Strehimi i afganëve në Shqipëri ishte një prej çështjeve të shtruara nga kryeministri Edi Rama në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së ditën e sotme.
Në fjalën e tij, Rama tha se Shqipëria nuk mund të rrinte duarkryq për situatën e krijuar në Afganistan.
Ai tha se Shqipëria, pavarësisht kapaciteteve të vogla, ofroi të strehonte emigrantët afganë. Duke përdorur një thënie të Nënë Terezës, Rama u shpreh se duhen bërë gjëra të vogla, por me dashuri të madhe.
“Më lejoni të them disa fjalë për Afganistanin, është detyra jonë që të bëjmë gjithçka që është e mundur për të mos braktisur popullin afgan që e gjen veten dhe njëherë në udhëkryq. Për të ruajtur arritjet e pamohueshme të dy dekadave të shkuara për të parandaluar dhe për t’i rezistuar çdo kthimi në epokën e errësirës që bota ka parë më parë. Ndërkohë që ngjarjet dramatike zhvilloheshin përpara syve tanë, nuk mund të rrinim duarkryq.
Pavarësisht kapaciteteve të kufizuara për të marrë emigrant, por me një humanizëm të pakushtëzuar u hapëm dyert refugjatëve afganë, bëmë atë çka kemi bërë në momentet e tjera kritike të historisë sonë, shpëtuam mijëra hebrenj gjatë Holokaustit. I mirëpritëm refugjatët afganë sepse kemi detyrën morale për të qenë solidarë për ata që janë në rrezik, i detyrohemi historisë sonë si refugjatë deri 30 vjet më parë. Ua detyrojmë fëmijhëve tanë që besoj se duhet të mësojnë jo vetëm përmes fjalëve por dhe përmes veprave, që në këtë jetë një herë jep dhe njëherë merr. Laureatja Nën Tereza ka thënë, edhe kur nuk bën dot gjëra të mëdha, bëj gjëra të vogla çdo ditë, por me dashuri të madhe” – u shpreh Rama.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al