Oleg Arapi bashkon Montegë e Kapuletë në koncert

May 31, 2017 | 15:07
SHPËRNDAJE

Montegët dhe Kapuletët do të ngjiten në skenën e Universitetit të Arteve, por kësaj here përmes muzikës. Vepra e kompozitorit Sergei Prokofiev vjen për publikun nga Orkestra Simfonike e RTSH-së në mbrëmjen e 2 qershorit në skenën e Universitetit të Arteve.

Oleg Arapi
Oleg Arapi

Do të luhen disa nga veprat më të bukura të kompozitorit rus si: “Symphony No. 1 Opus 25 Classical”, koncerti për piano No. 3 in C major, Op. 26, “Romeo and Juliet” Opus 64 (three excerpts), “Masks”, “Friar Laurence” si dhe “Dance of the Knights: Montagues and Capulets”.

Ky koncert vijon aktivitetin artistik të orkestrës së RTSHsë, me koncerte me vepra të zgjedhura nga autorë të njohur botërorë dhe shqiptarë, koncerte që kanë angazhuar artistë të njohur dhe dirigjentë të vlerësuar shqiptarë dhe të huaj. Koncerti i 2 qershorit vjen nën drejtimin e dirigjentit të njohur Oleg Arapi dhe solist në piano Shkëlzen Baftiari. Në shkurt të këtij viti dirigjenti Arapi ka qenë anëtar jurie në Konkursin Internacional të Pianistëve në Valleta të Maltës.

Në vijim të aktivitetit të tij, më 25 mars, ka dirigjuar koncert në Festivalin Internacional të Muzikës “Belt&Road” në Shenzhen, të Kinës. Dr. Oleg Arapi ka dirigjuar koncerte me solistë shqiptarë dhe të huaj, me vepra të kompozitorëve shqiptarë dhe të huaj.

Krahas aktivizimit në stinën koncertore me Orkestrën Simfonike të RTSH-së, ka drejtuar me formacione të ndryshme orkestrale në Avellino, Napoli, Salerno, Brindisi, Dibër të Madhe, Strugë, Prizren, Prishtinë, Sarajevë, në Katedralen Angleze dhe Qendrën Ndërkombëtare të Muzikës në Moskë, në Kapelen Perandorake në Shën-Petersburg.

Si dirigjent i ftuar ka dirigjuar koncerte me Orkestra Filarmonike në Poloni 4 koncerte, në Moskë 2 koncerte, në Ukrainë, në Ekuador 2 koncerte me Orkestrën Nacionale në Kryeqytetin Quito, në Pragë, si dhe Shenzhen, Kinë.

Repertori i dirigjentit përfshin veprat më të mira të kompozitorëve shqiptarë dhe atyre të huaj dhe në skenë ka vënë dhe premierën botërore të operës “La cartomante” të kompozitorit italian Salvatore Valente. Jep mësim në Universitetin e Arteve në Fakultetin e Muzikës.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura