Operacioni në Krujë/ U gjet një çantë me para e kallashnikovë, Policia publikon pamjet. Si u kapën autorët e vjedhjes së postës (VIDEO)

Nov 7, 2019 | 18:51
SHPËRNDAJE

Policia e Shtetit ka publikuar pamjet nga operacioni “Filiali”, ku u arrestuan tre persona si autorë të dyshuar të vjedhjes së filialit të postës në Krujë, ku u morën 110 milionë lekë.  

Në një deklaratë për mediat, policia sqaroi se në pranga kanë rënë tre persona, pjesëtare të një grupi të strukturuar kriminal, të dyshuar autorë edhe të disa vjedhjeve të tjera në disa qytete në vend.

operacioni

Ndërkohë, në pamjet e publikuara, shikohet momenti i shoqërimit të personave të arrestuar në komisariat si dhe disa nga sendet e sekuestruara nga policia, pas kontrolleve në disa banesa në Krujë e Laç.

Sipas policisë, u gjetën dhe u sekuestruan dy automjete që dyshohet se u përdorën nga autorët, një shumë e konsiderueshme lekësh, vjedhur në filialin e postës, tre armë zjarri me tre silenciatorë, konkretisht një pistoletë, një pushkë dhe një kallashnikov, municion luftarak, një minë me telekomandë me celular, disa targa automjetesh të vjedhura dhe sende të tjera të vlefshme për hetimin.

Deklarata e plotë i policisë:

Ja pamjet e operacionit “Filiali”, për zbardhjen e vjedhjes së filialit të postës shqiptare në Krujë, nga një grup i strukturuar kriminal.

Sekuestrohen lekët e vjedhura në postë, 3 armë zjarri me silenciatorë, minë me telekomandë, dy automjete e prova të tjera të vlefshme që shërbejnë për hetimin.

Ndalohen tre pjesëtarë të grupit të strukturuar kriminal dhe dy shtetas të tjerë për moskallëzim krimi.

DVP Durrës ngriti një grup të posaçëm hetimor për zbardhjen e vjedhjes dhe finalizoi operacionin “Filiali”.

Pas kontrollit në disa banesa në Krujë dhe në Sanxhak, Policia zhvilloi gjeti dhe sekuestroi në cilësinë e provës materiale dy automjete të vjedhura, të përdorur nga autorët për realizimin e grabitjes, një shumë të konsiderueshme lekësh, e vjedhur në filialin e postës, tre armë zjarri me tre silenciatorë, municion luftarak, një minë me telekomandë me celular, disa targa automjetesh të vjedhura dhe sende të tjera të vlefshme për hetimin.

Nga tërësia e veprimeve të kryera rezultoi se shtetasit Gazmir Saka, 32 vjeç, Andi Rexhepi, 30 vjeç dhe Mark Caka, 33 vjeç, në bashkëpunim me njëri-tjetrin dhe me persona të tjerë, nën kërcënimin e armëve kanë vjedhur kasafortën e filialit të postës shqiptare në Krujë.

Po nga veprimet e kryera rezulton se këta shtetas janë autorë edhe të disa vjedhjeve të tjera të ndodhura në Durrës dhe në Gjirin e Lalzit dhe të një sërë grabitjesh me dhunë dhe me armë në Kavajë, Durrës, Vorë, Kamzë, Laç e Mirditë.

Gjithashtu, u bë ndalimi edhe i shtetasve B. T. dhe A. L., roje në magazinën ku u gjetën mjetet dhe armët e përdorura për kryerjen e grabitjeve.

Dy ditë më parë u bë arrestimi në flagrancë i rojës private të filialit të postës, shtetasi B. P. dhe është shpallur në kërkim specialisti i sallës SHPSF.

Vazhdon hetimi për zbardhjen dhe dokumentimin e vjedhjeve të tjera, të kryera nga ky grup i strukturuar kriminal.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura