“Nuk sjell asgjë një afat, na vendos nën presion”/ Nga Bullgaria te qëndrimi i Angela Merkelit, Ballkani sërish pa një datë anëtarësimi

Oct 7, 2021 | 9:41
SHPËRNDAJE

Kancelarja gjermane Angela Merkel ka kundërshtuar propozimin slloven për vendosjen e një date për anëtarësimin e plotë të vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE.

samit rama ne slloveni

Në samitin e vendeve të Ballkanit Perëndimor me BE-në në Brdo të Sllovenisë, Kancelarja Merkel u shpreh se vendosja e një date të caktuar për pranimin e Ballkanit në BE, nuk sjell asnjë gjë të re, vetëm që e vendos BE-në nën presion.

“Nuk sjell asgjë një afat deadline që në fund na vendos nën presion”, tha Merkel në samitin me krerët e vendeve të Ballkanit Perëndimor në Brdo, sipas agjencisë së lajmeve “AFPD”.

Sllovenia, si vend mikpritës i samitit dhe kryesuese e radhës e presidencës së Bashkimit Europian, kishte ofruar vitin 2030 si kohë të përcaktuar qartë për pranimin e këtyre vendeve, por nuk pati sukses me propozimin e saj. “Nuk e mbështeta këtë propozim”, tha Merkel. Deri më tani “nga asnjë nga këto vende nuk janë plotësuar kriteret”. Megjithatë, Merkel theksoi, se BE-ja ka një “interes të jashtëzakonshëm strategjik” për të pranuar vendet e Ballkanit Perëndimor. Ajo e argumentoi këtë me bashkëpunimin në çështjet e klimës dhe migracionit. Por, gjatë vizitës në Tiranë, Kancelarja gjermane Merkel vlerësoi progresin e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në plotësimin e kushteve për të zhvilluar konferencën e parë ndërqeveritare me BE-në.

“Zemra ime rreh për këtë rajon, edhe pse nuk do të kem mundësinë të vesh të njëjtën detyrë sikundër deri më tani. Sikundër Shqipëria, ashtu dhe Maqedonia e Veriut besoj se i kanë përmbushur kushtet e caktuara për të nisur negociatat e anëtarësimit.

Për fat të keq, kjo nuk u realizua dot gjatë Presidencës së Këshillit nga Gjermania, për shkak të vetos së Bullgarisë, por ne kemi premtuar gjithashtu që do të jemi pranë këtij procesi, pasi në të është investuar vërtet shumë forcë dhe energji.

Negociatat e anëtarësimit të secilit prej vendeve do të zhvillohen. Vendet kanë statuse të ndryshme lidhur me këtë. Disa janë duke pritur konferencat ndërqeveritare, të tjerë kanë hapur kapituj anëtarësimi”, u shpreh Kancelarja Merkel në Tiranë pak javë më parë.

BULLGARIA

Bullgaria është vendi i cili bllokoi Maqedoninë e Veriut dhe për pasojë edhe Shqipërinë nga zhvillimi i konferencës së parë me BE-në për shkak të problemeve historike që ka me Maqedoninë. Lidhur me veton ndaj Maqedonisë së Veriut foli edhe vetë Presidenti bullgar, Rumen Radev.

Ai tha se përderisa “maqedonasit nuk e pranojnë historinë ashtu siç bënë më Greqinë, atëherë nuk mund të thonë “po” për negociatat. Radev e ftoi Shkupin t`i përmbahet siç tha ai pa kushte marrëveshjes për fqinjësi të mirë të 2017-ës, nëse e dëshiron anëtarësimin në BE.

SKEPTIKËT

Kur Gjermania ka qenë mbështetëse në samitet e kaluara, ka dalë Franca ose Holanda skeptike për avancimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor drejt BE-së. Dje në Slloveni, Kancelarja Merkel ishte kundër një date për anëtarësim, ndërsa Presidenti francez Macron dhe Kryeministri holandez Rutte ishin pro anëtarësimit të Ballkanit Perëndimor.

Presidenti francez, Emmanuel Macron, në Brdo u shpreh me nota pozitive, se vendet e Ballkanit Perëndimor janë në rrugën drejt Bashkimit Europian dhe duhet t’u tregohet se janë në zemrën e Europës, duke merituar investime, bashkëpunim në tregti, por edhe anëtarësim eventual.

“Ne kishim një diskutim të mirë…dëshira jonë është që t’i japim Ballkanit, i cili ndodhet në zemër të Europës, një perspektivë (europiane) sërish në plan afat shkurtër”, citon agjencia “Reuters”. “Ne duhet të përgjigjemi”, tha Presidenti francez duke theksuar, se kjo do të ndihmojë stabilitetin europian. Por, ai shtoi se shtimi i BE-së me 6 anëtarë të rinj do të kërkonte reforma në procesin e vendimmarrjes në BE që po ecën ngadalë.

Kryeministri holandez Mark Rutte tha se “duhet të presim zgjedhjet në Bullgari, por nuk jam fare i kënaqur me faktin që nisja e bisedimeve për anëtarësim me Maqedoninë e Veriut vazhdon të jetë e bllokuar. Mendoj se negociatat duhet të zhbllokohen sa më shpejt të jetë e mundur. E dimë që kjo do të ndodhë, me shpresë, pas zgjedhjeve në Bullgari. Do të përpiqemi të bëjmë gjithçka që mundemi për ta realizuar një gjë të tillë”.

Kancelari austriak, Sebastian Kurz, u shpreh se “nëse Bashkimi Europian nuk i ofron rajonit një perspektivë të qartë, duhet të jemi të vetëdijshëm, se superfuqi të tjera si Kina, Rusia apo Turqia do të luajnë një rol më të madh aty. Rajoni i përket Europës gjeografikisht dhe i nevojitet një perspektivë europiane”, u shpreh Kancelari Kurz.

Kurse kryeministri i Letonisë, Krisjanis Karins në mbështetje të një perspektive të qartë kohore të anëtarësimit, tha para reporterëve, se Ballkani është “kopshti ynë i pasmë”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura