Olta Daku si Shirli Valentina, në Durrës e Korçë/ Shtëpiakja e dëshpëruar që i arratiset realitetit

Nov 17, 2017 | 15:03
SHPËRNDAJE

Nga qyteti i Korçës e më pas Teatri Kombëtar në Tiranë, ku për javë të tëra Olta Daku dhe regjisorja Driada Dervishi erdhën me shfaqen “8 femrat”, të dyja po rikthehen sërish në Durrës, atje ku mori formë e shkëlqeu Shirli Valentina.

Pas premierës dhe atyre pak shfaqjeve që u prezantuan në qershor, pjesa rivjen me forcën e qetë- sisë në dukje (dhe në rol) dhe me batutën e prerë të Olta Dakut. Me habinë, hutimin, zbulimet e inteligjencën që mund t’i jepte këtij roli vetëm Olta Daku, Shirli do të ndikojë në shkundjen e shumë mendimeve të fjetura, pas çdo shfaqjeje.23621273_10210620626019408_6394299625463965163_n

“Shirli Valentina vjen nga një aktore që mishëron humorin, ashtu edhe ngrohtësinë, vrullin dhe kurajën, sarkazmën dhe autoironinë, e mrekullueshmja Olta Daku, e cila, përmes Shirlit, na fton për të besuar se nuk është asnjëherë shumë vonë për të realizuar ëndrrat”, ka thënë regjisorja Driada Dervishi, duke e vlerësuar veprën në tërësinë e saj, nga elementet thelbësore që për ne mbeten aktuale, e deri te skenografia e kostumografia e realizuar nga Laedia Hajdari dhe përkthyesi Artur Lena.

Shirlin, që u rikthye të shtunën në mbrëmje dhe do të vijojë sot e nesër, do të mund ta shohim edhe në Korçë, qytet prej nga duket se nuk po ndahen dot as aktorja e as regjisorja Dervishi. Pështjellime si ato të Shirli Valentinës, 42-vjeçares nga Liverpuli, njerëzit kanë përditë; arritja e aktualitetit është që i kanë, pavarësisht viteve e pavarësisht vendit ku jetojnë! Mbase nuk janë të gjithë aq të kthjellët sa ta kuptojnë, por duan të ikin! Ku të jetë…

As Shirli Valentina nuk e kishte kaq të thjeshtë për ta kuptuar! Iu deshën sa e sa biseda të shtruara me murin, tiganin, pataten e vezët, që një ditë të përmendej. Të kuptonte që kishte frymë edhe pa uniformën e përparëses! Pa tekat e burrit dhe pa hormonet e së bijës! Shirli mund t’ia dalë vetë dhe e bën në mënyrën më të mirë, me ato vendimet e pamenduara që i merr duke shkuar për në punë dhe kthehesh nga rruga për t’u zhvendosur në një qytet tjetër. Kur e tjetërsoi dufin në veprim, Shirli gjendej në aeroport, për t’u kthyer nga Greqia në Liverpol. Ndenji aty!

Pa parë orën dhe pa pyetur se ç’ditë e javës ishte… është një ridimensionim, që ndodhi në pak më tepër se një orë, mbrëmë, në teatrin “Aleksandër Moisiu”, në Durrës. Sigurisht, me kaq ulje-ngritje humori të një gruaje në krizë, e treguar mund të ngjante edhe e mërzitshme nëse aktorja në skenë nuk do të ishte Olta Daku.

Me vetironi të spikatur dhe profesionalizëm tashmë të vulosur, e ke pak të vështirë të besosh që Shirli Valentina dhe Olta Daku janë njeriu dhe personazhi. Për ta arritur këtë, Daku është zhvendosur prej ditësh në Durrës për të qenë në prova me regjisoren e shfaqjes, Driada Dervishi.

Në provat e një dite përpara shfaqjes, ndihej te të dyja tensioni i premierës, sepse të dyja duan të arrijnë më të mirën, ndoshta pa kuptuar që më e mira ishte gatuar tashmë dhe ishte gati për t’u shfaqur dje e për t’u rishfaqur sërish sot në mbrëmje, në orën 20:00. Vepra pikante e autorit anglez, Willy Russell, suksesi i së cilës është bërë tashmë i famshëm kudo ku është shfaqur nëpër botë, mundësohet nga Ministria e Kulturës dhe Bashkia Tiranë, në bashkëpunim me teatrin “Aleksandër Moisiu”.

Pikërisht aty do të shihni përditë Olta Dakun të shndërruar në personazh, do të qeshni me të, do të harroheni, e pastaj, në fund, do të përmendeni për t’u kujtuar që në shtëpi mund të jetë duke ju pritur një realitet i ngjashëm, prej të cilit shfaqja ju ka larguar, sepse Olta mund t’ju bëjë të harroheni!

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura