“O nevriku im i vogël, si do rroj unë pa ty”- Vdiq ditën që babai kishte ditëlindjen, vëllai dedikim rrëqethës për 16-vjeçarin

Mar 1, 2021 | 9:55
SHPËRNDAJE

Flavio Osmani

16-vjeçari që u përfshi në aksidentin automobilistik mbrëmjen e së shtunës në Sukth të Durrësit ka ndërruar jetë në spital. Flavio Osmani, i biri i kryetarit të Njësisë Administrative Sukth, Rrapo Osmani, nuk ka mundur t’u mbijetojë plagëve të marra në aksidentin që u përfshi makina që drejtohej prej tij dhe ajo tip “Benz”, të cilin e drejtonte 54-vjeçari GJ. B.

Adoleshenti humbi jetën disa orë pasi u dërgua në spital për shkak të plagëve të rënda, duke shkaktuar dhimbje të madhe te familjarët e tij, të cilët në mbrëmje prisnin të festonin datëlindjen e kryefamiljarit, Rrapo Osmanit.

Në aksident mbetën të plagosur edhe tre miqtë e 16-vjeçarit, pasagjerë në makinën “Renault” që po drejtohej nga ky i fundit dhe që u përplas me mjetin tip “Benz”. Si pasojë e aksidentit mbetën të plagosur shtetasit E. B., 18 vjeç, B. M., 16 vjeç dhe Z. B., 15 vjeç, të cilët ndodhen nën kujdesin e mjekëve jashtë rrezikut për jetën.

PËRPLASJA FATALE

Katër adoleshentët ishin duke u kthyer nga Gjiri i Lalëzit, ndërkohë që në afërsi të Sukthit janë përplasur me mjetin tip “Benz” që drejtohej nga 54-vjeçari. Shkak për aksidentin dyshohet të jetë bërë një manovër e gabuar e drejtuesit të “Benz”-it, i cili ka tentuar të shmangte një gropë që ndodhej në mes të rrugës.

Teksa ka tentuar të shmangte gropën, 54- vjeçari ka goditur mjetin tip “Renault” me të cilin udhëtonin katër të rinjtë, me drejtues 16-vjeçarin Flavio Osmani.

Në momentin e goditjes, ky i fundit ka humbur kontrollin e makinës, e cila u përplas edhe me një shtyllë të energjisë elektrike që ndodhej në anë të rrugës dhe më pas përfundoi në kanalin kullues. Ndërkohë Policia ka arrestuar drejtuesin e mjetit tjetër të përfshirë në aksident, 54-vjeçarin me iniciale Gj. B.

DEDIKIMI I TË VËLLAIT

Një ditë e cila duhet të ishte e gëzuar u kthye në tragjedi për familjen e kryetarit të Njësisë Administrative Sukth, Rrapo Osmani.

Të shtunën e 27 shkurtit, Osmani mbushi plot 47 vjeç, ditë në të cilën përjetoi dhimbjen e madhe të humbjes së djalit.

Mateo Osmani, djali tjetër i kreut të Njësisë Administrative Sukth, i ka dedikuar një postim prekës vëllait të tij, Flavios, i cili mbeti viktimë e aksidentit të ndodhur mbrëmjen e së shtunës.

“Si do rroj unë pa ty, o engjëlli im?!!! O vëllai im i shtrenjtë, o nevriku im i vogël, pse i le 3 vëllezërit e tu vetëm, pseeee? Do jesh gjithmonë në zemrën time”, shkruan ai krahas fotos së të ndjerit. L. M.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura