Numri i dëmeve pezull nga kompanitë e sigurimeve u rrit vitin e kaluar/ Ja çfarë tregojnë të dhënat e AMF

Jan 21, 2022 | 17:50
SHPËRNDAJE

Numri i dëmeve pezull nga kompanitë e sigurimit shënoi rritje vitin e kaluar.

makina

Sipas të dhënave nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF), në fund të muajit nëntor 2021 kompanitë e sigurimit të jo-jetës raportonin 11,447 dëme pezull, me një rritje prej 13.7% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Një rritje edhe më të lartë dëmet pezull kanë shënuar në tregun e sigurimit të jetës, ku AMF raporton 512 të tilla, me një rritje prej 28.6%.

Dëmet pezull përfshijnë ato në proces vlerësimi, dëmet e miratuara, por të papaguara, apo edhe dëmet që janë objekt i çështjeve gjyqësore. Normalisht, kompanitë e sigurimeve kanë gjithmonë një numër të caktuar dëmesh pezull në çdo kohë, por këtë vit praktikat e këtij lloji po rriten. Një arsye mund të jetë shtimi i dëmeve apo ngjarjeve të sigurimit të ndodhura. Gjatë vitit të kaluar, pandemia ndikoi në pakësimin e dëmeve të matura si numër rastesh, sidomos gjatë periudhës së kufizimeve, e shtrirë sidomos në tremujorin e dytë të vitit. Kjo bëri që të shënohen më pak dëme sidomos në produktet motorike, si sigurimi TPL, kartoni jeshil apo polica kufitare, por edhe në sigurimet e lidhura me lëvizjet jashtë kufijve të shtetasve, kryesisht në sigurimin e aksidenteve. Kjo u balancua vetëm pjesërisht nga efekti i tërmetit, ku pasojat u ndjenë më shumë në vlerë dëmesh, sesa në numër rastesh.

Duke qenë se gjatë vitit 2021 lëvizjet e mjeteve dhe shtetasve u kthyen pothuajse në normalitet të plotë, kjo solli një rritje të numrit të dëmeve. Sipas AMF, numri i dëmeve të paguara për 11-mujorin 2021 u rrit me 10% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Kjo dëshmon se ka pasur një tendencë në rritje të ngjarjeve të sigurimit, e reflektuar si në rritjen e numrit të dëmeve të paguara, ashtu edhe të atyre të ngelura pezull.

Megjithëse numri i dëmeve të ngelura pezull është rritur, në vlerë këto dëme kanë tendencë në rënie. Statistikat e AMF tregojnë se në fund të nëntorit 2021 vlera e dëmeve pezull zbriti në 6.6 miliardë lekë, në rënie me 6.6% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të mëparshëm. Vlera e dëmeve pezull rezulton në rënie për gjashtë nga tetë kompani të licencuara për sigurimet e jo-jetës. Rënia e vlerës së dëmeve pezull krahasuar me vitin e kaluar duket se i detyrohet kryesisht shlyerjes së dëmeve të lidhura me tërmetin e fundit të vitit 2019. Sipas vlerësimeve të AMF-së, fatura totale e dëmeve të tërmetit arriti në rreth 4.7 miliardë lekë ose rreth 38 milionë euro. Duke qenë se në rastet e katastrofave pjesa më e madhe e përgjegjësisë transferohet te risiguruesit, pjesa më e madhe e faturës u pagua nga këta të fundit. Kjo mund të jetë një nga arsyet pse në përgjithësi procesi i dëmpshpërblimit ka ecur pa pengesa dhe zvarritje të mëdha.

Në vlerë, dëmet pezull paraqiten në rënie edhe për tregun e sigurimit të jetës. AMF raporton për 212 milionë lekë dëme pezull, në rënie me 11% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë./Monitor/

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura