi i fotove artistike të Pellegrin në dritë– errësirë vjen nga pikturat e Caravaggio-s. Pozicioni i Ilmiut korrespondon me rënien e Jezusit ose Kryqëzimin e Shën Pjetrit. Ndërsa Gjinovefa ngjan me shuarjen e Shën Mërisë. Paolo Pellegrin këto ngjarje biblike i ka lidhur me kuptimin e jetës në fotot artistike në një javë, në katërmbëdhjetë orë në sallë të operacionit ai ka fotografuar çdo tridhjetë sekonda pa shqetësuar njeri për të nxjerrë shtatë foto në “NYT Magazine”. Në sallë ai ishte pothuajse i padukshëm dhe në asnjë moment nuk kërkoi leje për këndet e veprimeve të tij, pa fjalë.

Sa kohë ju desh për të arritur deri tek operacioni?

Përgatitjen e nisëm në muajin shkurt të vitit që shkoi me studimet neurofiziologjike, psikologjike nga Dr. Flori Dashi dhe Prof. Zana Gje«i. Kur krijuam bindjen se pacientët mund ta përballojnë kirurgjinë zgjuar, atëherë u programua dhe u lajmëruan redaktorët e “NYT” që në fillim të korrikut që ndërhyrja mund të realizohej sipas objektivave në muajin gusht. Më parë një sërë dokumentesh ligjore të konsensusit informues me pacientët në relacion me mediat u nënshkruan për të respektuar të drejtën e pacientit dhe kufirin e privacy sipas standardeve të “NYT”. Ndërhyrja me konsensus të Henry Marsh dhe KOK me ekipin u programua në javën e fundit të gushtit. Në kirurgji mund të kesh edhe të papritura, pasi nuk shkojnë të gjitha mirë, ndaj duhet të jesh i përgatitur edhe për to. Por për shansin e dy pacientëve, eksperiencën e Henry Marsh edhe përkushtimin e gjithë ekipit, bëri të mundur që gjërat të shkonin në një rezultat të mirë.

Si është pritur operacioni dhe pasqyrimi që i është bërë në revistën prestigjioze “New York Times Magazine”?

Për fat të keq ose privilegj nuk jam në rrjetet sociale, por asistentët e mi më thonë që janë vënë në qendër të vëmendjes. Por unë s’mund të them këtë. Nga Amerika, Kanadaja të afërmit dhe jo vetëm më kanë përcjellë urimet. Kushëriri im, Sami Repishti, më ka nderuar me një shkrim për të cilin i jam mirënjohës. Vazhdoj të marr e-mail nga lexues të “NYT”, neurokirurgë amerikanë dhe europianë që kërkojnë informacione shtesë. Dalja në “NYT Magazine” në periudhën festive të ndërrimit të vitit bëri që shumë urime nga kolegë neurokirurgë amerikanë, kanadezë, australianë, europianë të arrijnë së bashku me përgëzimin e realizimit të kësaj risie dhe kontributit në divulgimin e neurokirurgjisë si “popular science”. Ka pasur dhe një amerikan që, duke gërmuar në rrënjët e familjes së tij që koin«idonte me mbiemrin tim, lexues i rregullt i “NYT” që kërkonte pemën e familjes. Nuk rezultonte të ishte në origjinën time.

Më përmendët pak para se të nisnim bisedën se ka pasur interesim të lartë për shëndetin e pacientëve edhe nga lexuesit nëpërmjet revistës amerikane. Si janë ata sot?

Redaktorët e “NYT”, Debra Samuelson dhe Nana Asfour, gjatë gjithë kohës kanë kërkuar të dinë mbi gjendjen e pacientëve për shkak të interesimit edhe nga ana e lexuesve. Dhe unë u kam kthyer një përgjigje këto ditët e fundit. Gjinovefa shkon mirë. Me rastin e festës së ndërrimit të viteve, për të më uruar më solli një shishe verë e prodhuar në shtëpinë e saj pa etiketë, e që unë e pagëzova me emrin “Chateau Saint Genevieve” ose “Gjinovefa shenjtja e Parisit”. Ndërsa Ilmiu më solli një gjel që nuk ishte “shenjt”, por bio. Kjo ishte pjesa e humorit, që natyrisht nuk duhet ta kursesh edhe ndaj vetes për të mposhtur ironinë që na rrethon.

Në saje të këtij operacioni, jetëgjatësia e pacientëve rritet me 10 deri në 20 vite. Ka raste edhe më tepër. Për fat të keq, ka ende të sëmurë që vuajnë nga tumori në tru. Kemi ne kapacitete për të vijuar me ndërhyrje të tjera?

Ne jemi në përgatitje edhe për tre pacientë të tjerë. Njëri prej tyre është qytetar nga Zvicra, me origjinë nga Kosova, që do të vijë për t’u operuar dhe po negocion me sistemin e sigurimeve. Me të njëjtin përkushtim, e bashkë me Henry Marsh, besoj që do të operohen në fillim të korrikut.

Cilat kanë qenë reagimet që kanë ardhur nga brenda kufijve? Kryeministri ju ka uruar?

Po, Kryeministri e ka pasur në dorë revistën përpara nesh dhe i entuziazmuar ka përcjellë në “Twitter” suksesin e operacionit. Shqiptarët në planetin me 7 miliardë banorë janë në raporte asimetrike me të tjerët, 7 në 7 mijë. Pra, kompleksi i inferioritetit numerik ose për arsye të tjera është prezent dhe ndonjëherë provokon krizë identiteti. Për paralelizëm Skënder Luarasi, personazh i kulturës shqiptare, antizogist, duke udhëtuar me tren në Itali, në 1940-n, në bisedë e sipër me italianë, sjelljes së tyre shoviniste iu përgjigj duke lavdëruar bukurinë fizike të mbretit Zog ndaj mbretit të tyre Viktor Emanueli III, që ishte shumë i shkurtër. Ndjenja e kompasionit te shqiptarët haset sidomos jashtë vendit. Kështu që, të flitet për shqiptarët është pozitive dhe ata besoj se do të ndihen mirë me shkrimin. Ekzistencializmi i nisur që nga “Cogito Ergo Sum” i filozofit francez dualist Descartes “Unë mendoj pra ekzistoj”, u pasua më tej nga Husserl, Sartre. Por unë dua të sjell në vëmendje një shprehje të Martin Heiddeeger në “Seit und Zeit”, i cili thotë: “Ka dy lloj ekzistencash, ekzistenca banale dhe ekzistenca autentike. Ky artikull është ekzistenca autentike për mjekësinë shqiptare, shqiptarët dhe Shqipërinë”.

ADA HAZIZOLLI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura