Olta Gixhari: Si ndihem nën lëkurën e Natashës, te “Tri motrat”

Jan 11, 2016 | 12:29
SHPËRNDAJE

Ka tre muaj e gjysmë që po përgatitet për rolin e një femre të jashtëzakonshme, si rusja Natasha te kryevepra botërore e Anton Çehovit, “Tri motrat”.

Premiera e shfaqjes me regji të Hervin Çulit do të vihet në skenën e Teatrit Kombëtar më 16-17 janar, ku aktorja Olta Gixhari është një nga të përzgjedhurat e Çulit për të sjellë në Tiranë atmosferën ruse të viteve ‘900. Aktorja thotë se po e përjeton shumë këtë shfaqje, pasi sipas saj të kesh një rol Çehovi në CV është arritje e madhe për një aktor.

“Me Natashën na bashkon energjia që posedojmë, dhe tek aftësia për të arritur gjithçka që duam në jetë. Për sa i takon karakterit femëror, s’ka të përbashkëta mes meje dhe personazhit, pasi nuk ndihem si një femër tipike ruse e kohëve klasike. Sipas regjisorit të kësaj kryevepre botërore, Hervin Çuli, jam personi i përshtatshëm për të interpretuar këtë rol, që kërkon jo vetëm një femër të pashme dhe të lezetshme në tip, por edhe aktoren profesioniste”, tha Olta.

olta1

Paralelisht me “Tri motrat”, Gixharin e shohim çdo javë në show-n “Në një javë” në TCH, ku VIP-at po sfidojnë njëri-tjetrin në performanca që kërkojnë shumë përgatitje fizike.

“Më vjen shumë keq që nuk jam 100 për qind unë Olta në këtë spektakël, pasi puna për rolin më ka përfshirë të ndihem 50 për qind Natashë. Është hera e parë që mendohem më shumë se një herë kur flas në një show, dhe kjo më ndodh ngaqë kam tre muaj e gjysmë në provat e shfaqjes dhe ndihem shumë brenda personazhit, aq sa më ngatërrohen situatat, pasi herë ndihem Olta e herë Natasha.

Ndoshta duket si klishe kjo që po ju them, por është më se e sinqertë nga ana ime”, shprehet ajo. “Më vjen shumë keq për këtë pasi i dashuroj show-t televizivë, sepse i shijoj si momente relaksi”, thekson artistja. Këtë periudhë Olta ndihet po ashtu në formë shumë të mirë fizike.

olta2

“Së pari ankthi që ndiej si pasojë e dy angazhimeve të rëndësishme njëkohësisht dhe vrapi në prova, së dyti kam filluar një dietë, por që nuk arrij ta konsumoj në mënyrë strikte se nuk kam kohë, dhe së treti mund të them se kam filluar të ushtrohem intensivisht me numrat e kërcimit dhe po ashtu me orë plus në palestër”, tregon ajo.

Kuriozohemi të dimë se çfarë plani ka për jetën një vajzë me shpirt të lirë si Olta, nisur nga motoja e shfaqjes “Tri motrat”: “Nëse ke frikë nga vetmia, mos u marto!” Por jo, Olta për veten e saj dëshiron të kundërtën, ndërsa shprehet: “Unë dua të martohem. E provon njeriu, të paktën të thonë ‘ka qenë një herë e martuar ajo’, se asnjëherë nuk shkon”, përgjigjet ajo duke qeshur.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura