Numri i infeksioneve shënon rënie të ndjeshme në Maqedoninë e Veriut, në 24 orë rezultojnë pozitivë 5 persona

May 3, 2020 | 17:01
SHPËRNDAJE

Maqedonia e Veriut të dielën ka regjistruar vetëm 5 persona të infektuar me koronavirusin e ri, shifër kjo më e ulëta që nga paraqitja e rastit të parë, më 27 shkurt. Sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë, gjatë 24 orëve të fundit janë regjistruar edhe dy viktima të reja, në Kumanovë dhe Strugë me çka numri i atyre që kanë humbur betejën me COVID-19 ka arritur në 84.

koronavirus

Ndërkohë, numri i të shëruarve sërish ka shënuar rritje të madhe, me 95 raste të reja. Sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë, numri i të shëruarve nga COVID-19 ka arritur në 945 ndërkohë që i të infektuarve është ulur në 482.

Në gjashtë qytete më nuk ka asnjë të infektuar, përfshirë edhe Dibrën ku ishte paraqitur rasti i parë dhe që ishte ndër vatrat e përhapjes së koronavirusit në Maqedoninë e Veriut.

Ndërkohë, 87 për qind e numrit më të madh të të infektuarve me COVID-19 janë vetëm në pesë qytete; Shkup, Kumanovë, Prilep, Tetovë dhe Veles.

Rastet e reja të personave të infektuar janë 2 në Shkup dhe nga një në Kumanovë, Tetovë dhe Prilep.

Me 249 teste, numri i përgjithshëm i testeve të kryera në Maqedoninë e Veriut ka arritur në 17,246. Për shkak të uljes së numrit të personave me simptoma të koronavirusit është ulur edhe numri i testeve në bazë ditore që në disa raste ka arritur edhe shifrën e afër 700 testeve në ditë.

Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe ka bërë të ditur se të hënën Komisioni i sëmundjeve ngjitëse dhe Shtabi i krizës do të diskutojnë për masat e reja lehtësuese, si për lëvizjen e qytetarëve ashtu edhe për rifillimin e ekonomisë, por me masa kujdesi të veçantë.

Ministria e Punëve të Brendshme ka bërë të ditur se gjatë 24 orëve të fundit, 75 persona kanë shkelur orën policore dhe 59 prej tyre janë shoqëruar në polici për procedurë të mëtejmë kundërvajtëse.

Prokuroria publike e Maqedonisë së Veriut ka bërë të ditur se që nga aplikimi i gjendjes së jashtëzakonshme janë ngritur afër 1,500 padi për mosrespektim të masave për kufizimin e lëvizjes me qëllim të parandalimit të përhapjes së koronavirusit./ Rel

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura