Numri i shqiptarëve që kërkojnë azil rritet me 236%

Apr 29, 2015 | 22:50
SHPËRNDAJE

Në 5 javët e para të këtij viti kanë kërkuar azil në vendet e Bashkimit Europian 1847 shtetas shqiptarë. Sipas një raporti të FRONTEX, kjo shifër përbën 236 për qind më shumë azilkërkues shqiptarë se e njëjta periudhë e vitit 2014.

Aeroporti i “Rinasit”

Shifrat u bënë publike dje në një raport prej 68 faqesh të FRONTEX (Agjencia Europiane për Menaxhimin e Bashkëpunimit të Veprimit në Kufirin e Jashtëm). Në këtë dokument përshkruhet situata gjatë periudhës 29 dhjetor 2014 – 1 shkurt 2015, ku shqyrtohet po ashtu edhe tendenca për të dhënat e marra deri më 10 mars. Raporti i FRONTEX është përgatitur për llogari të Komisionit Europian, në kuadër të mekanizmit monitorues, të ngritur nga BE në vitin 2010, pas liberalizimit të vizave me 5 vendet e Ballkanit. Në raport theksohet se vendi i preferuar për të aplikuar për azil është Gjermania me 1668 kërkesa, më pas vjen Suedia me 106, 52 në Belgjikë, 15 në Zvicër dhe 2 në Luksemburg. FRONTEX i ka bërë edhe një analizë rritjes befasuese të aplikimeve nga shtetasit shqiptarë, ku sipas zyrtarëve nga Varshava ka ndikuar rritja domethënëse e kërkesave të përgjithshme të regjistruara në Gjermani, që kryeson 5 vendet më të prekura të zonës “Shengen”, me 90% të aplikimeve të bëra në tërësi për azil nga qytetarët e rajonit dhe mbetet destinacioni më i pëlqyer për shqiptarët dhe serbët.
RRITJA E KËRKESAVE PËR AZIL
Nga vëzhgimi në tërësi i lëvizjeve në 5 javët e para të vitit, FRONTEX ka pritshmëri negative për muajt në vazhdim. Sipas raportit të kësaj agjencie, krahasuar me periudhën e mëparshme të raportuar, Gjermania regjistroi një rritje domethënëse të aplikimeve me 57%, më së shumti për shkak të rritjes befasuese të aplikimeve nga shtetasit shqiptarë, me 122%. Kërkesat për azil në 4 vendet e tjera anëtare të BE-së mbeten në nivel të ulët, me renditjen e Suedisë në vend të dytë, duke raportuar një rënie prej 48% krahasuar me dhjetorin e 2014-s. Në këtë raport po ashtu flitet për kthim të ritmit të rritjes së azilkërkuesve nga 5 vendet e rajonit, përfituese të regjimit pa viza në zonën “Shengen”. Gjithsej, raportohet për 5539 aplikime gjatë 5 javëve të para të vitit, çfarë shënon një rritje prej 39% krahasuar me dhjetorin e vitit 2014. Me gjithë rritjen e ndjeshme të azilkërkuesve shqiptarë, FRONTEX vlerëson se Serbia vazhdon të kryesojë aplikimet nga 5 vendet përfituese të Ballkanit me 42%, e ndjekur nga Shqipëria me 33%, Maqedonia me 12%, Bosnja me 11% dhe Mali i Zi me 2 %të kërkesave. 

VENDET KU KËRKOHET AZIL
Sipas raportit të FRONTEX, 5 vendet europiane më të prekura nga azilkërkuesit, Gjermania, Suedia, Zvicra, Belgjika dhe Luksemburgu, kanë trajtuar 5539 aplikime gjatë 5 javëve të para të këtij viti. Kjo shifër është 37% më e lartë në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2014. “Rritja e përgjithshme udhëhiqet nga shifrat e larta në Gjermani (+38 %) dhe aplikimet e bëra nga shtetas të Shqipërisë (+236 %), të Malit të Zi (+47%) dhe të Serbisë (+24%)”, theksohet në raport. Luksemburgu raportoi shifrat më të ulëta të kësaj periudhe, krahasuar me vitin e kaluar. Suedia trajtoi 51% kërkesa më shumë, Zvicra 9% më shumë dhe Belgjika 5% më shumë. Pesë vendet më të prekura europiane raportuan për 765 shtetas të riatdhesuar gjithsej gjatë këtij viti drejt 5 vendeve të Ballkanit, që përfitojnë nga regjimi i lëvizjes së lirë.

ETLEVA DELIA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura