“Open Balkan”, Gjermania: Çdo bashkëpunim rajonal, i dobishëm! Detyra urgjente tani është…Ja reagimi i kryeministrit Rama

Aug 12, 2021 | 9:32
SHPËRNDAJE

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ai i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev dhe Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, janë duke e shtyrë përpara iniciativën e tyre të “mini-Shengenit”, të riemëruar tashmë si “Open Balkan”, pavarësisht se kësaj nisme s’po i bashkohet treshja tjetër e shteteve të Ballkanit Perëndimor – Kosova, Mali i Zi dhe Bosnja e Hercegovina.

open balkan qeveria gjermane

Megjithatë, pavarësisht qëndrimeve të Prishtinës, Podgoricës e Sarajevës, nismat për bashkëpunim rajonal po i përkrahin shtetet e fuqishme, si Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Gjermania.

Në një përgjigje ekskluzive për gazetën “Express” nga Qeveria Federale e Kancelares Angela Merkel, është thënë se çfarëdo bashkëpunimi rajonal në Ballkanin Perëndimor është fitimprurës. Nga Gjermania gjithashtu theksojnë se bashkëpunimi duhet të jetë gjithëpërfshirës dhe i hapur për të gjashta shtetet e Ballkanit Perëndimor.

“Çfarëdo bashkëpunimi rajonal në Ballkanin Perëndimor është i dobishëm. Në të njëjtën kohë është e rëndësishme që bashkëpunimi të mbetet gjithëpërfshirës dhe i hapur për të gjashta vendet në rajon. Kjo është arsyeja pse ne e mbështesim fuqishëm planin e veprimit për Tregun e Përbashkët Rajonal”, ka thënë për gazetën “Express” një zëdhënës i qeverisë gjermane.

Nga Berlini zyrtar kanë rikujtuar se të gjashtë liderët e Ballkanit Perëndimor i kanë dhënë zotimet e tyre në Samitin e fundit të Procesit të Berlinit, të mbajtur më 5 korrik për çështjen e planit të veprimit për Tregun e Përbashkët Rajonal, derisa e përmendin edhe kërkesën e Kancelares Merkel që të dyfishohen përpjekjet për finalizimin e katër marrëveshjeve deri më 6 tetor, kur edhe do të mbahet Samiti i radhës Bashkim Europian–Ballkan Perëndimor.

“Krerët e qeverive të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor e riafirmuan angazhimin për këtë projekt historik në Samitin e fundit të Procesit të Berlinit më 5 korrik. Detyra urgjente tani është të finalizohen negociatat e katër marrëveshjeve për lirinë e udhëtimit me kartat e identitetit, lirinë e udhëtimit për shtetasit e vendit të tretë dhe njohjen e kualifikimeve akademike e profesionale. Siç nënvizoi Kancelarja gjermane, Merkel, gjatë konferencës së shtypit pas Samitit të Procesit të Berlinit më 5 korrik, përpjekjet duhet të ridyzohen për ta arritur këtë hap të rëndësishëm përpara deri në samitin BE–Ballkan Perëndimor më 6 tetor”, ka shtuar tutje ky zëdhënës, në pyetjen se si qeveria gjermane e sheh iniciativën e “Open Balkan” dhe nëse shtetet tjera duhet t’i bashkohen një nisme të tillë.

Të pyetur nëse kjo nismë është një sinjal që Bashkimi Europian ta ndryshojë politikën e zgjerimit, meqë vendet e Ballkanit Perëndimor po kërkojnë rrugë të tjera të bashkëpunimit pa u anëtarësuar në BE, nga Berlini thonë se qëndrimi i tyre për “perspektivën drejt BE-së të vendeve të Ballkanit Perëndimor, bazuar në metodologjinë e re të zgjerimit, mbetet i pandryshueshëm”

Edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës thonë se i mbështesin përpjekjet e Ballkanit Perëndimor për ta forcuar integrimin ekonomik dhe i bëjnë thirrje qeverisë së Kosovës që t’u qaset me “mendje të hapur” përpjekjeve për integrim rajonal ekonomik.

“Në fund të fundit, qeveria e Kosovës duhet të vendosë se në cilat iniciativa do të bashkohet dhe cilat e mbështesin më së miri vizionin e saj ekonomik. Megjithatë, ne e inkurajojmë qeverinë që t’u qaset përpjekjeve për integrim rajonal ekonomik me mendje të hapur dhe t’i përqafojë zgjidhjet që japin rezultate për kosovarët, teksa i përmirësojnë raportet me fqinjët e saj”, ka deklaruar për Radion “Europa e Lirë” më 9 gusht një zëdhënës i Ambasadës amerikane në Prishtinë, duke iu përgjigjur pyetjeve lidhur me refuzimin e qeverisë së Kosovës për t’iu bashkuar iniciativës “Ballkani i Hapur”.

REAGIMI I RAMES

Kryeministri Edi Rama ka reaguar lidhur me projektin e “Open Balkan” ku janë përfshirë Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut, pas qëndrimit të Berlinit zyrtar pro iniciativës rajonale.

“’Çudi’! Qeveria gjermane e mbështetka‘Open Balkan’, ndryshe nga çfarë u thuhet njerëzve në Prishtinë e Tiranë prej atyre që s’pyesin për Amerikën”, shprehet Rama në një postim në “Twitter”.Reagimi i Edi Ramës vjen pas deklaratës nga qeveria gjermane, e cila tha sot për mediat e Kosovës se e mbështet iniciativën e re në rajon “Open Balkan”. Po ashtu, Berlini zyrtar deklaroi se “çfarëdo bashkëpunimi rajonal në Ballkanin Perëndimor është i dobishëm”. “’ÇUDI’! Qeveria gjermane e mbështetka‘Open Balkan’, ndryshe nga çfarë u thuhet njerëzve në Prishtinë e Tiranë prej atyre që s’pyesin për Amerikën dhe jo vetëm kaq, po kërkon nënshkrimin urgjent të marrëveshjeve për Tregun e Përbashkët Rajonal para Samitit BE-Ballkan në 6 tetor! ‘Open Balkan’, thotë qeveria gjermane, duhet të jetë gjithëpërfshirës dhe po, patjetër, kështu duhet të jetë e ndaj dera është e hapur, por as nuk përfshijmë dot kënd me zor, as nuk rrimë dot të presim sa t’u mbushet mendja atyre që s’duan të kuptojnë se kjo është rruga e së ardhmes!”, shkruan Rama.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura