Ogreni: Neda mama e përsosur për djalin tonë, ajo është superfemër

Mar 31, 2015 | 11:15
SHPËRNDAJE


Sapo festuan 1-mujorin e parë të djalit të tyre, Serzh. Kanë hyrë në vitin e pestë të njohjes dhe duket se jeta e çiftit të “Big Brother 4” Ogren Balluku dhe Neda Karafili po ecën siç kanë e dëshiruar. Ogreni flet tashmë nga pozitat e babait të ri dhe si po e përjetojnë këtë ndryshim të bukur në jetën e tyre.
Më 25 shkurt erdhi në jetë fëmija juaj i parë. Si po ndiheni me mysafirin e ri?
Fotoja që publikova te faqja ime në facebook, ishte përshkrimi më i mirë i asaj se si ndihemi. Ishte një fragment i çastit të parë, kur sapo u takuam bashkë të tre, shumë pak minuta pasi lindi djali, më 25 shkurt. Kjo datë mori kuptim shumë të veçantë për ne, pasi unë dhe Neda më datë 25 dhjetor kur filloi “Big Brother” u njohëm, u martuam më 25 korrik, dhe u bëmë prindër më 25 të muajit të kaluar. Kështu, numri 25 u skalit përgjithmonë në fatin tonë tani…
Ndryshe është të jesh në pritje të një fëmijë dhe ndryshe ta kesh fëmijën në duar. Po ju duket e vështirë?
Djali më 25 mars bëri një muaj dhe ne ndihemi vërtet shumë të lumtur. Sigurisht java e parë ishte pak ndryshe, me oraret dhe nevojën që ka djali për t’iu gjendur afër, por tani ia morëm dorën.
Ti je babai që vetëm e përkëdhel apo merresh me përkujdesjen?
Sigurisht, peshën, sakrificën dhe meritën më të madhe e ka Neda, e cila nuk fle më shumë se 5-6 orë në 24. Kjo pasi djali ushqehet me gji, kështu që nuk më jep mua shumë mundësi ta ndihmoj. Por e rikuperoj ndihmën te banja që i bëjmë çdo natë, ku angazhohem fuqishëm.
E keni quajtur Serzh, çfarë kuptimi ka ky emër për ju?
Ne dëshironim që djali ynë të kishte një emër relativisht të veçantë, që gjithashtu të kishte hijeshinë dhe akustikën e duhur si për një djalë të vogël e të bukur që është tani, ashtu dhe për një burrë të madh dhe karizmatik, që duam të bëhet në të ardhmen. Por edhe afiniteti që emri pati me mbiemrin sapo e shqiptuam për herë të parë, na bindi thuajse përfundimisht. Për të mos përmendur germën “zh” në fund, që pikërisht ashtu në shqip na intrigoi pa masë. Ishim gjithmonë partizanë të një emri të shqipëruar, që lexohet siç shkruhet, pa rënë pre e tundimeve moderne, të emrave që ndryshe shkruhen e ndryshe shqiptohen.
Prindërve të tu u pëlqeu ky emër, meqenëse Serzh është trashëgimtari i familjes Balluku?
Në fakt, emri pati një histori shumë interesante, e cila vulosi vendimmarrjen tonë përfundimisht. Pasi unë dhe Neda kishim klasifikuar emrin Serzh në dy-tri opsionet tona finale të preferuara, pyetëm prindërit e mi nëse ata kishin në mendje ndonjë emër, që mund të godiste akoma më shumë. Ishte ky çast, ku për çudinë tonë dhe një koincidencë shumë të rrallë, babai im nga të gjithë emrat e botës tha pikërisht atë dhe e shqipëroi ashtu siç e kishim dëshiruar, Serzh. Aty u vendos gjithçka.
Do e dëshironit dhe një vajzë sa më shpejt, apo s’i keni qëllim në vetvete shumë fëmijë?
Ngadalë-ngadalë, kemi kohë se jemi ende të rinj. Mami Neda është vetëm 24 vjeç. Për më tepër nuk është e lehtë, pasi është ajo që mban gjithë peshën e këtyre javëve, që kur ka ardhur djali në jetë. Më hapit dita-ditës sa shpejt ia ka marrë dorën dhe si e përballon përkujdesjen për 18-20 orë çdo ditë e natë. She’s my supergirl!

KLOTILDA HARKA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura