Operacioni i RENEA/ Denoncimi i PD: Kryebashkiaku i Fushë-Arrzit liroi policin e arrestuar për drogë

Aug 5, 2021 | 10:41
SHPËRNDAJE

MARIGLEN KUME/ Partia Demokratike akuzoi dje kryetarin e Bashkisë së Fushë-Arrzit se ka ndërhyrë për të liruar kushëririn e tij që u arrestua po dje gjatë një operacioni të RENEA-s për zbulimin e një parcele me kanabis.

Kryetari i Bashkisë së Fushë-Arrzit, Fran Tuci
Kryetari i Bashkisë së Fushë-Arrzit, Fran Tuci

Përmes një njoftimi të shpërndarë për mediat, selia blu bëri me dije se në PD mbërriti dje një denoncim ku thuhej se forcat speciale të Policisë shoqëruan dje oficerin e Policisë Gjyqësore, Kastriot Bicukaj, në zonën e Pukës.

Shoqërimi i punonjësit të Policisë erdhi në kuadër të një operacioni të RENEA-s në zonën e Pukës ku sipas PD-së, është zbuluar edhe një parcelë e madhe e miell me bimë kanabisi.

Por sipas PD-së, në vend që çështja t’i kalonte SPAK-ut për hetim për shkak të përfshirjes së oficerit të Policisë Gjyqësore, ky i fundit është liruar sërish pas ndërhyrjes të kryetarit të Bashkisë së Fushë-Arrzit, Fran Tuci.

“I tillë është denoncimi që na ka ardhur sot mbi ndërhyrjen e forcave RENEA në zonën e Pukës. Operacioni ka zbuluar një parcelë të madhe të mbjellë me kanabis, në kuadër të po këtij operacioni është ndaluar oficeri i Policisë Gjyqësore, Kastriot Bicukaj. Kjo çështje duhet t’i kalonte menjëherë SPAK, por oficeri është lënë i lirë, duke e kaluar çështjen pranë Prokurorisë së Pukës, falë mbrojtjes politike që ai gëzon prej kushëririt të tij Fran Tuci, kryetar i Bashkisë së Fushë-Arrzit.

Ky operacion, i cili nuk është bërë ende publik nga Policia e Shtetit, dëshmon edhe njëherë se kanabisi është ende një çështje në duart e atyre që e kthyen Shqipërinë në Kolumbinë e Europës dhe se askush nuk ndalohet nëse pas rrënjëve të bimës narkotike shfaqen persona të lidhur me partinë-shtet.

Vendi ynë renditet nga Organizata e Kombeve të Bashkuara si i pari në Europë për prodhimin e kanabisit, pikërisht prej vullnetit politik që e kthen kanabisin në një ndërmarrje të përbashkët midis krimit dhe partisë në pushtet, ndërsa Policinë e shndërron në mbrojtëse të parcelave, apo siç dëshmon hetimi i Antimafias italiane, duke i përdorur forcat e rendit si punëtorë krahu për ngarkimin e gomoneve me drogë”, njoftoi Partia Demokratike.

AKUZA

Në vijim të njoftimit të saj, selia blu akuzon Kryeministrin Rama se në këto 8 vite qeverisjeje ka instaluar modelin e qeverisjes me kriminelët, të cilët sipas PDsë, kanë kanabizuar vendin, duke e renditur Shqipërinë në krye të listës në europë, si vend prodhues.

Prej vitesh, Partia Demokratike ka denoncuar me fakte modelin e bashkëpunimit me krimin të ndërtuar nga Edi Rama. Koha na ka dhënë gjithmonë të drejtë, prandaj nuk duhet pritur që detyrën e institucioneve shqiptare ta kryejnë partnerët ndërkombëtarë, por është detyra e SPAK-ut të marrë në dorë këtë hetim të penguar nga partia në pushtet. Çrrënjosja e krimit dhe korrupsionit kërkon një drejtësi reaguese, të gatshme t’u kthej besimin qytetarëve dhe policëve të ndershëm që pengohen në kryerjen e detyrës së tyre”, vijoi reagimi i PD-së.

Sakaq, në njoftimin e saj PD-ja sjell në vëmendje se ka mision kryesor të sajin ndarjen e politikës nga krimi. Për të vazhduar këtë betejë në Shqipëri, PD-ja thotë se nuk gjejnë ortak tjetër veç qytetarëve dhe punonjësve të Policisë, të cilët sipas selisë blu janë të zhgënjyer nga bashkëpunimi i krimit me qeverinë.

“Ndarja e politikës nga krimi dhe lufta ndaj trafikut të drogës, që cenon rendin dhe sigurinë, është mision i Partisë Demokratike. Në këtë përballje nuk jemi vetëm, por kemi mbështetjen e qytetarëve dhe policëve të ndershëm, që ndihen të braktisur nga regjimi që bashkëpunon me krimin”, vijon më tej njoftimin PD-ja.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura