Oddny Eir, një islandeze në vendin e dashurisë dhe rrënojave

Feb 8, 2018 | 15:29
SHPËRNDAJE

“Një hrua me një fashë rreth kokës më tha se, po të doja, mund të më lexonte dorën. E pranova duke prekur xhepat edhe pse s’kisha kurrgjë. Më tha se për një kohë goxha të gjatë, do të kisha trazime; kisha një si lloj mallkimi që s’më lejonte të gjeja një vend për t’u ngulitur.

Pa m’i ndarë sytë e dhimbsur, më tha se unë duhet të isha pa asnjë mëdyshje ndonjë lloj ciganeje, cigane kuqalashe…”.

Kush më shumë e kush më pak, në momente të caktuara të jetës ndihet sikur nuk i përket asnjë vendi. Duket sikur atdheu i vet është askund. Asgjëkund nuk gjendet një vend, që ta mbajë të lidhur aq fortë, saqë të hedhë rrënjë aty.

Dhe fillon të ndihesh i paplotësuar dhe fillon të kërkosh një vend ku të hedhësh rrënjë dhe ato të rriten të shëndetshme, të jenë të thella… kërkon në rrënojat e shpirtit tënd, në atë çfarë ka mbetur pas stuhive që kanë kaluar më parë dhe kanë shkatërruar edhe ato pak gjëra që kishe ndërtuar.

Shkrimtarja islandeze Oddny Eir është pikërisht në kërkim të vetvetes në romanin “Vendi i dashurisë dhe i rrënojave”, sjellë në shqip në mënyrë elegante nga Xhimi Lazri dhe botuar nga shtëpia botuese “Fan Noli”.

Kjo vepër është fituese e Çmimit Europian të Letërsisë për vitin 2014. Oddny Eir është po ashtu fituese e disa çmimeve kombëtare. “Vendi i dashurisë dhe i rrënojave” është shkruar në formën e një ditari dhe ashtu si edhe në vepra të mëparshme të autorit, ka një karakter thellësisht autobiografik.

Autorja/personazhi i librit përshkruan rrugëtimin e saj jetësor në kërkim të vetvetes. Shënimet nuk kanë data, por janë të shënjuara me një vend dhe një të kremte fetare, me një festë lokale apo me një ngjyrë qielli, si: “Rejkjavik, Festa e Shën Luçias”, “Selsundi pranë vullkanit Hekla; Dita e petullave me krem”, “Hergisley; dita e qirasë”, “Rejkjavik, rruga Nylendugata; Festa e prerjes së kokës së Johan Pagëzorit”, “Londër; Puckmas, hënë e plotë”, etj.

Në dukje, rrëfimi i saj nuk ka lidhje me festën fetare apo historinë e aksh shenjtori, por thellë-thellë ka diçka prej dashurie të verbër, si verbëria e Shën Luçisë apo sakrifica e Gjon Pagëzorit… Sa i takon petullave me krem, ato mund të jenë metafora e një raporti, që ajo konsumon për t’u ndier e ngopur për momentin.

Që në dedikimin që bën me këtë libër: “Për ornitologët dhe arkeologët”, duket se rrëfimtarja është në përballje me dilema të mëdha identitare dhe përkatësie. Rrugëtimi i saj shoqërohet nga një ornitolog dhe një arkeolog. Nga njëra anë, një njeri, me të cilin ka edhe një raport intim, i cili studion shpendët dhe nga ana tjetër, i vëllai, arkeolog, në kërkim të rrënojave të së shkuarës.

Pra, nga njëra anë personazhi është në shtegtim të vazhdueshëm, në një gjendje fluturake, jo me këmbë në tokë, nga ana tjetër ka nevojë të kërkojë në të shkuarën e vet. Përmes rrugëtimit të saj sa fizik, aq edhe psikologjik e shpirtëror, ajo kërkon të gjejë përgjigje për pyetjet e saj. Janë pyetje me karakter personal, për atë që ajo është, por në një farë mënyre që i takojnë gjithë qenies njerëzore.

Dhe këto përgjigje ajo nuk mund t’i gjejë pa shtegtuar dhe pa kërkuar në rrënoja, në histori të së shkuarës, në historitë e gjyshes, stërgjyshes, në shtëpinë e madhe të gjyshit, pa shkuar në varre. “Te varri shkula ca bar dhe e mora me vete, duke i ndierë aromën gjithë kohës. Kjo më shpuri më pranë ditëve të atëhershme. Por, mesa duket ka një vrimë në anën femërore të familjes, një pështjellim gjeografik të trashëguar dhe, megjithatë, unë vështroj ngulazi në hartë, kaluam vendin e lindjes së gruas, për të cilën pardje mësova se ishte gjyshja e stërgjyshes sime…”, shkruan ajo në një nga ato ditë të verës së vonë, me çerek hëne dhe dritë veriu.

Dhe të gjithë këto pleksen me përditshmërinë e saj, me histori të vogla. Dhe nëse në fund, ajo nuk mund të gjejë një përgjigje përfundimtare, nëse i përket qiellit apo tokës, të paktën mund të gjendet një e mesme. “Mund të fillojmë të ndërtojmë një shtëpi zogjsh, me lutjen e vjetër të varur te dera: paçi sa më pak shqetësime e sa më tepër bekime dhe në atë derë të trokittë vetëm lumturia.”

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura