“Nuk mendoj se ajo që po bën qeveria është gjëja më e zgjuar”, Pandeli Majko: Politika të ndryshojë pak lëkurë

Dec 9, 2019 | 15:18
SHPËRNDAJE

Ministri i Shtetit për Diasporën, Pandeli Majko përsëriti ftesën e kryeministrit Edi Rama për bashkëpunim me opozitën, teksa theksoi se ajo nuk bëhet thjeshtë për një fotografi.

pandeli majko

Në një prononcim për mediat pas konferencës “Itali dhe Shqipëri, një portë e hapur në Ballkan”, ministri Majko shprehet se në kushtet kur vendi ka pësuar tre tërmete brenda një viti është e nevojshme që politika të ndryshojë pak lëkurë, kjo për njerëzit e traumatizuar, më së shumti.

Gjithashtu Majko tha me bindje se pas tërmetit të 26 nëntorit, ajo që po bën qeveria nuk është gjëja më e zgjuar, por ajo po bën atë që mundet edhe përtej mundësive të veta financiare.

“Nuk mendoj të them që ajo që po bën qeveria është gjëja më e zgjuar që mund të bëhet në këto momente, por një gjë e them me bindje, qeveria po bën atë që mundet. Nuk bëhet thjesht për të realizuar një fotografi. Është shumë e rëndësishme edhe për njerëzit e traumatizuar që të gjitha palët sipas parimit shumë mendje janë më shumë sesa disa mendje.

Prandaj në këto kushte kur Shqipërinë e kanë goditur tre tërmete brenda një viti është e nevojshme që politika të ndryshojë pak lëkurë nëse ka mundësi. Nuk bëhet fjalë për një histori që do mbyllet brenda disa muajve do të duhet një kohë relativisht e gjatë. Do të duhen shpenzime shumë të mëdha për të tejkaluar dëmet e tre tërmeteve”, u shpreh Majko.

Konferenca “Itali dhe Shqipëri, një portë e hapur në Ballkan” nisi me një minutë heshtje në nderim të viktimave tërmetit në Shqipëri.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura