Operacioni i RENEA-s në 5 të mëngjesit që arrestoi Enver Divën, i dyshuar për vrasjen e vëllezërve Haxhia. Person me rrezikshmëri të lartë, u arratis nga burgu dhe…

Jun 17, 2021 | 10:28
SHPËRNDAJE

policia-renea

Forcat speciale të RENEA-s kanë kryer në orët e para të mëngjesit të së enjtes një operacion në Mamurras, ku kanë arrestuar 42-vjeçarin Enver Diva, një person me precedentë penalë kryesisht për grabitje.

Gazetarja e “Panorama” Etleva Delia bën me dije se Diva, aktualisht ishte person i shpallur në kërkim dhe cilësohej nga policia me rrezikshmëri të lartë kriminale.

Por nga hetimet, ka rezultuar se Enver Diva ishte përfshirë dhe në vrasjen e dy vëllezërve Haxhia në Durrës një vit më parë.

Enver Diva u arrestua në orën 05:00 të mengjesit të së enjtes, 17 qershor, si i dyshuar për vrasjen e vëllezërve Besmir dhe Viktor Haxhia në prill të vitit të kaluar në Durrës.

Për këtë vrasje, në kërkim policia ka shpallur edhe Talo Çelën.

Kujtojmë këtu që Enver Diva është arratisur nga burgu i Shënkollit në vitin 2013, ndërsa rezulton i përfshirë në një grabitje të ndodhur në vitin 2009.

Më 12 mars të vitit 2009, tre persona të armatosur dhe të maskuar (mes tyre Enver Diva) i vodhën nën kërcënimin e armëve një sasi të madhe parash tre punonjësve të filialit të Postës Shqiptare në Lezhë.

Diva, nga Mamurrasi, u arrestua në një mal, afër qytetit të Lezhës, ku ai qëndronte i fshehur, disa ditë pas grabitjes.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura