Nuredin Dumani dhe “ushtari” i tij hedhin “në erë” 8 grupe kriminale. Nga 40 deri në 500 mijë euro, ja sa kushtonin ekzekutimet e rivalëve

May 20, 2022 | 9:57
SHPËRNDAJE

NIKOLETA KOVAÇI/ Emra të njohur e të panjohur, miqësi dhe armiqësi të përgjakshme, njerëz që u vranë dhe duhej të vriteshin kundrejt shumave marramendëse, plane djallëzore për të eliminuar kundërshtarët e fuqishëm ose jo dhe një mori viktimash, vrasjet e të cilëve nisën vite më parë.

Kjo është panorama e dy dëshmive-rrëfim që kanë dalë nga Nuredin Dumani dhe Henrik Hoxha, të arrestuar pak kohë më parë, ndërsa Dumani ra në priten e ngritur në Elbasan, duke marrë plagë që e bënë të dorëzohet jo vetëm para Policisë, po tashmë edhe para drejtësisë.

Dëshmia e tij horror e lënë në dosjen e dy prokurorëve të SPAK ka bërë që prej disa ditësh ky institucion të mbledhë emra, fakte, përgjime e gjithçka tjetër për të bërë të mundur arrestimin e një “ushtrie” vrasësish dhe bashkëpunëtorësh.

Si për të dëshmuar fuqinë hetimore, SPAK i çoi GJKKO-së 32 emra për t’i vënë nën masën e arrestit me burg, 9 prej të cilëve në fakt gjendeshin në qeli. 9 u arrestuan gjatë operacionit të pas mesnatës së të mërkurës deri në të zbardhur, ndërsa 14 prej emrave të dalë nga dëshmitë e Dumanit dhe Hoxhës, nuk u arrestuan dot, sepse Policia nuk i gjeti në shtëpi!

Madje as në hotel, as në lokalet ku pretendohej se ishte informacioni që ata rrinin; tre prej njerëzve më të fuqishëm të botës së krimit ikën sërish, ikën siç kanë mundur të ikin gjithnjë.

Nuredin Dumani, në fakt, ka hedhur dritë mbi një nga krimet më të rënda të ndodhura në dekadën e fundit: vrasjen brutale të Fatmira Dedajt që daton shtatorin e vitit 2013.

***

SUEL ÇELA Është i riu që u bë i njohur nga një incident me Policinë e Elbasanit në hyrjen e tregut ushqimor në Elbasan pak vite më parë. Ai u shpall në kërkim, por më pas e zgjidhi çështjen me drejtësinë. Tashmë është dëshmia e Nuredin Dumanit që e ka fundosur të riun. Ndaj tij u lëshua një urdhër-arrest. Policia thuhet se i shkoi në shtëpi, por nuk e gjeti. Nga dëshmia e dhënë nga Nuredin Dumani dhe Henrik Hoxha, bëhet me dije se Suel Çela ishte i interesuar për ekzekutimin e biznesmenit të njohur si administrator i shkollës private ne Tiranë, të cilit iu bë atentat pak kohë më parë. Sipas dyshimeve të Prokurorisë së Posaçme, dyshohet se bëhet fjalë për gjobëvënie, por ende nuk është sqaruar mirë se përse iu duhej “koka” e Mashës. Policia arrestoi për këtë atentat të riun Skerdi Tasi, i cili mësohet se ka qenë në prita bashkë me Henrik Hoxhën.

ERVIS MARTINAJ Laçiani i shumëlakuar prej vitesh si një prej personave me rrezikshmëri të lartë, është shpallur në kërkim. Ai është pjesë e rëndësishme në rrëfimin e Nuredin Dumanit. Në dosjen e plotë hetimore që disponon gazeta “Panorama”, bëhet me dije se ndër të tjera, Martinaj ka qenë i interesuar posaçërisht për vrasjen e Endrit Dokles, ish-anëtarit të bandës së Durrësit, më vonë rival i përbetuar i Lulzim Berishës. Dokle la qelinë në vitin 2020. Ndonëse ndaj tij ekzistonin akuzat për disa vrasje, ai mundi të fitonte lirinë. Sipas Dumanit, Ervis Martinaj ka ofruar për “kokën e tij” plot 500 mijë euro, por vrasja nuk u realizua dot. Në kërkim të prangosjes së Martinajt u nis RENEA dhe FNSH-ja. U ushtruan dy kontrolle në banesë dhe në një hotel në Milot, vend në të cilin Policia kishte informacion që qëndronte. Në një dhomë hoteli u gjetën dy armë dhe disa sende që përdoren nga Policia, po jo Martinaj!

ERION ALIBEJ I arrestuar nën akuzën e vrasjeve, i riu nga Elbasani po gjykohet për disa akuza në Gjykatën e Posaçme. Ai u arrestua në vitin 2020 nën akuzën e vrasjes së Regis Runajt dhe Emiliano Ramazanit. Emri i 31-vjeçarit asokohe doli nga një i ri i arrestuar për këtë vrasje, i cili mori statusin e dëshmitarit dhe i tregoi prokurorisë se ai kishte vrarë shokun e vet për shkak se ishte pajtuar nga Erion Alibej. Këtij të fundit në vitin 2018 i vranë vëllanë, xhaxhanë dhe një mikun e tyre, shtetas turk, ngjarje e ndodhur në Bradashesh. U tha se Erioni u hakmor për atë vrasje, ndërkohë që para dhe pas asaj masakre me tre të vrarë, ndodhën edhe disa vrasje të tjera brenda dhe jashtë vendit. Alibej ka dalë tashmë edhe në dëshmitë e dy rrëfimtarëve të SPAK, të cilët e kanë përfshirë Erion Alibejn edhe në histori konkrete krimi. Ndaj tij u lëshua një tjetër urdhër-arrest që iu komunikua në qeli.

HENRIK HOXHA Mbase është personazhi më interesant në të gjithë këtë dosje të mbushur me detaje tronditëse. I panjohur nga Policia, ose të paktën emri i tij nuk u lakua asnjëherë publikisht, ai del në hetimet e SPAK si një person i kudondodhur. Mik dhe bashkëpunëtor i afërt me Nuredin Dumanin, ai duket se nuk e braktisi asnjëherë dibranin që u rrit në Durrës dhe jetoi në Elbasan. Hoxha mësohet se në dëshminë e tij për krime monstruoze dhënë për prokurorët, ka nxjerrë të vërtetën për vrasjen e nënë e bir në DurrësKavajë, për atentatin ndaj Mashës, për një mori paktesh dhe pazaresh për të ekzekutuar persona të tjerë, sigurisht gjithnjë si “dora” më e sigurt e Dumanit. Hoxha, i cili u arrestua në Fier natën e plagosjes së Nuredin Dumanit, që sipas Policisë u tha se ishte në makinë me Dumanin dhe kishin mbërritur në Elbasan për të ekzekutuar një biznesmen të njohur, akuzohet për të paktën 7 ngjarje!

FLORENC ÇAPJA I shumëkërkuar për vrasjen e babë e bir në Elbasan 10 vite më parë, Florenc Çapja mundi të fitonte disa herë betejën jo vetëm me drejtësinë, po edhe me pritat dhe atentatet e shumta të bëra ndaj tij dhe familjes së tij. Ai mundi të largohej në drejtim të Dubait ndërkohë që prokuroria siguroi dëshminë e një personi që u tha se vrau Gentian Beqirin për llogari të tyre. Florenc Çapja u arrestua në Dubai pasi u lëshuar urdhër ndërkombëtar kërkimi, por gjykata e vendit në të cilin gjendet, e la të lirë kundrejt një garancie. Florenci dëshmoi se ndaj tij në Shqipëri po bëhet gjyq politik dhe se ai nuk kishte marrë pjesë në vrasjen për të cilën akuzohet. Por dëshmia e nxjerrë nga dy shokët Dumani dhe Hoxha e riktheu sërish në vëmendje emrin e tij. SPAK e ka përfshirë në listën e të kërkuarve për llogari të fakteve të dala nga dëshmitë e dy të prangosurve, ndonëse vendi ynë nuk ka marrëveshje ekstradimi me Emiratet e Bashkuara Arabe.

SOKOL SANXHAKTARI Aq sa njihet për aktet kriminale për të cilat është përfolur, akuzuar dhe së fundmi dënuar, Sokol Sanxhaktari u bë i njohur edhe si dhëndëri i ish-kryebashkiakut të Elbasanit. Ai u arrestua për vrasjen mizore të shokut të tij në një lokal në Elbasan. Por emri i tij ka dalë edhe në dëshmitë e dy rrëfyesve të krimeve të përgjakshme. Në aktet e dosjes thuhet se u kërkua vrasja e tij. Henrik Hoxha i ka thënë SPAK: “Në lidhje me shtetasin Sokol Sanxhaktari unë kam biseduar me Nuredinin në kohën kur ishim te shtëpia e tij para vrasjes së vëllezërve Haxhia. Gjatë një bisede, Nuredini më tha se kishte marrë një ofertë për vrasjen e shtetasit Sokol Sanxhaktari. E lamë për të takuar shtetasin Bled Muça, pasi Nuredini e kishte marrë porosinë prej këtij shtetasi. Takimi me Bledin nuk u realizua, pasi u realizua vrasja e vëllezërve Haxhia. Unë do të merrja 150.000 euro ndërsa shoferi 50.000 euro. Kjo shumë më është thënë mua nga ana e Nuredinit. Nuk e di arsyen se përse do të kryhej vrasja”.

TALO ÇELA Para pak javësh, Policia e listoi ndër 5 njerëzit më të kërkuar në vendin tonë. Për të u kërkua ndihma e qytetarëve. Ai akuzohet për një sërë ngjarjesh të rënda kriminale, dyshohet si pjesëmarrës në grabitjen bujshme në Rinas dhe për një sërë ekzekutimesh po kaq të bujshme. Së fundmi, Nuredin Dumani, në dëshminë e tij, ka treguar se Talo Çela i mori jetën brutalisht Fatmira Dedajt, e vrarë me mjete të forta në Durrës, më 14 shtator 2013, vrasje e kryer për llogari të personave që i vranë të birin. Po ashtu, emri i tij është i përfshirë dhe në disa ngjarje të rënda në Durrës, Tiranë dhe Elbasan.

KAMER (AGRON) MEHJA Një prej emrave të shpallur në kërkim nga SPAK në kuadër të operacionit “Golden bullet”, është dhe ai i Kamer Mehjas, ose siç njihet ndryshe në dokumentet e prokurorisë me emrin e ndryshuar, Agron Mehja. Në Elbasan, të gjithë e njohin me emrin “Kamer”. Ai konsiderohet si një nga eksponentët e listës së 15 familjeve më të fuqishme në qytetin e Elbasanit. Agron (Kamer) Mehja zotëron disa pasuri në qytetin e Elbasanit, ku ndër të tjera një njësi tregtare, të cilën ia ka dhënë me qira një banke të nivelit të dytë, automjete dhe pasuri të tjera të paluajtshme. Mehja ka regjistruar gjithashtu në emër të djalit të tij edhe një bar-restorant dhe piceri që emërtohet “Basilico” e që gjendet në lagjen “Qemal Stafa” të Elbasanit. Pak kohë më parë ai ishte në shënjestër edhe të OFLsë dhe rezulton i dënuar për “Trafikim të armëve dhe municioneve”, si dhe për “Plagosje të lehtë me dashje”.

LEONARD PALUSHI Drejtuesi i një sektori të rëndësishëm të Policisë në Lezhë u arrestua pasi doli në dëshminë e Nuredin Dumanit. Sipas të dhënave të dosjes hetimore të SPAK, bëhet me dije se Palushi në kohën kur ka shërbyer në Elbasan, ka marrë informacion nga një informator personal që arma me të cilën ishte vrarë Emiljano Ramazani gjendej në servisin e familjes Manhasa. Palushi, pas atij informacioni, organizoi një operacion dhe ndërhyri në biznesin e familjes Manhasa duke gjetur vërtet armën me të cilën u tha se ishte ekzekutuar Ramazani. Në sajë të atij operacioni dhe informacioni, Policia e Elbasanit arrestoi babë e bir, Seit dhe Albert Manhasa dhe i akuzoi për vrasjen e Ramazanit. Të prangosurit refuzuan të ishin autorë të asaj vrasjeje. Mohuan që arma të ishte e tyre. Sipas të dhënave të dosjes hetimore, bëhet me dije se zyrtari i Policisë së Shtetit ka refuzuar të tregojë identitetin e informatorit.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura