“Nuk u ndikuam nga askush”- Pas tri vitesh në krye të KPA, Natasha Mulaj lë detyrën: Pa mbështetjen e ambasadave nuk do të kishim këtë efikasitet

Jul 28, 2020 | 19:37
SHPËRNDAJE

Gjatë ceremonisë së lënies së detyrës pas mbarimit të mandatit si kryetare e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, Natasha Mulaj thotë se puna në këtë institucion të ri të drejtësisë ka qenë e painfluencuar nga askush.

natasha-mulaj

Ajo thekson se një institucion i këtyre përmasave, nuk do të mund të ideohej, themelohej, zhvillohej dhe prosperonte pa mbështetjen, ndihmën dhe inkurajimin e ndërkombëtarëve veçanërisht ambasadave në Tiranë. “Pa mbështetjen dhe përkrahjen e tyre do të ishte shumë e vështirë që Kolegji i Posaçëm i Apelimit të kishte këtë efikasitet dhe këtë reputacion”, thekson Mulaj.

Ajo shprehet se kishte shumë njerëz që dëshironin që “ne të dështonim, ashtu siç kishte dhe shumë me shumë të tjerë që donin të kishim sukses. Për hir të së vërtetës, unë si Kryetare, por edhe kolegët vendosëm të shndërroheshim në misionarë”.

Fjala e mbajtur gjatë ceremonisë së dorëzimit të detyrës: 

E nderuar kryetare

Të nderuar kolegë,

Të nderuar vëzhgues ndërkombëtar,

Të nderuar anëtarë të stafit të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit!

Duke shprehur konsideratën më të lartë për të gjithë Ju, që merrni pjesë në këtë takim simbolike por shumë të rëndësishme, të mbarimit dhe të dorëzimit të mandatit tim si Kryetare e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, mandat 3 vjeçar dhe pa të drejtë rizgjedhje, me lejoni të shpreh para jush se:

“I suksesshëm është ai që krijon themele të qëndrueshme duke përdorur tulla që të tjerët ja kanë hedhur gjatë jetës”. Kjo është sentencë që gazetari i mirënjohur amerikan David Brinkley ka përdorur për të ilustruar vlerën profesionale të individit dhe më pas, peshën e tij në funksion të një ekipi dinamik dhe të mirëharmonizuar. Unë them se tani pas tre vitesh, vështirë se mund të mos e kishte patur edhe për ne. Shumë “tulla” na janë hedhur gjatë karrierës sonë, aq më shumë gjatë këtyre tre viteve, por realisht ato na kanë bërë me të fortë.

Tre vjet me parë mua më besuat drejtimin e këtij institucioni; e një institucioni që nuk ekzistonte; e një institucioni që do ishte maja e vettingut dhe do të jepte verdiktin final.  Përgjegjësi dhe përgjegjshmëri maksimale personale ishte ajo që unë me krenari e them se vendosa në këto themele; por si unë edhe të gjithë kolegët dhe bashkëpunetorët e mi në KPA. Ky fakt i forcoi maksimalisht themelet e kësaj ngrehine të re. Është e vërtetë se kishte shumë njerëz që dëshironin që ne të dështonim, ashtu siç kishte dhe shumë me shumë të tjerë që donin të kishim sukses. Për hir të së vërtetës, unë si Kryetare, por edhe kolegët vendosëm të shndërroheshim në misionarë: të punonim tërësisht të painfluencuar nga askush dhe asgjë dhe të bënim më të thjeshtën, por edhe me sublimen në përditshmërinë tonë: të respektonim vetëm ligjin.

U mblodhëm dhe filluam të ndërtonim themelet e institucionit. Me ditët që pasonin njëra tjetrën, me shpejtësi marramendëse, krijuam gjithçka nga e para: strukturat organizative, rekrutuam stafin e kualifikuar, duke synuar mbi të gjitha tek integriteti i tyre moral dhe profesional. Dhe ja ku jemi sot. Fillimi ishte shumë i vështirë, dhe ngarkesa që kishim rëndonte përditë e më shumë. Përtej rutinës intensive, ajo që rëndonte më shumë ishte fakti se ata persona që, pas shqyrtimeve profesionale identifikoheshin si të padëshiruar në sistemin e drejtësisë, filluan të përdornin çdo mjet, për të na baltosur. Por, ne nuk ndaluam. Ne kuptuam se çdo vështirësi që kalonim na bënte më të fortë dhe shihnim gjithnjë e më qartë përpara.

“Drejtësia, është e drejta dhe e vërteta në veprim”, thoshte dekada më herët ish Kryeministri i Britanisë së Madhe, Beniamin Dizraeli; dhe ne jemi me shumë fat që edhe këtë sentencë e përjetuam në të gjitha dimensionet e saj. Të qenurit drejtuese e këtij institucioni, jo vetëm që më ngarkoi me përgjegjësi, por njëkohësisht më vuri përballë sulmesh tinzare, të ndyra, dashakeqe e të ulta, që mbështeteshin mbi shpifje e trillime. Arma më e fuqishme e imja për t’i mposhtur ato, ishin vetëm: karakteri, ndershmëria, puna, objektiviteti dhe paanshmëria.

Më besoni, se sot jam e lumtur që drejtimin e këtij institucioni po ia dorëzoj, një kolegeje, një zonje shumë të vlerësuar dhe të respektuar. Me të kemi ndarë të njëjtat shqetësime, të njëjtin angazhim. Këto elemente, së bashku me përkushtimin e saj, më bëjnë të besoj dhe të besojmë se ajo do ta cojë me shumë sukses mandatin e saj. Unë jam rritur mes njerëzish të zgjuar, plot aforizma në ligjërimet e tyre. Një prej tyre, që më ka shoqëruar në çdo hap të jetës, është: “Është e vështirë për të fituar, por më e vështirë është për ta ruajtur dhe konsoliduar atë”. Sot unë po dorëzoj mandatin e Kryetarit të Kolegjit, POR pikërisht sot unë ndihem më shumë se asnjëherë Kryetare e vërtetë e këtij Kolegji, kaq të nderuar.

Një institucion i këtyre përmasave, nuk do të mund të ideohej, themelohej, zhvillohej dhe prosperonte në këto nivele, pa mbështetjen, ndihmën dhe inkurajimin e kolegëve dhe bashkëpunëtorëve tanë ndërkombëtare. Diskutimi me ta, si për problematikat e përditshme, ashtu edhe për çështjet të mprehta dhe tejet delikate me të cilat jemi ballafaquar, ka qenë jetik. Mbështetja e tyre e paekuivok na ka dhënë qartësi, optimizëm dhe udhërrëfim, pa të cilin do të ishte e vështirë të orientoheshim në udhën tonë. Do të doja të evidentoja edhe përkrahjen që na është ofruar nga organizmat dhe mekanizmat ndërkombëtare. Do të veçoja padyshim Ambasadat e huaja të shteteve partnere, të cilat u angazhuan dhe u rreshtuan në krahun tonë. Mirënjohje e vlerësim për taksapaguesit europiane dhe amerikanë, mbështetja e të cilëve, ka qenë totale dhe shumëdimensionale. Pa mbështetjen dhe përkrahjen e tyre do të ishte shumë e vështirë që Kolegji i Posaçëm i Apelimit të kishte këtë efikasitet dhe këtë reputacion.

Eksperienca ime profesionale është dhe do të jetë në funksion të këtij grupi gjyqtarësh, kolegësh dhe miqsh. Une jam krenarisht pjesë e KPA, dhe së bashku me anëtarët e tjerë kemi vendosur që të zbatojmë me përpikmëri Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, të ecim përpara të sigurtë që t’i shërbejmë sa më shumë vendit tonë i cili, më shumë se për asgjë,  ka vuajtur  për drejtësi dhe për zbatimin e saj.

 

Ju faleminderit

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura