“Nxënës që u futën me telefon morën notën 9.5”- Maturantët njoftojnë protestë, mblidhen sot para Ministrisë së Arsimit

Jun 27, 2022 | 8:45
SHPËRNDAJE

Brenda një harku të shkurtër kohor, maturantët janë njohur me rezultatet e te tria provimeve me detyrim, ndërkohë që premtohen shumë shpejt edhe rezultatet e lëndës me zgjedhje.

1592042388_PROTESTA2

Testi i Matematikës ishte ai që i vuri “vulën” zemëratës së të rinjve, që deri dje ishin më të qetë krahasuar me vitet e kaluara, ku çdo tezë është kontestuar. Një lumë pakënaqësish kanë vërshuar në rrjete sociale nga maturantët që thonë se do të protestojnë sot në orën 10:00 përpara Ministrisë së Arsimit.

PROTESTA

Pas protestës së të shtunës së javës që shkoi për tezën e provimit me zgjedhje, e cila, sipas tyre, nuk përputhej me programin e lëndës të zhvilluar në shkolla, maturantët do të dalin sërish sot në rrugë për të kundërshtuar skemën e vlerësimit të provimit të dytë me detyrim, Matematikës. Pas lumit të komenteve negative në “Facebook”, zemërata do të zhvendoset sot përpara Ministrisë së Arsimit, për atë që ata e cilësojnë si “mund i çuar dëm”. “Të harxhosh miliona lekë në vit kurs, të punosh dhe natën me Matematikën dhe të shohësh notën 6 në provim, nuk kam fjalë. Mund në vite i çuar dëm. E dija që do dilja keq, por jo kaq. Edhe Biologjia kushedi se çfarë do të na nxjerrë, duke parë skemën e vlerësimit. Ndërkohë, nxënës që u futën me telefon morën 9.5. Shpresoj të vijnë në protestë sa më shumë nxënës”, shprehet një nga të rinjtë e indinjuar në rrjete sociale.

REAGIMI

Deputeti i Partisë Demokratike, Luçiano Boçi, thotë se protesta e maturantëve është një kambanë e fortë për situatën dramatike në të cilën është zhytur vendi. Me anë të një statusi në “Facebook”, ai vë në dukje se maturantët kanë vite që nëpërkëmben, ndërsa “kalvari i tyre në monopatet e një arsimimi aspak cilësor, diskriminues dhe i mangët, përmbyllet me një garë-test mature fiktiv, banal, i metë dhe penalizues”. “Protesta e maturantëve është kambana më e fortë për situatën dramatike në të cilën është zhytur vendi. Padrejtësia e ngritur në sistem, ka prekur edhe brezin ku ëndrra është gjithmonë më e fortë se realiteti.

Por tashmë gjithçka është thyer. Sot realiteti është më i fortë se ëndrra dhe e tejkalon atë. Hidhtësia e tij ka mbytur çdo ëndërrim rinor, shpresë e perspektivë edhe te mosha më optimiste dhe e sinqertë. Ai thekson se protesta e tyre nuk është thjesht arsimore, por është tërësore, duke theksuar se në 7 korrik, kur Sali Berisha ka thirrur protestën, do të protestohet edhe për ta. Atyre dhe familjeve të tyre sot u kanë rrëmbyer gjithçka. Edhe ëndrrën. Përfundimisht kësaj qeverisje i ka ardhur ‘ngordhja’”, shkruan Boçi. Deputeti këmbëngul se protesta e tyre nuk është thjesht arsimore, por sepse atyre dhe familjeve të tyre iu kanë rrëmbyer gjithçka, ëndrrën. “Kur studentët e shohin që padrejtësia është bërë mal, zemërohen me protestë.

Ndryshimi i kërkuar prej tyre gjithmonë është revolucionar dhe ata kërkojnë përmbysje. Edhe në këtë rast, një qeverisje serioze vetëlargohet. Por ama, kur dalin në protestë 18- vjeçarët është fundi, fundi fare. Sepse kjo tregon që drama tërësore ka kapur dhe atë segment të shoqërisë ku fle e ardhmja dhe shpresa. Padrejtësia ndaj tyre është kulmi i padrejtësisë që e bëjnë vetëm regjimet”, thotë Boçi, duke shtuar se në protestën e PD-së, në 7 korrik, do të protestohet edhe për ata.

Qarku që thyen rekord me rezultate maksimale

Dalin notat e Matematikës Rezultatet e provimit të Matematikës për shumicën e maturantëve ishin më shumë se sa zhgënjyese. Nga 29 mijë e 829 maturantë pjesëmarrës në provim, plot 1729 maturantë kanë rezultuar mbetës, ose 5.7%, i përafërt me atë të vitit të kaluar, ku kalueshmëria ishte në nivelin 94% në rang kombëtar. Pavarësisht pakënaqësive, ka pasur një numër të konsiderueshëm maturantësh që kanë rrëmbyer dhjetën absolute, 10.00. plot 234 të tillë, nga vetëm 36 vitin e kaluar. Një tjetër tregues i trendit pozitiv të të dhënave të përgjithshme është nota mesatare, e cila gjithashtu ka ardhur në rritje. Nga 6.75 vitin e shkuar, maturantët e 2022 kanë një mesatare totale në nivelin e 6.88.

Sipas grafikut të notave në rang qarku të përpunuar nga disa të rinj të “Portali studentor”, Kukësi rezulton “kampion” me mesataren më të lartë, 8.43, ndjekur nga Durrësi, Lezha, Tirana e Shkodra. Por jo vetëm në Matematikë. Maturantët e Kukësit kanë shkëlqyer edhe në dy provimet e tjera me detyrim, Gjuhë e huaj dhe Gjuhë shqipe e letërsi, me mesatare në rang qarku përkatësisht 8.39 dhe 7.83. Ky fenomen nuk ndodh vetëm sivjet në fakt, por edhe më herët. Janë ekspertët e pavarur apo ata të Ministrisë së Arsimit që mund të përmendin arsyet që renditin të rinjtë e qytetit verilindor në krye të “top” listës së të shkëlqyerve në mbarë vendin, në një kohë që nuk përfshihen në asnjë olimpiadë kombëtare a ndërkombëtare. Nga ana tjetër, administrimi vijon të përmendet si një ndër pikat më të forta të maturës, pavarësisht se rëndom, tezat bëjnë xhiron në rrjete sociale ndërkohë që të rinjtë testohen.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura