“Nuk shkojmë në det, sepse shteti të vret”/ Dinamika e protestës dje pas tragjedisë në Potam, shqiptarët zbarkojnë në shesh dhe i vendosin ultimatum Ramës

Aug 5, 2022 | 7:46
SHPËRNDAJE

MARIGLEN KUME/ Ashtu siç u lajmërua pas tragjedisë në Potam ku oficeri i Policisë aksidentoi për vdekje 7-vjeçaren me mjet lundrues, shqiptarët zbarkuan në protestë për t’i kërkuar Kryeministrit Rama që të marrë përgjegjësi duke u dorëhequr ose duke shkarkuar dy ministrat përgjegjës, atë të Brendshmin, ministren e Turizmit dhe drejtorin e Policisë Gledis Nano.

Ata i dhanë kohë kreut të qeverisë deri ditën e hënë në orën 19:00 për të plotësuar kërkesat e tyre.

“Në orën 7 do të jemi prapë këtu të hënën. Daç Kryeministri të japë dorëheqjen, daç t’i lirojë ata nga detyra. Nuk do të shkojmë te Drejtoria e Policisë pasi Gledis Nano është brenda Kryeministrisë. Ju mendoni se Rama do të ishte në zyrë dhe këtu nuk do të kishte policë. Sa herë ka protestë ai ikën nga zyra”, tha avokat Altin Goxhaj.

DINAMIKA

Qytetarët nisën të mblidheshin para ministrisë së Brendshme që pa shkuar ora 19:00 kur ishte lajmëruar protesta. Secili prej qytetarëve kishte zgjedhur mënyrën e tij të të shprehurit të revoltës përmes pankartave.

“Nuk shkojmë në det, sepse shteti të vret”, shkruhej në pankartën që mbante në dorë një nga protestuesit.

Ndërkohë në kor, ata i kërkonin ministrit te Brendshem dhe ministres së Turizmit Mirela Kumbaro që të jepnin dorëheqjen.

Ndonëse një protestë e qetë me mesazhe kundër qeverisë nuk mungoi tensioni Policinë. Por, situata zgjati vetëm pak minuta pasi në protestë kishte edhe të mitur, të cilët u trembën dhe filluan të qanin.

Ndërkohë edhe nga ana e Policisë, gjatë ditës së djeshme nuk ishte e njëjta sjellje. Në terren në ambientet e hapura mungonin forcat e ndërhyrjes së shpejtë dhe punonjësit e Policisë me veshje të rënda.

Pas momentit të tensionit qytetarët nisën në kor ndaj punonjësve të Policisë që të hiqnin kapelën e të bashkoheshin me ta në protestë.

“T’ju vij zor që mbroni këta kriminelë që vjedhin. Policia e krimit. Hiqni kapelat”, thirrën protestuesit. Ministri i Brendshëm dhe ministrja e Turizmit nuk janë të vetmit përgjegjës sipas qytetarëve që protestuan dje pas humbjes së jetës së Jonadës 7-vjeçare në plazhin e Himarës.

Pas protestës para Ministrisë së Brendshme ata u drejtuan drejt Kryeministrisë ndonëse drejtuesi i saj nuk ndodhej në zyrë. Pasi marshuan në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” protestuesit iu afruan shkallëve që të çojnë në derën kryesore të Kryeministrisë dhe ndezën qirinj për jetën e humbur të 7-vjeçares nga aksidenti me skaf nga punonjësi i Policisë.

Ndonëse në godinën e kabinetit qeveritar nuk kishte një kordon policie qytetarët nuk tentuan të futeshin në institucion por thirrën në kor që Kryeministri Rama të jepte dorëheqjen.

Më pas qytetarët protestuan edhe para presidencës dhe në fund u nisën për te Drejtoria e Policisë ku edhe u mbyll protesta e ditës së djeshme. Në shesh dje ishin edhe politikanë të ndryshëm, por roli i tyre ishte për mbështetje dhe jo drejtues.

Qytetarët: Turp, dorëhiquni! Qeveritarët nuk kanë ndërgjegje as ndjenja

Qytetarët dje në protestë kanë kërkuar dorëheqjen e zyrtarëve të përfshirë në ngjarjen e rëndë ku humbi jetën 7-vjeçarja Jonada Adia. Në shesh ata bënë thirrje për largim nga detyra e tyre, pasi nuk kanë zbatuar ligjin. Një prej tyre e konsideroi ngjarjen si një tragjedi e krim shtetëror dhe bëri thirrje për mbajtje përgjegjësie mbi tragjedinë.

“Jam babai i një vajzë, dua ta rris të sigurt. Këtu është bërë një tragjedi e krim shtetëror që rrezikohet jeta e fëmijëve shqiptar. Është organizuar një kastë e rilindjes që kanë të drejtë të ma shtypin me makina e skafe, të na helmojnë me ushqime e ilaçe të skaduara. Kjo ngjarje ka tronditur çdo familje shqiptare. Të vjen shteti e të shtyp fëmijën, kush do të mbajë përgjegjësi këtu, ku është Çuçi, Kumbaro e Rama, duan të na vjedhin të na trembin të na lënë pa bukë. Kur do vijë ora që kësaj qeveria ti tregohet vendi.

Kur do çoheni o shqiptarë edhe sa fëmijë duhet të vdesin. O popull çohu, patronazhistët nuk duhet të na i shtypin më fëmijët”, tha ai. Një tjetër protestuese u shpreh se:

“Pasiguria që kemi në jetën e përditshme. Ftoj të gjithë të dalin në protestë deri në dorëheqjen e dy ministrave. Unë mendoj se ata nuk kanë ndërgjegje dhe nuk ndiejnë asgjë. Çdo njëri që ka ndjenja duhet të ikë vetë, nuk ka asnjë lloj justifikimi”. Një tjetër protestues i indinjuar tha për mediat se: “Këtu nuk japin asnjë dorëheqje, dalin e thonë ndodhin kudo në botë. Është turp. Poshtë qeveria, qeveri vrasëse”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura