“Nuk qenka dhe aq keq të ngecësh në Kenia”, Luiza Gega flet nga Afrika: Po bëj fazën përgatitore më të gjatë të jetës

May 27, 2020 | 16:09
SHPËRNDAJE

Në mesin e muajit mars, Luiza Gega udhëtoi drejt Kenias për të zhvilluar fazën përgatitore në kuadër të garave madhore si Kampionati Europian apo Lojërat Olimpike. Por, jo gjithçka shkoi sipas planeve për kampionen e atletikës shqiptare, pasi pandemia globale e Koronavirusit shkaktoi një kaos të vërtetë në të gjithë sistemin sportiv botëror. Kështu, Europiani u anulua dhe Olimpiada u shty për në verën e vitit të ardhshëm.

luiza gega

Kthimi i Luiza Gegës në Shqipëri ishte parashikuar për më datë 21 prill, por atletja vijon të jetë e bllokuar në Kenia, për shkak të ndalimit të fluturimeve. Megjithatë, 31- vjeçarja po përpiqet që ta shfrytëzojë më së miri këtë periudhë, të cilën e quan si fazën përgatitore më të gjatë të jetës së saj. Nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale, Luiza Gega duket shumë e karikuar:

“Kampi më i gjatë i stërvitjes që kam bërë ndonjëherë, plot 72 ditë. Më ka munguar kaq shumë kjo ndjenjë. Erdha në Kenia të stërvitesha për 43 ditë, por çdo gjë ndryshoi me mbylljen e aeroporteve dhe akoma nuk e di ekzaktësisht se kur do të kem mundësi të kthehem në shtëpi. Gjithsesi, përveç faktit që më ka marrë shumë malli për familjen, nuk qenka edhe kaq keq të ngecësh në një vend të tillë për stërvitje, edhe pse fokusi im i madh është për vitin 2021.

luiza gega

Këtë vit aktivitetet e mëdha nuk do të mbahen, kështu që viti që vjen do të jetë një vit super i ngjeshur me aktivitete të rëndësishme.

Këtë fazë të gjatë këtu në Kenia po e shfrytëzoj për t’u bërë një sportiste më e mirë. Gjithashtu, jam shumë e lumtur që stërvitja po shkon shumë mirë dhe që gëzoj shëndet të plotë”, shkruan atletja kuqezi. Kujtojmë që Luiza Gega disa muaj më parë shkroi historinë e atletikës shqiptare, duke u bërë e para atlete që kualifikohet për në finalet e një Kampionati Botëror, teksa aty u klasifikua në vendin e nëntë.

PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura