“Objektivi në qeverisje do të jetë punësimi”/ Kryemadhi pret ambasadoren e Francës: Në listat e LSI do të ketë…

Jan 14, 2021 | 13:47
SHPËRNDAJE

Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi zhvilloi këtë të enjte një takim me ambasadoren franceze në vendin tonë, Elisabeth Barsacq.

kryemadhi-ambasadorja e frances

Në takim, Kryemadhi ndau me ambasadoren Barsacq prioritet e LSI për zgjedhjet e 25 prillit.

“Objektivat kryesore të LSI në qeverisje do të jenë nxitja e punësimit si prioritet i të gjithë politikave ekonomike për të realizuar garantimin e ritmeve më të larta të rritjes ekonomike dhe punësimit në mënyrë të veçantë për rininë dhe gruan; arsimi cilësor dhe integrimi europian i vendit”, thuhet në njoftimin e zyrës së shtypit të LSI.

Ndërkohë që na ndajnë edhe 100 ditë nga 25 prilli, Kryetarja e LSI e informoi ambasadoren Elisabeth Barsacq se në listat e LSI do të ketë përfshirje të të rinjve dhe grave me kapacitete të spikatura profesionale.

Kryemadhi dhe Barsacq ndanë vlerësime mbi potencialin e zhvillimit të Shqipërisë, ku një vëmendje me e madhe duhet të shkojë për rritjen dhe përgatitjen e burimeve njerëzore.

Kryetarja LSI u shpreh se “nevojitet një politikë e jashtme që ndihmon biznesin vendas për të rritur eksportet si dhe po ashtu për të krijuar klimën e duhur për thithjen e investimeve të huaja”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura