“Nuk mund të lë lekët të flenë”, Ahmetaj sqaron pse i shkurtoi buxhetin organeve të vetingut

Sep 7, 2018 | 18:59
SHPËRNDAJE

JUXHIN MUSTAFARAJ/ Performanca e ulët e institucioneve të rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve në sistemin e drejtësisë detyroi qeverinë që t’i ulë buxhetin këtyre institucioneve me 33 milionë lekë.

ahmetaj

Ministri i Financave, Arben Ahmetaj, shpjegoi gjatë mbledhjes së Komisionit të Ekonomisë arsyet e uljes së buxhetit për komisionet e vetingut, i cili, sipas tij, nuk ndikon aspak në pagat dhe shpërblimet për orët shtesë të punonjësve të administratës. Shqetësimin për zvogëlimin e buxhetit për institucionet e rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve e shprehu kreu i Komisionit të Ekonomisë, Erion Braçe, i cili kujtoi se në volumin e punës së prodhuar viteve të fundit janë dashur edhe shpërblime për punonjësit.

“Buxheti i institucioneve të rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve në sistemin e drejtësisë. Në këto institucione është krijuar një volum pune i jashtëzakonshëm për përballuar një volum të kontrollit për 57 gjyqtarë dhe prokurorë që ishin në proces rivlerësimi. Ky proces po përfundon. Punonjësit në ato institucione kanë punuar me orare të zgjatura dhe sipas ligjeve në fuqi duhen paguar. Ndërkohë, vjen një masë që është bërë efektive me ulje prej 33 milionë lekësh”, deklaroi Braçe.

Por ministri i Financave, Arben Ahmetaj, kujtoi se këto institucione në vetëm 6 muaj shpenzuan vetëm 20% të buxhetit të tyre.

“Në aspektin e performancës, sa i takon vetingut, po ju sjell shifrat, se fillon dhe bëhet mit pastaj sapo del nga goja jonë. Në 6 muaj të vitit 2018, e para komisionet dhe zyrat janë të mirëfinancuar. Në 6-mujor kanë harxhuar vetëm 20% të planit, në 7-mujor 27% të planit të buxhetit. Brenda zërit të rrogave kanë harxhuar vetëm 34% të pagave. Si mendoni ju që unë do të lejoj që balanca të shkoj në një anë, nëse një institucion nuk ka performancë? Më thoni nëse një nga këta ngelet pa pagë dhe bonus? Asnjë prej tyre. Faktet janë këto. Ato janë institucione të mirëfinancuara dhe janë të detyruara t’i nënshtrohen performancës buxhetore. Kanë punët e tyre të nderuara, të mbështetura pafund. Vetingu është gjëja më e rëndësishme në atë sektor dhe jo vetëm. Financimi i tyre është i plotë, por performancës nuk mund t’i shpëtojë dot askush. 20% në gjashtë muaj. Unë nuk mund të lë lekët të flenë ndërkohë që ka projekte të tjera”, tha Ahmetaj.

PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura