“Open Balkan” apo “Procesi i Berlinit”?

Jul 2, 2022 | 8:31
SHPËRNDAJE

12814442_10209249941431784_968689739159081944_n

ARTUR LAZRI

Gjeopolitika e brishtë ballkanase, e ripërkufizuar nga mjeshtrit ndërkombëtarë e rajonalë, të dritës apo të backstage, po përjeton flirtin e saj më të madh pas projektit të ishJugosllavisë, iniciativën rajonale “Open Balkan”, vendosur përballë “Procesit të Berlinit” dhe samiteve të tjera të Bashkimit Evropian.

“Ballkani i hapur” u emërua zyrtarisht si një nismë apo projekt rajonal nën emrin e parë iniciues “Mini Shengen”, që përkufizon një zonë rajonale politike dhe ekonomike mes tri shteteve anëtare themeluese: Serbia, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, me sipërfaqe: 131.395 km2 dhe popullsi prej më shumë se 12 milionë banorë. Gjithashtu, ky projekt shihet dhe marketohet gjerësisht si një proces i zhvillimit dhe përgatitjes së vendeve brenda rajonit të Ballkanit apo ndryshe Evropës Juglindore, drejt hapjes së negociatave për anëtarësim dhe pastaj anëtarësimit të plotë në Bashkimin Evropian.

Ideja e zonës “Mini Shengen” ka filluar që pas viteve ‘90, por takimi dhe deklarimi i parë i shteteve themeluese anëtare u realizua në Novi Sad të Serbisë, më 10 tetor 2019. Projekti parimor i kësaj nisme fokusohej në lëvizjen e lirë të kapitalit, mallrave, shërbimeve dhe njerëzve. Më pas u realizuan dy takime, në Ohër, më 11 nëntor 2019, dhe në Durrës më 12 dhjetor 2019. Në tri takimet e para u dakordësuan të tre liderët: Vuçiç, Rama e Zaev, që të krijohej një zonë e përbashkët ekonomike, e cila më pas do shoqërohej me përmirësim dhe integrim rajonal të politikave ekonomike, politike e sociale mes tri shteteve.

Në takimin e radhës në Ohër, më 29 korrik 2021, Vuçiç, Rama e Zaev nënshkruan marrëveshjet për liberalizimin e qarkullimit të mallrave, unifikimin e tregut të punës dhe bashkëpunimin kundër katastrofave.

Takimi i “Open Balkan” në Tiranë, më 21 dhjetor 2021, u zhvillua me pritshmëri të lartë, për shkak se tashmë marrëdhëniet mes liderëve ballkanas ishin konsoliduar, gjithashtu edhe idetë rajonale ishin qartësuar politikisht e ekonomikisht.

Marrëveshjet e arritura në Tiranë treguan hapa konkretë të dëshirës e tundimit për zhvillimin e projektit të ri rajonal. Marrëveshja për një treg të përbashkët dhe të lirë pune mes Shqipërisë, Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut, marrëveshja për ngritjen e një skeme të përbashkët ndërlidhje elektronike identifikimi për qytetarët në Ballkanin Perëndimor, marrëveshja ndërqeveritare mes Shqipërisë, Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut për bashkëpunimin në fushën e veterinarisë, sigurisë ushqimore dhe atë të fitosanitarisë në Ballkanin Perëndimor dhe marrëveshja e tri qeverive përkatëse për njohje të ndërsjellë të operatorit ekonomik për siguri (AEOS).

Takimi dyditor spektakolar mediatik rajonal në Ohër, me 7-8 qershor 2022, u mbajt me entuziazëm të shtuar për shkak të afrimit me statusin e vëzhguesit të dy shteteve: Bosnjë-Hercegovina dhe Mali i Zi, duke iu bashkuar tri shteteve themeluese të iniciativës, Serbi, Shqipëri dhe Maqedonia e Veriut. Ndërkohë, i pranishëm ishte edhe Komisioneri për Zgjerim i BE-së, Oliver Varhelyi, ndërsa përmes videomesazhit komunikoi edhe zëvendësndihmëssekretari amerikan i Shtetit, Gabriel Escobar.

Spektakli kryesor si në takimet paraardhëse, ishte mes Vuçiç e Ramës, ku njëri deklaronte se pa Ramën nuk do mbahej dot “Open Balkan” e tjetri mbante ison se Vuçiç ishte në vështirësi për shkak të presionit ndërkombëtar dhe lidhjeve me Rusinë.

Në Ohër u nënshkrua një marrëveshje dhe tri memorandume mirëkuptimi. Marrëveshja për bashkëpunim në Ballkanin Perëndimor në fushën e njohjes reciproke të diplomave dhe notave shkencore të lëshuara në institucionet e arsimit të lartë dhe të tjera institucione të autorizuara, memorandumi i mirëkuptimit për bashkëpunim në fushën e turizmit në Ballkanin Perëndimor, memorandumi i mirëkuptimit për bashkëpunimin kulturor në Ballkanin Perëndimor dhe memorandumi i mirëkuptimit për bashkëpunimin e administratave tatimore në Ballkanin Perëndimor.

Kosova është i vetmi vend që refuzon kategorikisht t’i bashkohet “Open Balkan”, për atë që liderët e Kosovës e quajnë “qasja e Serbisë, e cila nuk e njeh pavarësinë e Kosovës”. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e refuzoi ftesën e Kryeministrit maqedonas Dimitar Kovaçevski për të marrë pjesë në takimin e Ohrit dhe me anë të një letre i shkroi se “Kosova është e angazhuar në Procesin e Berlinit, që u miratua nga të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor në Samitin e Sofjes në vitin 2020 dhe u mbështet nga Bashkimi Evropian”.

Ndërkohë që “Open Balkan” po shteron kohën e nevojshme për ta kuptuar qartësisht e keqkuptuar po qartësisht, përkrahësit e proklamojnë si një lëvizje origjinale rajonale integruese, ndërsa kritikët dhe njohësit e gjeopolitikës e analizojnë si mbivendosje e pakuptimtë apo më tej djallëzore e procesit evropian të quajtur “Procesi i Berlinit” e në vazhdim të samiteve të tjera të BE-së.

Dualizmi i “Open Balkan” me “Procesin e Berlinit”, një proces i iniciuar e i drejtuar nga Gjermania dhe mbështetur fuqishëm nga Bashkimi Evropian, mund të shërbejë për të treguar se liderët e Ballkanit kur kanë qëllime parimore rajonale e ndërkombëtare, janë vetë të aftë të marrin iniciativa zhvilluese dhe integruese për vendet dhe qytetarët e tyre. “Procesi i Berlinit”, i cili filloi me Konferencën e Berlinit, më 28 gusht 2014 nga Kancelarja Angela Merkel, mblodhi pa paragjykim të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor apo Evropës Juglindore dhe filloi të aplikojë projekte konkrete për zhvillimin dhe integrimin e rajonit sipas teorisë gjermane investim-zhvillim-integrim; si: hekurudha rajonale apo investime strategjike në infrastrukturë e energji, por në ndryshim thelbësor, kërkonte vazhdimisht reformat demokratike, zhvillimin real të shteteve ballkanike dhe uljen e korrupsionit të lartë në këmbim të investimeve të mësipërme.

A është në të vërtetë mënjanimi apo largimi nga Procesi i Berlinit dhe samitet e tjera evropiane, një dështim me “dëshirë” i liderëve ballkanas në reformat demokratike dhe uljen e korrupsionit në vendet e tyre?

Kujt i leverdis mbivendosja e dy proceseve dhe fuqizimi i një procesi të dyshueshëm “tërësisht” ballkanik?

A është Serbia iniciuese dhe e favorizuara e “Open Balkan”?

Studiuesi i njohur rus i çështjeve ballkanike, Valeri Emeljanov, Drejtor i Qendrës Ruse të Analitikës dhe Informacionit në një analizë botuar në 31 korrik 2021, analizon Minishengenin ose Ballkanin e Hapur. Duke analizuar balancat dhe qëllimet thelbësore të projektit, analisti rus shkruan: “Shqipëria për Beogradin është dalje në det, nga e cila u privua me rënien e Jugosllavisë dhe më vonë të Federatës Serbo-Malazeze”. Gjithashtu ai thekson: “Serbia, shteti më i fuqishëm i aleancës së ‘Ballkanit të Hapur’ natyrisht është e interesuar për vërshimin e mallrave të lira dhe të shërbimeve të lira nga vendet fqinjë. Përveç kësaj, “Ballkani i Hapur” është rikthim i qartë te statusi i liderit rajonal, të cilin Serbia dhe serbët tradicionalisht e kanë pasur në Ballkanin Perëndimor. Mospjesëmarrja e Kosovës në aleancat e tipit të Minishengenit “Ballkan i hapur”, realisht dhe qartë përcaktohet nga fakti se atë e drejton Serbia.

Aleksandër Vuçiç, si një lider i “Open Balkan”, në momentin e zgjedhjes si President i Serbisë për herë të dytë, theksoi si prioritet: “Ju garantoj se do të ruajmë paqen, stabilitetin, Kosovën dhe Metohinë…”

Vizita e Vuçiç dhe vendosja e luleve në të ashtuquajturën “Monumenti i Heronjve të Koshares”, në Beograd më 15 qershor 2022, duke theksuar se: “Ju nuk lejuat terroristët shqiptarë të hynin në ish-Jugosllavi”, tregon qartë qëllimet apo prapaskenat gjeopolitike mes teorisë se projekti i “Open Balkan” është bashkëpunim dhe integrim i sinqertë rajonal dhe teorisë se gjithçka luhet thjesht për dominim të Serbisë që nuk kërkon akoma minimalisht falje publike e nuk ndryshon mendje rreth gjenocidit të kryer nga serbët në Kosovë, si dhe të satelitëve lider në rajonin e brishtë dhe të shkumëzuar nga teoritë konspirative herë-herë edhe të pavërteta. Shtimin e problematikave dhe konspiracioneve rreth “Open Balkan”, e përforcoi ministri i Jashtëm rus Sergey Lavrov, kur deklaroi pas anulimit të vizitës së tij në Beograd, se: “ai dhe Rusia e mbështesin fort “Ballkanin e Hapur” për shkak të Serbisë, ndërsa BE don një Ballkan të mbyllur”.

Bashkimi Evropian, pavarësisht luftës në Ukrainë që ka marrë vëmendjen e plotë, dëshiron fuqishëm integrimin e rajonit të Ballkanit në BE, si e vetmja mënyrë dhe qasje realpolitike për ta zhvilluar e larguar rajonin problematik evropiano-juglindor nga influencat dhe pështjellimet negative.

Samiti historik i BE-së kushtuar Ballkanit Perëndimor, në Bruksel, në datat 23-24 qershor 2022, kapi në befasi të plotë kritikët dhe zjarrvënësit e proceseve evropiane, duke dominuar agjendat parësore e dytësore, konspiracionet ballkanase e gjeopolitikën globale.

Pranimi unanim si vend kandidat i Ukrainës dhe Moldavisë, është në realitet përtej luftës dhe sfidës ushtarake, një qasje dhe një gjeopolitikë e pastër strategjike se Bashkimi Evropian ka vendosur qartë të mbrojë dhe të zgjerojë strukturalisht kufijtë e saj, duke mbajtur fort peshën nga krijimi i BE-së, drejt së ardhmes perëndimore demokratike.

“Procesi i Berlinit” e në vazhdimësi samitet e radhës, sidomos i fundit “Samiti i Brukselit” përforcojnë tashmë idenë se BEja pas një gjumi të thellë, ka konsoliduar veprimet e saj në unison me SHBA-në e NATOn, për të treguar gjeopolitikisht fuqinë e vërtetë evropiane si aktor demokratik kontinental e global, fuqi aq shumë e diskutuar dhe e anatemuar.

Vendosmëria e BE-së u tregua edhe në heqjen e “vetos” bullgare për Maqedoninë e Veriut, që shkoi deri në rrëzimin e qeverisë aktuale të Kryeministrit Petkov në Bullgari.

Ballkani Perëndimor apo Evropa Juglindore ka aktualisht Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë në stadin e hapjes së negociatave me BE-në, Serbinë dhe Malin e Zi që i kanë hapur negociatat tashmë dhe vazhdojnë plotësimin e kapitujve të anëtarësimit, por Serbia ka kusht njohjen e plotë të Kosovës në rrugën evropiane, Bosnjë-Hercegovina nuk ka hapur akoma negociatat dhe Kosova që ka plotësuar kushtet dhe pret liberalizimin e vizave me BE-në.

Deklarata e paprecedent në Samitin e Brukselit e Kryeministrit Rama: “Mbështeteni ‘Open Balkan’ ose rajoni do të shkatërrohet”, refuzimi momental i propozimit francez për hapjen e negociatave nga Kryeministri Kovaçevski i Maqedonisë së Veriut, si dhe deklarata në Bruksel para gazetarëve e Vuçiç kur e pyesin se çfarë do bëjë ai për Kosovën meqë Kryeministri gjerman, Olaf Scholz, pret njohjen e plotë: “Të mos presin hiç për këtë”, tregon për tensionet e forta që ka shkaktuar vendosmëria e BE-së për të integruar me çdo kusht rajonin, si dhe kontradiktat e vërteta ballkanike që ekzistojnë midis asaj që deklarohet dhe asaj që është në të vërtetë.

Në fakt, tensionet kuptohen qartë pse ndodhin.

Bashkimi Evropian, në këmbim të integrimit të vendeve problematike të Ballkanit Perëndimor, kërkon dhe ngulmon në plotësimin e kritereve dhe kushteve paraprake në reforma demokratike, në zhvillim real dhe sidomos në dënimin e korrupsionit tepër të lartë që ekziston në të gjitha vendet e rajonit.

Projekti “Open Balkan”, përveçse po mbivendos të gjitha marrëveshjet e nënshkruara në “Procesin e Berlinit” dhe marrëveshjet e CEFTA-s, po minon demokracinë reale duke mos dhënë fare llogari para asnjë strukture evropiane apo ndërkombëtare, por shkon akoma më tej, duke keqpërdorur politikat dhe lidershipin autokrat të shteteve me makinacione ballkanike.

Dashuria gjeopolitike rajonale ballkanike në dritë apo errësirë duhet të marrë fund ndaj proceseve mbivendosëse jo transparente, jo gjithëpërfshirëse dhe që nuk rakordohen me vlerat dhe politikat kryesore integruese e zhvilluese të BE-SHBA-NATO, që konvergojnë në demokraci të zhvilluar e të konsoliduar, si dhe integrim e bashkëpunim jo hileqar, por të sinqertë rajonal e ndërkombëtar.

 

© Panorama.al

Te lidhura