“Nuk mund ta bëj dot vrasjen se jam në karantinë”/ Çfarë tha një prej të arrestuarve para se të kryhej ekzekutimi i vëllezërve Haxhia. Ja lidhja me Talo Çelën

Jun 17, 2021 | 10:27
SHPËRNDAJE

Të tjera detaje janë zbardhur në lidhje me  arrestimin e dy personave, të dyshuar si të përfshirë në vrasjen e vëllezërve Besmir dhe Viktor Haxhia në Durrës.

Të arrestuarit janë Besian Xhixha dhe Enver Diva nga Fushë Kruja, të cilët janë kontaktuar nga Nuredin Dumani dhe Talo Çela.  Të dy të arrestuarit kanë pranuar që të kryenin vrasjen dhe i kanë ruajtur vëllezërit gjatë periudhës së pandemisë, kur pjesa më e madhe e njerëzve ishin në karantinë.

Siç raporton gazetarja e “Panorama”, Etleva Delia ditën që ata kanë vendosur të vrisnin vëllezërit, njëri prej tyre, përkatësisht Enver Diva, ka rezultuar pozitiv me koronavirus. Për rrjedhojë, ai ju ka thënë Çelës e Dumanit se “nuk mund ta bëj vrasjen, se jam në karantinë, s’më lënë të dal”.

Kjo ka bërë që Talo Çela të kryejë vetë vrasjen, në bashkëpunim me Nuredin Dumanin, Altin Ndocin dhe Besian Xhixhën.

RREFIMI I TE PENDUARIT

Ndërkohë një ditë më parë u publikua edhe dëshmia e të penduarit të drejtësisë, Klevis Alla, i arrestuar për vrasjen e vëllezërve.

E gjithë akuza bazohet kryesisht në rrëfimin e të penduarit, i cili shpjegon se ishte Nuredin Dumani, ai që i dërgoi foton e Besmir Haxhisë dhe i tha se do ta vriste. Ai thotë se automjetin që përdorën në vrasje e bleu dhe Nuredini në zonën e Astirit, ndërsa i kishin premtuar 10 mijë euro që të kishte rolin e shoferit në vrasje, por kur ai refuzoi e morën nën kërcënim. Para hetuesve ai tregon edhe takimin me ekzekutorët te tuneli në Shënavlash, pak minuta para se të qëllonin për vdekje dy vëllezërit. “Kur mbërrita te tuneli në Shënavlash, aty ishte Talo Çela, Altin Ndoci e Nuredini. Talo kishte maskë me fytyrë njeriu. Nuredini kapuç si RENEA, xhup pa krahë me mbishkrimin ‘OFL’. Ata zbritën nga makina e tyre dhe morën 3 armë në bagazh.

Unë shkova deri aty t’ju dërgoja makinën. Por, Talo me kërcënoi: Ma ke thënë, ti do vish me se s’bën dhe me ka kërcënuar. Hipa në ‘Toyota’-n me targa ‘AA 375 XN’. Të tre u futën në automjet. Unë telefonova Besmir Haxhinë dhe lashë takimin”. Pas krimit ai thotë se u përpoq të fshihte provat. “Armët i hodha në kanalin përballë xhamisë me dy minaret. Makinën e lashë te varrezat në Arapaj. Të nesërmen kam shkuar me biçikletë te makina dhe kam mbledhur gëzhojat dhe i futa në një qese, të cilën e hodha në një rezervuar”.

I penduari rrëfen edhe momentin kur oficeri i zonës i kërkoi të paraqitej në Polici dhe arsyet përse vendosi të fliste… “Më telefonoi polici, Arbeni më kërkoi të shkoja në Polici. U tremba, por vendosa të shkoj. Tregova ngjarjen. Dërgova Policinë te vendi ku hodha armët. Palombarët i gjetën. I tregova dhe vendin ku hodha qesen me gëzhojat dhe vendin ku lashë makinën e çelësin e saj”. Klevis Alla tregon edhe motivin e vrasjes së dy vëllezërve si dhe miqve të tyre…. “Pas ngjarjes në Rinas, filloi përçarja e grupit të Talo Çelës, Dorian Shkozës, Altin Ndocit e Besmir Haxhisë. Përçarja filloi pasi hyri në lojë lek i madh nga vjedhja e Rinasit”. Fillimisht, Alla është përpjekur të mos e implikojë Nuredin Dumanin në krimet e rënda duke rënduar pozitën e Altin Ndocit, për të cilin fillimisht tha se kishte qëlluar ai dhe Talo Çela mbi dy vëllezërit, por më pas shpjegoi se ai kishte qenë në makinë, porse nuk kishte përdorur armë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura