“Nuk ndryshojmë standard, lojtarët morën 30% paradhënie”, plani për ngjitjen e Flamurtarit, Idrizi: Gati 1 milion euro buxhet!

Dec 9, 2021 | 11:33
SHPËRNDAJE

Flamurtari ka një mision, rikthimin e menjëhershëm në elitë. Është ky shkaku që hera-herës, administratori përmend vitin 2023. Ngjitjen në Kategorinë e Parë as që e llogarisin dhe prioritet kanë kthimin në Kategorinë Superiore. Pavarësisht se militojnë në Kategorinë e Dytë, drejtuesit kanë akorduar buxhet milionerësh.

IDRIZI

Kompanitë turke kanë vendosur në dispozicion të ekipit rreth 1 milion euro, që do të përdoren këtë sezon. Këtu përfshihen kontratat dhe pagat, bonuset, trajtimi ushqimor, akomodimi (i lojtarëve jashtë Vlorës, në shtëpi dhe hotele) dhe shpenzimet e transfertave.

Është vetë administratori Sinan Idrizi që shpjegon planin e ringritjes. Gjatë një deklarate të dhënë për “Panorama Sport”, ai premton se nuk ka asnjë ndryshim në trajtimin financiar të lojtarëve nga Superiorja edhe tani që ekipi është në të Dytën. Është ky shkaku që pagat variojnë nga 2-3 mijë euro dhe lojtarëve u është kaluar 30% e pagës paradhënie.

“Buxheti edhe për këtë sezon nuk ka ndryshime Është gati 1 milion euro. Këtu përfshihen të gjitha shpenzimet, që nga kontratat financiare të lojtarëve që përmbledhin pagat dhe bonuset, e deri te trajtimi ushqimor dhe udhëtimet.

Ndërkaq, lojtarëve u ka kaluar 30% e pagës paradhënie, kur kanë firmosur kontratën”, thotë Sinan idrizi.

ULTIMATUMI

Kanë qenë vetë kompanitë turke dhe drejtuesit e tyre, Murat Ersoy dhe Nerve Kokmaz, që kanë vënë ultimatum ringritjen e skuadrës. Kjo gjë i është komunikuar administratorit Sinan Idrizi gjatë takimeve të fundit që ka zhvilluar me bordin e këtyre kompanive. “Të ringrihet urgjentisht Flamurtari. Kompanitë tona që janë të mëdha dhe të suksesshme nuk mund ta lejojnë dështimin”. Kjo ka qenë ajo që është shprehur nga goja e drejtuesve më të lartë të kompanive turke, të cilët kanë menduar të aprovojnë edhe këtë vit një buxhet që të mos ketë ndryshime nga ata të mëparshmit.

BONUSE

Te Flamurtari nuk ka vetëm buxhet milionerësh, por edhe bonuse për të kapur Kategorinë Superiore. Sipas kontratës, lojtarët sapo firmosin marrëveshjen me klubin, marrin 30% të pagave në dorë. Pas pesë fitoreve, futbollistët do të marrin shpërblim. Vlerësimi do të variojë nga 20-30% të pagës mujore. Por, jo vetëm kaq. Drejtuesit kanë si politikë të vendosin bonues edhe në ndeshje vendimtare, duke mos e respektuar gjithmonë radhën e pesë fitoreve radhazi. Për “kokën” e rivalëve, nuk do të mungojnë premiot.

INFRASTRUKTURA

Flamurtari këtë vit nuk do të ketë vetëm një buxhet A, por edhe një buxhet B. Ky i fundit do të përfshijë edhe një buxhet investimesh. Kjo lidhet me investimet që klubi do të zhvillojë në infrastrukturë. Në këto investime parashikohet rehabilitimi i fushës sportive në Pyllin e Sodës.

Punimet mendojnë që t’i nisin në 2022- shin. Në të parashikohet ndërtimi i tribunave dhe dhomave të zhveshjes, ndërsa investime do të ketë edhe në ndërtimin e terreneve sportive të reja. Në Vlorë thonë se do të ketë edhe një stadium të ri, si një bashkëfinancim mes qeverisë dhe kompanive turke dhe që do të ndërtohet në Skelë tek impianti ekzistues.

ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura