Prapaskenat e shfaqjes së nxehtë, Olta Gixhari tentoi të zhvishej nudo në skenë. E ndaloi Sukniqi

Jun 30, 2015 | 7:13
SHPËRNDAJE

Deri më sot, sikleti o bezdia që mund të kemi ndjerë në salla teatrosh a kinemash, mund t’i adresohet ndonjë përtypjeje të pakontrolluar apo komenteve që shoqërojnë titrat e përkthimit.   

Olta Gixhari në skenë

Edhe në raste filmash erotikë, siç shumë prej jush mund të kujtojnë “50 hijet e Grey”-t, nuk bëjmë zë sepse pamjet janë “të jashtme”. Ama, nëse na ndodh në shtëpi, nuk përmbahemi. 


Kur aktorja Olta Gixhari hyri në pjesën e saj te shfaqja e koreografit Arian Sukniqi, “Penetrimi i shpirtrave”, hormonet nuk se u përmbajtën nga të gjithë. Pati të hutuar, të “shqetësuar” që nuk po dinin më, nëse po flisnin me vete apo me shokun. 


Aty pëshpëritnin, aty shfrynin… Me siguri më vonë, jo më në praninë e spektatorëve të tjerë, shumë u janë rikthyer pamjeve që shfaqja e Sukniqit u la në kujtesë. Mbase janë çliruar! Atmosfera mund të kishte qenë më e lagësht nëse Olta Gixharit do t’i ishin plotësuar të gjitha dëshirat.

Ajo u shfaq bionde, sensuale, me një fustan të zi e pupa balerine. Zhveshi këmishën, e lidhi në brez e ju drejtua skenës. Në fakt, ajo vetë, siç mësuam në përfundim të shfaqjes, do të kishte dashur që skena të mos ishte krejt kështu. Le të ishin të gjitha lëvizjet, harkimet e rënkimet, por ajo vetë, të shfaqej ndryshe.

Aktorja durrsake i pati kërkuar koreografit Arian Sukniqi, pasi ai e kërkoi të ishte pjesë e këtij projekti privat që u vu në Teatrin Kombëtar, që të dilte në skenë krejt e zhveshur. Përveç mishit, nuk donte shtesa të kota. Kur e dëgjuam, e gjithë kjo na u duk si trillim i yshtur nga sensualiteti i atmosferës.

Mbase, ata që e shpikën, vetëm sa kanë shprehur dëshirën e tyre! Janë lodhur nga koprracia e Oltës që, përmes fotografive që publikon në rrjetet sociale, i mundon javë pas jave me copëza nga trupi i saj. Një fundjavë nxjerr këmbën, një tjetër gjoksin, një tjetër thoin, e kështu me radhë.

Me të gjitha copëzat e pazëllit, publiku (ai i gjeri fare) nuk e ka parë ndonjëherë. Mirëpo, kontaktuam për këtë pikërisht koreografin. Ai ishte i pari dhe i vetmi që duhet ta dinte me siguri.

Pas pyetjes sonë nëse Olta kishte kërkuar vërtet të shfaqej krejtësisht e zhveshur në skenë, Sukniqi u përgjigj së pari me një buzëqeshje të luhatur, duke thënë se “pse nuk e bëri, nëse donte!”. Por në fakt, konfirmoi menjëherë më pas se nëse kjo do të kishte ndodhur, e gjithë shfaqja mund të merrte dimensione të tjera, krejt të ndryshme nga qëllimet e tij artistike, që arritën të përcillen më së miri.

“Synimi im nuk ishte lakuriqësia, mendoj se të ishte kjo pjesë, do ta dëmtonte veprën. Sigurisht që mund të kishte krijuar shumë më tepër zhurmë seç bëri, por në fund, nuk është ky qëllimi. Olta mund të donte, por shfaqja nuk mund të kishte provokime seksuale, duhej, siç u bë, të ishte brenda formatit që unë jam mësuar e edukuar”, tha Sukniqi, duke konfirmuar kështu dëshirën e Oltës. Qysh në fillim koreografi e kishte bërë të qartë se nuk do të provokonte me lakuriqësi.

Sipas tij, këto janë gjëra të tejkaluara tashmë. Por “Penetrimi i shpirtrave” ishte një shfaqje koreografike dhe balerinët ishin ata që mbanin peshën e shfaqjes. Për të interpretuar këtë pjesë, Sukniqi kishte ftuar dy balerinë të Trupës së Baletit të Athinës, Altin Korutin dhe Aretina Notin, të cilët ofruan një performancë të shkëlqyer.

Por, duke qenë se koreografia ishte mbështetur në një vëllim me poezi erotike, shfaqja kishte pjesët e saj provokuese, puthje lezbike, prekje. Nuk kishte si të ndodhte ndryshe, poezitë e Rita Petros, nuk mund të mos të të provokojnë. Dhe aty nga mesi, kur dy balerina ishin duke interpretuar një duet që linte të kuptoje se bëhej fjalë për një marrëdhënie homoseksuale, ia beh nga salla Olta Gixhari, e cila sh këput disa vargje nga poezitë e Petros.

Nën tingujt e “El tango de Roxane” nga “Mouline Rouge, Olta shpërthen bashkë me balerinët, të cilët e rrethojnë dhe e prekin nga të gjitha anët… Vetëm katër minuta i duheshin Oltës… Nëse të gjithë po përpiqeni të parafytyroni se si do të dukej skena nëse aktorja do të ishte e zhveshur, prisni edhe ca… me siguri do të ketë raste të tjera. Jo se kjo shfaqje përfundoi, jo…

Do të rivihet në skenën e Teatrit të Butrintit, siç na njoftoi koreografi Sukniqi, në datën 17 korrik dhe më pas, në tetor, do të shfaqet në Paris. Mos mendoni se do të ndryshojë gjë. As nxehtësia e korrikut nëpër gurët e nxehtë të Butrintit nuk do ta bëjë koreografin të ndryshojë mendje. Por ju, sido që të jetë, kaloni njëherë… fundja Olta do të shkojë edhe në plazh.

Koncepti koreografik i shfaqjes sipas Sukniqit
“Kjo është një shfaqje, ku dominancë është filozofia e erosit, sepse ashtu e ka të shkruar. Është marrë thelbi dhe fryma për ta tendosur plastikisht vargun, por jo se çfarë ka thënë Rita në poezi unë ta bëj këtu për t’u bërë si një zbatues i fjalës, përkundrazi është fryma. Kjo është një shfaqje që vjen rishtazi. Është shfaqje që ne e kemi quajtur ‘pluhur-show’, sepse ashtu si libri i Ritës që ka thyer shumë tabu, ka depërtuar shumë në mentalitetin e njerëzve, kjo shfaqje vërtet do të bëjë pluhur, sepse vjen gjë e rëndë, jo se do të çudisë dynjanë, por vjen historia sepse godet në një mentalitet dhe mesazhet që përçon. Nuk ka lakuriqësi në vepër, nuk ka provokim seksual, është një vepër brenda të gjitha normave të formatit që unë jam edukuar. Është ngjitur në skenë me një format që besoj është ekselencë këtë radhë, sepse ka ardhur shumë e ndjerë.

Në poezinë e Rita Petros, ajo përdor vëllai im ose i dashuri im, dhe pastaj vazhdon të gjitha marrëdhëniet dhe kushdo në kuptim e parë të fjalës mendon se Rita promovon incestin. Nuk është kështu, që nga mitologjia dy dashuri njeh njerëzimi, është dashuria e motrës për vëllain dhe dashuria e të dashurit për të dashurën, ose anasjelltas. Këto janë dy dashuritë më të mëdha, që nuk i ka thyer kurrkush në botë. Dhe ajo prandaj e përdor vëllain për ta sublimuar gjithë këtë dashuri, pavarësisht se ajo kalon dhe në historinë tjetër, që e lidh gjithmonë me marrëdhënien seksuale. Në Shqipëri është shumë aktuale kjo veçori, ne na ndodh të gjithëve, në njëfarë mënyre ne jemi mëkatarë, që do të thotë që nuk kujdesemi, historinë e marrëdhënies, të seksit, e quajmë si punë rëndom”.

ANI JAUPAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura