Nuk ndalet rritja e çmimeve, arrin në 6.2 për qind inflacioni! Ja çfarë tregon raporti i INSTAT për muajin prill

May 10, 2022 | 8:42
SHPËRNDAJE

Çmimet për produktet e shportës dhe karburantet jo vetëm nuk kanë pësuar rënie, por kanë vijuar të rriten, duke rënduar edhe më tej xhepat e qytetarëve.

ushqime

Sipas INSTAT-it për muajin prill inflacioni ka kapur vlerën 6.2 për qind, duke njohur rritjen më të lartë në harkun e një 10-vjeccari.

“Ndryshimi vjetor i indeksit të çmimeve të konsumit në muajin prill 2022 është 6,2 për qind, një vit më parë ky ndryshim ishte 1,9 për qind. Ndryshimi mujor i indeksit të çmimeve të konsumit në muajin prill 2022, krahasuar me mars 2022 është 0,7 për qind”, thuhet në raportin e INSTAT-it.

ÇMIMET

Çfarë ka ndikuar veç rritjes së faturës për produktet e konsumit, kryesisht të vajit, qumështit, djathit dhe vezëve është edhe kriza e naftës, që ka sjellë shtrenjtim të çmimit të saj në treg.

“Krahasuar me muajin prill 2021, rritja më e madhe e çmimeve vërehet në grupin ‘Transporti’ me 22,5 për qind, pasuar nga grupet ‘Ushqime dhe pije joalkoolike’ me 9,9 për qind, ‘Hotele, kafene dhe restorante’ me 4,9 për qind, ‘Pije alkoolike dhe duhan’ me 4,3 për qind, ‘Argëtim dhe kulturë’ me 4,1 për qind, ‘Mobilje, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë” me 2,7 për qind, ‘Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji’ me 2,6 për qind, ‘Veshje dhe këpucë’ me 1,2 për qind, ‘Mallra dhe shërbime të ndryshme’ me 1,0 për qind, ‘Komunikimi’ me 0,8 për qind, ‘Shëndeti’ dhe ‘Shërbimi arsimor’ me 0,6 për qind secili.

Brenda grupit të ushqimeve çmimet e nëngrupit ‘vajra dhe yndyrna’ me 24,2 për qind, pasuar nga nëngrupet ‘qumësht, djathë dhe vezë’ me 17,1 për qind, ‘bukë dhe drithëra’ me 16,7 për qind, ‘sheqer, reçel, mjaltë, çokollata dhe ëmbëlsira’ me 14,3 për qind, ‘mish’ me 7,8 për qind, ‘zarzavate përfshirë patatet’, u rritën me 5,2 për qind”, theksohet në raport.

Krahasuar me muajin mars 2022, çmimet e grupit “Argëtim dhe kulturë” u rritën me 2,7 për qind, pasuar nga grupet “Transporti” me 2,3 për qind, “Ushqime dhe pije joalkoolike” me 1,1 për qind etj. Ndërsa, grupi “Pije alkoolike dhe duhan” shënoi një ulje me 0,5 për qind, pasuar nga “Veshje dhe këpucë” me 0,1 për qind.

MASAT

Për të frenuar rritjen e çmimeve, Banka e Shqipërisë ka rritur në fillim të këtij viti normën e interesit nga 0.5 për qind në 1 për qind. Në daljen e fundit për mediat Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Gent Sejko tha se inflacioni pritet të kthehet në objektiv në 6 mujorin e parë të 2024.

Krahas rritjes së c çmimeve, lufta në Ukrainë dhe kriza energjetike do të kushtëzojnë edhe ecurinë ekonomike, e cila përkundrejt projeksioneve fillestare, pritet të jetë me ritme më të ngadalta. Në raportin e disa ditëve më parë të Bankës Botërore vihet në dukje se këtë vit rritja ekonomike për vendin tonë pritet të jetë vetëm 3.2 për qind.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura