Nxënësit e prekur nga tërmeti të akomoduar në Lezhë nisin shkollën, në hotele krijohen edhe kopshte të përkohshme

Dec 6, 2019 | 18:02
SHPËRNDAJE

Në Shëngjin të Lezhës, aty ku janë akomoduar në hotele një pjesë e familjeve të prekura nga tërmeti ka nisur mësimi për fëmijët.

Foto Ilustruese
Foto Ilustruese

 

Fëmijët janë pritur në shkollën 9-vjeçare “At Zef Pllumi” Shëngjin dhe gjimnazin “Hydajet Lezha”.

Për nxënësit e rinj nëpër këto shkolla, Zyra Arsimore Vendore e Lezhës ka siguruar pajisjen e tyre me libra, materialet e punës, si dhe transportin nga hoteli për në shkollën pritëse.

Gjithashtu që prej fillimit të mësimit shërbimi psiko-social ka qenë i angazhuar intensivisht, mësuesit kanë diskutuar mbi planin e mbrojtjes fillestare në rast tërmeti, si dhe janë zhvilluar orë fleksibile mësimi duke u fokusuar në planifikimin e aktiviteteve në nivel klase me fokus solidarizimin e nxënësve.

Ndërkohë, në një prej hoteleve të Shëngjinit është krijuar edhe ambienti i përkohshëm i kopshtit për fëmijët e strehuar në hotel duke siguruar edhe për ata vijimin normal të mësimit.

Përveç angazhimit maksimal të shërbimit psiko-social, nevojitet të nënvizohet edhe kontributi në këto kohë i organizatave të ndryshme ndërkombëtare dhe shoqërisë civile me qëllim lehtësimin psikologjik të të prekurve nga tërmeti.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura