“Nuk tërhiqemi nga listat e hapura”- Rudina Hajdari pas takimit me Ramën: Nuk do të lëshojmë pe. Jemi 29 deputetë në Kuvend që do kushtëzojmë votën.

Jul 7, 2020 | 20:34
SHPËRNDAJE

Deputetja e opozitës parlamentare, Rudina Hajdari pas takimit me kryeministrin Edi Rama ka thënë se ende nuk kanë rënë dakord për hapjen e listave, ndërsa është  shfaqur e prerë se nuk do të lëshojnë asnjë centimetër pe për këtë çështje.

rudina hajdari

Hajdari theksoi se janë 29 deputetë në Kuvend që do të kushtëzojnë votën e tyre dhe beteja e listave e marrë përsipër nga opozita parlamentare do të shkojë deri në fund.

“I bëmë kërkesën Ramës për listat e hapura, nuk tërhiqemi. E ka marrë përsipër këtë betejë deri në fund dhe s’ka tërheqje, qoftë nga presioni nga të huajt ne nuk do të tërhiqemi nga kjo kërkesë, sepse listat e hapura janë të dobishme. Kjo kërkesë në fakt vjen në mënyrë, në kohë të vështirë por është e nevojshme që mos mbetemi në vend numëro, dhe të kemi zgjedhje me standarde me demokraci funksionale. Ta bëjmë realiteti. Duhet ta realizojmë. 

Listat e hapura mbështeten nga 75% e qytetarëve dhe duhet patjetër ta realizojmë. Nëse Rama zgjedh të shkojë me opozitën jashtë parlamentare do ti kthejë kurrizin shqiptareve. Nëse do ndjeki rrugën për hapjen e listave do ti bëjë nder shqiptarëve.

Ne i shtruam kërkesat tona dhe kuptohet që ka një presion. Marrëveshja që është bërë mes partive në atë tryezë i shërbeu integrimit dhe faktit që riktheu në sistem PD dhe LSI, por nuk është  e plotë dhe nuk mbështetet nga publiku i gjerë. Duhet që të kemi mbështetjen e qytetarëve.

Ne nuk tërhiqemi nga kërkesa jonë dhe padyshim që do ta kushtëzojmë. Jemi 29 deputete dhe të tjerë që nuk e kanë deklaruar votën e tyre që do ta kushtëzojmë. Ne e kemi marrë përsipër këtë beteje dhe do ta çojmë deri në fund, do ti imponohemi mazhorancës. Nuk lëshojmë asnjë cm pe.

Ka presione nga të gjitha anët. Ke edhe deputetë që mund të shkojnë dhe të ndryshojnë mendjen e tyre, por unë si deputete dhe të tjerët kemi qenë të qartë për kërkesat tona”, tha Hajdari.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura