Ofertat e kandidatëve nuk arrijnë te qytetarët

Oct 6, 2017 | 11:18
SHPËRNDAJE

Pjesa më e madhe e kandidatëve të cilët janë futur në garë zgjedhore për të fituar besimin e elektoratit në komuna të caktuara në Maqedoni, ende nuk kanë publikuar online programin me të cilin garojnë në këto zgjedhje vendore.

5C13B00F-8404-4645-8500-47881386C952_cx8_cy0_cw93_w1023_r1_s

Përderisa partitë politike thonë se programin e ofertave zgjedhore ua prezantojnë kandidatët në komuna ku garojnë gjatë takimit drejtpërdrejtë me qytetarët.

Por, Lura Pollozhani nga organizata joqeveritare IMPAKT e cila drejton projektin “Zgjedhja ime”, për Radion Evropa e Lirë thotë se është më shumë rëndësi që të gjithë kandidatët të cilët janë futur në garë duhet ta kenë online programin e tyre, jo vetëm gjatë fushatës, por gjatë katër viteve të ardhshme, pavarësisht rezultatit zgjedhor, ashtu siç është praktikë e vendeve të zhvilluara evropiane për të nxitur tërë kohën debat rreth asaj se çka është premtuar dhe çka është realizuar nga drejtuesit e pushtetit vendor.

“Duhet të merret me seriozitet puna e programeve qe ofrojnë kandidatët e partive të ndryshme, të cilët janë futur në garë zgjedhore, që mos bëjnë një punë vetëm sipërfaqësisht, por të gjitha premtimet duhet të konceptohen në detaje”.

“Ne kur filluam me projektin e organizatës sonë ‘Përzgjedhja lokale’, asnjëra nga partitë politike nuk kishte program zgjedhor përpara 25 shtatorit kur zyrtarisht filloi fushata zgjedhore”.

“Madje, disa parti këto programe i publikuan me një javë vonesë dhe kjo nuk i lejon qytetarit kohë të mjaftueshme për të bërë një zgjidhje mbi bazë të informimit të përpiktë se çka ofrojnë partitë politike”.

“Në këtë mënyrë edhe përballja e partive politike me qytetarët, kundrejt projekteve të premtuara dhe ato të realizuara akoma lë për të dëshiruar”, thotë Lura Pollozhani nga organizata qeveritare IMPAKT.

Nga ana tjetër, politologu maqedonas Mitko Gaxhovski për Radion Evropa e Lirë thotë se partitë politike nuk i kushtojnë shumë kujdes programit zgjedhor sepse analizat tregojnë se qytetarët në Maqedoni votojnë për personalitetin e kandidatit dhe jo projektet e ofruara.

“Për qytetarët akoma nuk është më me rëndësi oferta për zgjidhjen e një çështje të madhe që tangon interesat e qytetarëve, përkatësisht do bindte votuesit për të votuar për një kandidat të caktuar. Qytetarët akoma votojnë për personalitetin që reflekton një kandidat i caktuar, që do të thotë autoritetin e tij në opinion dhe jo më pak është e rëndësishme edhe partia nga e cila janë deleguar”, thotë Gaxhovski

Nga ana tjetër, Arben Halili ish-drejtor i Odës Ekonomike të Maqedonisë Veriperëndimore thotë se në ofertat e kandidatëve për kryetar komune, veçanërisht në komunat me shumicë shqiptare, mungojnë analizat e ekipeve të specializuar pranë kandidatëve për kryetar komune, për të dalë me plan konkret rreth realizmit të projekteve të caktuara në interes për qytetarët e Maqedonisë.

”Gjithsesi se ajo që bie në sy gjatë fushatës zgjedhore është ajo se ofrohen investime të mëdha kapitale, po askush nuk merr guximin të flas me shifra konkrete se cila do të jetë kostoja e realizimit të njëjtave projekte të cilat do të ishin në të mirë të qytetarëve”, thotë Halili

Deri në mbylljen e fushatës për zgjedhjet vendore kanë mbetur edhe 9 ditë. Ndërkohë që kandidatët të cilët synojnë të fitojnë besimin e qytetarëve kanë oferta identike, siç është gazifikimi i qytetarëve, efikasitet energjetik, ujë për pjesën me të madhe të vendbanimeve, rrugë shkolla kopshte për fëmijë dhe spitale, pa dhënë afat dhe konstrukt financiar për realizmin e këtyre premtimeve.

REL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura