“Nuk vazhdohet kështu”, kapitenit Hoxha i soset durimi, kritika ekipit për humbjen në derb: Ka lojtarë që …

Dec 15, 2019 | 18:04
SHPËRNDAJE

Humbja në derbi ka bërë që të soset durimi te Partizani dhe shpërthimet e para kanë ndodhur që gjatë ndeshjes, ku kapiteni Alban Hoxha ka qenë shumë kritik me sjelljen e disa lojtarëve në fushë, ku u bënë disa gabime. 

hYSENI pARTIZANI

Pasndeshja ka bërë që kapiteni të tregojë vlerat dhe karakterin e liderit të skuadrës dhe e ka ngritur zërin, pasi situata nuk është e pranueshme për një ekip. Lojtarët shkuan dhe duartrokitën tifozët dhe u kërkuan falje për humbjen në derbi.

Ultrasit i kanë duartrokitur futbollistët dhe mbështetur, ndonëse dihet se sa djeg disfata në derbi. Pakënaqësitë e tifozëve kanë pasur lidhje vetëm me trajnerin Lerda, ku kërkuan largimin e tij. Kjo sjellje e butë e tifozëve mbase i ka vënë edhe më shumë para përgjegjësisë, gjë e cila ka shërbyer si katalizator për kapitenin Hoxha që të shpërthejë në dhomat e zhveshjes. Trajneri nuk ka folur para ekipit kur ka hyrë brenda, vetëm në mimikën e tij është shfaqur qartë mërzia dhe, pse jo, frika për pozicionin e punës.

E njëjta gjë ka ndodhur edhe me drejtorin Olsi Rama, i cili gjithashtu ka qenë i pafjalë kur ka hyrë brenda dhomës së zhveshjes. “Panorama Sport” ka mësuar nga burime pranë të kuqve se, duke parë situatën e heshtur dhe pa asnjë reagim të drejtuesve pas humbjes në derbi, portieri Alban Hoxha ka marrë situatën në dorë. Në prani të drejtorit Rama dhe të stafit teknik, mësohet se kapiteni ka qenë i ashpër me bashkëlojtarët. “Do të flas sepse kështu nuk vazhdohet. Këtu ka lojtarë që as nuk stërviten dhe as nuk luajnë gjatë ndeshjes.

Ka që nuk djersiten fare. Ja ku është drejtori, le të më përjashtojë a ndëshkojë për këto që po them, por kjo është situata dhe unë do të flas. Nuk vazhdohet kështu!” Këto mësohet se kanë qenë fjalët e kapitenit Hoxha, i cili nuk e ka përtypur dot humbjen në derbi, aq më shumë në një ndeshje “vitrine” dhe me një kundërshtar që nuk kishte as trajner të parë. Alban Hoxha është pjesë e Partizanit që në hapin e parë që “demat” kanë hedhur në Superiore nën financimin e presidentit Gaz Demi.

Kapiteni ka pritur e përcjellë mbi 100 e ca futbollistë, disa drejtorë e trajnerë në këto 7 sezone te Partizani, ndaj shija e hidhur që i ka sjellë humbja në derbi ka bërë që të tregojë virtytet e liderit, duke dhënë një mesazh të drejtpërdrejtë për të gjithë se sa peshë ka fanella e kuqe dhe për t’u transmetuar dhimbjen që përjetojnë tifozët, të cilët gjithsesi i duartrokitën, ndonëse disa nuk e meritonin. Aq i mëritur ka qenë portieri Hoxha pas humbjes, sa ka dalë i vetëm nga stadiumi me kokën ulur dhe me kapuç në kokë, madje kërkoi edhe mirëkuptim që të mos fliste për takimin, se ishte i pafjalë.

Ilir Cara – PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura